E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranimet e reja, Universiteti Bujqësor propozon 2680 kuota



Jonida Tashi

Universiteti Bujqësor i Tiranës propozon 2680 kuota pranimi për vitin e ri akademik 2010-2011. Drejtuesit e këtij universiteti kanë dërguar tashmë në Ministrinë e Arsimit, propozimet për vitin e ri akademik, të cilat, pas shqyrtimit nga ky dikaster duhet të miratohen edhe nga Këshilli i Ministrave. Krahasuar me një vit më parë, Universiteti Bujqësor i Tiranës, për vitin e ri akademik do të pranojë vetëm 110 studentë më shumë. Sikurse Politekniku, edhe Universiteti Bujqësor i Tiranës ka propozuar një numër të kufizuar kuotash pranimi, për shkak të mungesë së infrastrukturës në ambiente dhe staf akademik. Si gjithmonë, pjesa më e madhe e kuotës totale të pranimit 2680 studentë të rinj, do të jetë për studimet me kohë të plotë, për të cilat, numri total i pranimeve në Universitetin Bujqësor do të jetë 1510 pranime. Sipas shpërndarjes së kuotës totale të pranimit të bërë nga drejtuesit e Bujqësorit, 160 kuota do të jenë për filialin e këtij Universiteti në qytetin e Lushnjës dhe 110 të tjera për studentët jashtë trojeve të vendit. Ndërkaq, një pjesë të konsiderueshme në kuotën totale të pranimit, për vitin e ri akademik, do të zënë edhe kuotat për studimet me kohë të pjesshme, për të cilat, shifra totale është 900 pranime të reja.
Kuotat
Më shumë studentë gjatë vitit të ardhshëm akademik në Universitetin Bujqësor të Tiranës do të pranohen në Fakultetin e Bujqësisë dhe Mjedisit, për arsye se ky fakultet ofron më shumë degë studimi (shtatë programe studimit), karshi fakulteteve të tjera të Bujqësorit. Sipas propozimeve të bëra nga drejtuesit e Universitetit Bujqësor, në total, kuota e pranimit për Fakultetin e Bujqësisë dhe Mjedisit është 650 studentë. Kjo kuotë totale është shpërndarë në mënyrë të barabartë në gjashtë degë të fakultetit me nga 100 pranime, kurse vetëm për degën Agromekanizëm janë propozuar 50 kuota. Pas Fakultetit të Bujqësisë dhe Mjedisit, një numër të konsiderueshme studentësh do të pranojë edhe Fakulteti i Ekonomisë dhe Agrobiznesit. Për të tria degët e këtij fakulteti që janë: Menaxhim Agrobiznesi, Ekonomi dhe Politikë Agrare, Financë-Kontabilitet janë propozuar nga 150 kuota pranimi për secilën prej tyre. Ndërsa për fakultetet e tjera të Bujqësorit propozohen kuota më të ulëta pranimi. Kështu, për Fakultetin e Bioteknologjisë dhe Ushqimit propozohen 150 kuota pranimi, për Fakultetin e Shkencave Pyjore 180 kuota, kurse për Fakultetin e Mjekësisë Veterinare 100 pranime. Ky i fundit është i vetmi fakultet i Universitetit Bujqësor, për të cilin ka ndryshuar kuota e pranimit, krahasuar me një vit më parë, në të cilin janë pranuar 120 studentë. Ndërsa për degët e tjera të fakulteteve, kuotat për studimet me kohë të plotë propozohen të mbeten të pandryshuara nga viti i kaluar akademik.
Studimet e pjesshme
Në vitin akademik 2010-2011, Universiteti Bujqësor i Tiranës do të ofrojë studime edhe për sistemin me kohë të pjesshme. Për këtë sistem studimi, Bujqësori i ka propozuar Ministrisë së Arsimit, që të pranohen 900 studentë. Sipas propozimeve të bëra nga drejtuesit e universitetit, edhe për studimet me kohë të pjesshme pjesën më të madhe të kuotave të pranimit do ta kenë sërish Fakulteti i Ekonomisë dhe Agrobiznesit, si edhe ai i Bujqësisë dhe Mjedisit. Konkretisht për Fakultetin e Ekonomisë dhe Agrobiznesit, kuota e propozuar është 300 studentë të rinj, kurse për Fakultetin e Bujqësisë dhe Mjedisit 380, 50 më shumë se një vit më parë. Për Fakultetin e Bioteknologjisë dhe Ushqimit
propozohen 100 kuota pranimi, kurse për Fakultetin e Shkencave Pyjore 120 të tilla. Përveç kuotës së propozuar për Fakultetin e Bujqësisë dhe Mjedisit, kuotat e tjera të pranimeve të reja për degët e tjera të fakulteteve të Universitetit Bujqësor që ofrojnë studime me kohë të pjesshme, nuk kanë pësuar asnjë ndryshim nga viti i shkuar akademik. Ndërkaq, edhe gjatë vitit të ardhshëm akademik, Fakulteti i Mjekësisë Veterinare nuk do të ofrojë studime me kohë të pjesshme, pasi për vetë karakterin e kësaj dege, nevojitet që studentët të jenë domosdoshmërisht të pranishëm gjatë zhvillimit të procesit mësimorë.

Kuotat e propozuara nga Universiteti Bujqësor i Tiranës

Kuotat për studimet me kohë të plotë

Fakulteti i Ekonomisë dhe Agrobiznesit
Menaxhim Agrobiznesi 150
Ekonomi dhe Politikë Agrare 150
Financë-Kontabilitet 150
Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit
Mbrojtje bimësh 100
Hortikulturë 100
Prodhim Bimor 100
Zootekni dhe biznes blegtoral 100
Akuakulturë dhe Menaxhim peshkimi 100
Agromjedis dhe Ekologji 100
Agromekanizim 50
Fakulteti i Bioteknologjisë dhe Ushqimit
Teknologji agroushqimore 100
Vreshtari dhe enologji 50
Fakulteti i Shkencave Pyjore
Mbarështim Pyjesh 80
Inxhinieri Përpunim Druri 80
Fakulteti i Mjekësi Veterinare
Mjekësi Veterinare 100

Kuotat për filialin e Lushnjës

Fakulteti i Ekonomisë dhe Agrobiznesit 80
Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit 80

Kuotat për studentët e trojeve

Fakulteti i Ekonomisë dhe Agrobiznesit 15
Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit 70
Fakulteti i Bioteknologjisë dhe Ushqimit 5
Fakulteti i Shkencave Pyjore 10
Fakulteti i Mjekësi Veterinare 10

Kuotat për studimet e pjesshme

Fakulteti i Ekonomisë dhe Agrobiznesit
Menaxhim Agrobiznesi 100
Ekonomi dhe Politikë Agrare 100
Financë-Kontabilitet 100
Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit 380
Fakulteti i Bioteknologjisë dhe Ushqimit
Teknologji agroushqimore 50
Vreshtari dhe enologji 50
Fakulteti i Shkencave Pyjore
Mbarështim Pyjesh 60
Inxhinieri Përpunim Druri 60

Investimet
Ministri Vasili: “Brenda vitit 2010 do të hapen pesë spitale të reja”

Pesë spitale të reja do të ndërtohen në vendin tonë brenda vitit 2010. Garancia për përfundimin e punimeve, për hapjen e spitaleve të reja është dhënë dje nga vetë kreu i Ministrisë së Shëndetësisë, Petrit Vasili. Sipas ministrit të Shëndetësisë, brenda vitit 2010 do të përfundojë ndërtimi i pesë spitaleve në vend. Vetëm Tirana do të ketë 2 spitale të rinj, njëri që do të hapet në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe tjetri do të jetë spitali rajonal, pranë spitalit të Sëmundjeve të Mushkërive në Sauk. Në fund të muajit maj dhe fillim të qershorit pritet inaugurimi i rikonstruksionit të spitalit polmonar “Shefqet Ndroqi”, i kthyer tashmë në një qendër spitalore universitare, ku veç sëmundjeve polmonare, do të kurohen dhe shumë patologji të tjera. Spitali i sëmundjeve polmonare “Shefqet Ndroqi” do të ketë me 300 shtretër, ku do të trajtohen një sërë sëmundjesh, si dhe do të jetë një qendër studimore shkencore. Spitali do të ketë këto shërbime: pneumologji së bashku me tuberkuloz; mjekësinë interne; kardiologji së bashku me koronarografinë; kirurgji së bashku me kirurgjinë torakale; urgjencën; shërbimin e imazherisë (me skaner, rezonancë, shintigrafisë), laboratorët; administratën dhe shërbimet mbështetëse.
Në të njëjtën periudhë me përfundimin e riorganizimit të spitalit “Shefqet Ndroqi”, do të fillojë funksionimi edhe i spitalit të ri, pranë QSUT-së, që parashikohet të jetë i nivelit europian. Deklaratën për hapjen e spitaleve të reja, ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, e ka bërë dje gjatë raportimit para deputetëve të maxhorancës në Komisionin Kuvendor të Shëndetësisë. Ministri Vasili ka raportuar në Komision projektet më ambicioze që do të sjellin një transformim të shërbimit spitalor, duke e ngritur atë në nivelin europian. Sipas kreut të Shëndetësisë, përveç Tiranës, spitale të reja pritet të përfundojnë në Kavajë, spitali rajonal në Elbasan dhe spitali psikiatrik në Shkodër.

2 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›