E Shtunë, 31 Tetor 2026

Neonazisti grek përdhunon minorenen shqiptare

Share

Një shtetas grek, nëpunës civil dhe anëtar i Partisë neonaziste ‘Chrisi Avgji’ është akuzuar se ka përdhunuar një të mitur shqiptare në një prej zonave të Athinës Verilindore, raporton Top Channel.

Lajmi publikohet në faqen elektronike të gazetës ‘To Vima’, sipas së cilës bëhet fjalë për një 45-vjecar, i martuar me tre fëmijë, i cili kishte lidhje dashurie me 15- vjeçaren nga Shqipëria prej disa muajsh. Ai e kishte njohur atë pasi kompania shtetërore ku ai punonte, kryente disa punime në shkollën e zonës ku mësonte vajza.

E joshur nga premtimet e tij dhe sidomos nga oferta për punë që ai i ka bërë, 15-vjeçarja ka pranuar lidhjen me të, por disa ditë më vonë ajo ka denoncuar tek organet e rendit se 45-vjeçari e kishte çuar në një zonë të pabanuar dhe e kishte përdhunuar. Madje i ka premtuar asaj edhe para vetëm që të mos rrëfejë ngjarjen dhe të vazhdojnë lidhjen e e tyre.

Por ndërsa nxënësja shqiptare ka ngelur shtatzënë pas përdhunimit, ajo ka shkuar të abortojë fëmijën, ndërsa prindërit i kanë kërkuar shpjegime 45-vjeçarit, i cili para policisë ka pranuar lidhjen e paligjshme me një të huaj, pavarësisht ideve të tij nacionaliste, por nga ana tjetër ka pohuar se vajza ka kryer çdo gjë me dëshirën e saj.

Më pas bashkë me disa prej anëtarëve të partisë së tij, i ka kërcënuar prindërit me sulme të grupeve të Chrisi Avgji nëse do të insistonin me denoncimin e përdhunimit. Përfundimisht 45-vjeçari është arrestuar nga policia greke, por dy ditë më pas është lënë i lirë me kusht dhe me garanci prej 30.000 eurosh.

Gazeta në fjalë ka komunikuar me prindërit e vajzës, të cilët kanë pohuar kërcënimet e vazhdueshme nga të rinj neonazistë edhe përgjatë denoncimeve në prokurori. Për çështjen janë informuar zyrtarë të lartë të policisë greke si dhe organet vendore të kësaj zone të Athinës.

‘Chrisi Avgji’ ka ruajtur përqindjet e saj në zgjedhjet e 17 qershorit dhe është tashmë forca e pestë politike në vend. Sipas To Vima, një në dy policë në Athine ka votuar për këtë parti, pavarësisht fenomeneve të dhunshme të anëtarëve të saj ndaj emigrantëve, por edhe ndaj politikanëve kundërshtarë, siç ishte rasti i sulmit të dhunshëm ndaj dy deputeteve gjatë një emisioni televiziv.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›