E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri sulmon KLD-në dhe Prokurorinë

Nga Armand Maho

Mazhoranca nuk ka ndërmend të pranojë ndryshime në ligjin për prokurorinë. Burime nga grupi parlamentar i PD shprehen se kryeministri Berisha është shprehur i vendosur të luftojë korrupsionin në drejtësi me të gjitha mjetet, duke mos pranuar asnjë lloj kompromisi që, sipas tij do të pengonte këtë nismë. Dhe për mazhorancën duket se zgjidhja më e mirë është vënia nën kontroll e gjyqësorit me anë të legjislacionit. I përfshirë dhe nga euforia që ka shkaktuar raporti i “Transparency International”, i cili kishte një frymë pozitive për sa i përket luftës kundër korrupsionit, duket se mazhoranca nuk do të pranojë asnjë sugjerim në lidhje me ndryshimet që mund t’i bëhen ligjit për prokurorinë. Madje, këtë fakt e ka shprehur dhe vetë kryeministri Berisha, megjithëse jo në mënyrë direkte, kur është shprehur se “askush nuk duhet të ketë frikë nga transparenca e Kuvendit”, shprehje kjo që i jep të drejtën ministrit të Drejtësisë që në çdo gjashtë muaj të kontrollojë prokurorinë dhe të raportojë rreth punës së saj në Kuvend, ashtu siç bën me Agjencinë e Pronave, drejtoritë e burgjeve, apo dhe hipotekat që i ka nën varësi. “Ne jemi të përcaktuar plotësisht për pavarësinë e institucioneve të pavarura. Asgjë për funksionimin e një sistemi nuk ka më të rëndësishme sesa pavarësia e institucioneve të pavarura. Por, në qoftë se kjo pavarësi shkon në atë shkallë sa nuk lejon transparencën, kjo kthehet në një fatkeqësi. Nga transparenca nuk duhet të ketë frikë askush dhe asnjë cilido qoftë. Pse duhet të kesh frikë të pranosh auditin e parlamentit, cili është shkaku? Në qoftë se ti je në rregull, ti duhet të kesh kënaqësi. Keni dëgjuar ju ndonjë penalizim qoftë dhe të një punonjësi të vetëm nga këto institucione? Si i ndan shqiptarët, andej engjëjt, këtej djajtë? Nuk janë kështu shqiptarët. Kjo është një teori raciste. Pra, përdoret kjo pavarësi. Pavarësia duhet të jetë për të zbatuar ligjin, por transparenca do të jetë absolutisht fondamentale e veprimtarisë së të gjitha institucioneve të këtij vendi”, - tha kryeministri.

Ndërkohë, duket se mazhoranca është e vendosur për të kaluar dhe ligjin për gjyqësorin, ligj ky që po kundërshtohet fort nga shoqatat e gjyqtarëve. Berisha u shpreh se deri më tani asnjë gjyqtar nuk është parë të vihet pas hekurave të burgut. Ky ishte një sulm i hapur i kryeministrit ndaj KLD-së. “Shqiptarët nuk shohin një gjykatës në 12 vjet të përballet me ligjin. Çfarë do të thotë kjo? Ne nuk pajtohemi dhe nuk do të pajtohemi me këtë, në një kohë kur ka afera nga më të mëdhatë e tyre, të faktuara dhe dokumentuara me dokumente, me kontrolle, me fakte të pakundërshtueshme. Asnjë prokuror të mos përballet me ligjin, edhe kur falsifikojnë, shesin e gjobisin për dosjet. Mendojmë ne se në këtë mënyrë do të bëhemi të dobishëm? Do të ishim shumë më të dobishëm për vendin, sikur krahas qeverisë të rreshtoheshin edhe institucionet e tjera. Të jeni të bindur se ditën që ato do të rreshtohen, Shqipëria do të ketë nivele shumë më të larta sesa këto. Por është detyra e kësaj shumice, është detyra e atyre që kanë mandatin kushtetues për të proceduar me reformat, të bëjnë ligje më të mira, reformat më të rëndësishme, duke patur kriter bazë antikorrupsionin. Informohem se ka institucione, të cilat i kanë mbyllur dyert supervizimit parlamentar. Absolutisht nuk do të pranohet një gjë e tillë. Për sa kohë ky vend të jetë republikë parlamentare, ky institucion do të ushtrojë të gjitha kompetencat e supervizionit ndaj cilitdo institucion në këtë vend. Kjo është transparenca. Nuk e bën dot këtë auditi i Kryeministrisë, sepse ai do t`i përkushtohet ekzekutivi, por auditi i shtetit dhe supervizioni i parlamentit në çdo faturë të cilitdo dhe të kujtdo, sepse janë paratë e atyre që vuajnë për ujë, për rrugë, për ilaçe. Ndaj dhe uroj të vazhdojmë këtë betejë”, - tha kryeministri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›