E Shtunë, 31 Tetor 2026

Neritan Novi: Luftëtari, pa diskutim në superligë

Nga SOKRAT PAPADHOPULLI

Ish-kapiteni i ekipit gjirokastrit, tani ndihmës i trajnerit Dede, thekson se po vjen koha për të qenë protagonistë në elitën e futbollit shqiptar

Neritan Novi hyn në serinë e futbollistëve më luftarakë që ka nxjerrë Gjirokastra ndër vite, siç janë edhe Pavllo Maksakuli, Dhimitër Eksarko, Ibrahim Braho, Dhimitër Shoni, Luan Seiti, Lefter Millo, Bledar Devolli e ndonjë tjetër. Ai ka lindur në Gjirokastër, më 09.03.1971dhe që në sezonin 1988-1989 ka hyrë në ekipin e parë të Luftëtarit për të vazhduar  për 2 sezone (1997-1999 me ekipin Lyqi (Ujqërit) të Selanikut në Greqi.

U kthye për 2 sezone te Luftëtari, kaloi te Tomori po për 2 sezone, te Besa 1 dhe përsëri tek ekipi mëmë për 3 sezone, përfshirë edhe 2006-2007-ën, kur luajti për herë të fundit në superligë dhe ishte kapiten. Realizoi 7 gola dhe në 5 ndeshjet e fundit ishte edhe ndihmës i trajnerit Edi Martini. Sezonet pasardhëse luajti 2 me Bylisin, 1 me Luftëtarin dhe 1 me Butrintin, ku mbylli edhe karierrën si lojtar.

Këtë sezon ishte ndihmëstrajner në ekipin e të rinjve të Luftëtarit dhe për fazën e dytë do të jetë ndihmësi i Nevil Dedes. Viti 2012 për Luftëtarin u tregua që në fillim i brishtë, gjë që u pa në ndërrimin e stafit teknik, ku sipas variantit zyrtar, Mustafa Hysi dhe Kristaq Ciko u zëvendësuan nga Nevil Dede dhe Neritan Novi, ndërsa Dritan Kristidhi nuk ka lëvizur. Në një intervistë për Sportin shqiptar Novi ka dhënë këto përgjigje:

Çfarë ndodhi te Luftëtari, në stafin teknik të të cilit, krahas Nevil Dedes, jeni edhe ju?

Sipas atyre që kam dëgjuar, ka pasur kontradikta midis presidencës dhe trajnerëve Hysi e Ciko, të cilët dhanë dorëheqjen. Unë mund të them se ata kanë kryer një punë të mirë, të tjerat janë probleme të tyre dhe unë nuk di hollësira.

Juve kush ju ftoi?

Të hënën më bëri një propozim donatori Qazim Muho, pasi me siguri ka biseduar me të tjerët. Falënderoj presidentin Flamur Bime, me të cilin nuk jemi ndarë si duhej në fund të sezonit 2009- 2010, vetë Qazimin, që më rikthyen në ekip, dhe Nevil Deden, që më mbështeti dhe më pranoi si ndihmës të tij.

A njiheshit më parë nga afër me Deden?

Njohja jonë ka qenë si kundërshtarë për aq sa ekipet ku luanim  janë ndeshur midis tyre. Kishim respekt për njëri-tjetrin edhe si kapitenë.

Cili është vlerësimi juaj për Luftëtarin aktual?

Thuhet se fituesi nuk gjykohet dhe Luftëtari, përderisa është në vend të parë, do të thotë se është fitues.

Ju i keni ndjekur ndeshjet e Luftëtarit në Gjirokastër. A ka ndonjë dobësi ky ekip?

Luftëtari, në 14 ndeshjet e fazës së pare, është paraqitur pothuajse shumë mirë dhe kryeson bindshëm, por, sikundër thuhet, kur ha bukë, do të bëhen edhe thërrime. Pra, edhe Luftëtari mund të ketë ndonjë dobësi, ndaj dhe për minimizimin e tyre do të bëjmë një periudhë stërvitore në Mal të Zi.

A do të bëhen blerje për fazën e dytë?

Presidenti Bime është i gatshëm për të sjellë çdo lojtar që do ti kërkojmë, një ose dy të tillë. Ne synojmë në radhë të parë dy gjirokastritë: Ylli Shametin, që luan me Tomorin, dhe Fejzo Shenajn, që luan me Shkumbinin. Nëse nuk vijnë këta, do të marrim të tjerë.

Si e parashikoni këtë sezon dhe të ardhmen e Luftëtarit?

Pa diskutim që në fund të këtij sezoni Luftëtari do të ndahet nga kategoria inferiore dhe do të kthehet në superligë, ku shpresoj se do të stabilizohet për një periudhë të gjatë, ndryshe nga sa ka ndodhur  këtë fillimshekulli, ku është ndier fare pak.

Këtë e them, duke u nisur nga sa po bëhet me intensitet që në fillim të këtij sezoni, që është krejt ndryshe nga sa bëhej më parë. Këtë e vërtetojnë edhe rezultatet e fazës së parë, që në fakt ende nuk është mbyllur, sepse kemi edhe ndeshjen e shtyrë me Kukësin në Gjirokastër, ku shpresojmë se do ta nisim me fitore.

23 sezone

ka luajtur Neritan Novi me ekipe të rriturish, shumicën e tyre me atë gjirokastrit. Përveç Luftëtarit, ai ka veshur edhe fanellën e Tomorit, Besës, Bylisit e Butrintit në Shqipëri, ndërsa për dy sezone është aktivizuar në Greqi me ekipin Lyqi të Selanikut

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›