E Shtunë, 31 Tetor 2026

Orgest Gava lë Elbasanin për Shkumbinin

Nga Elton Karaj

Mesfushori verdheblu dëshiron të luajë me një ekip superlige dhe ka zgjedhur fqinjët peqinas

Orgest Gava nuk do të luajë për Elbasanin në fazën e dytë. Mesfushori sqaron për Sportin shqiptar se do të largohet nga ekipi verdheblu për të kaluar te Shkumbini. Gava ka qenë protagonist tek Elbasani këtë sezon dhe largimi i tij është humbje për trajnerin File. Ai ka pohuar se kalimi te Shkumbini është çështje orësh, pasi bisedimet me drejtuesit peqinas kanë qenë të mbara dhe së shpejti do të firmosë me ta.

Po, jam shumë pranë largimit nga Elbasani, – pranon futbollisti elbasanas. Do të kaloj tek ekipi fqinj i Shkumbinit, që është pjesë e superligës. Dua të ndryshoj ambient dhe ky është momenti i duhur për mua. Te Shkumbini më jepet shansi të luaj në superligë dhe ky është një faktor shumë I rëndësishëm për ta bërë këtë lëvizje. Kuptohet që të luash në elitën e futbollit shqiptar është diçka e mrekullueshme.

Gava thotë më tej se Elbasani është ekipi i tij i zemrës, por rrethanat e deytorojnë ta lërë aktualisht. Çdo futbollist sheh për më të mirën e tij dhe më e mira për mua aktualisht është të që të jem në një ekip superlige, ndaj dhe e lë me keqardhje Elbasanin, që do të mbetet gjithmonë shtëpia ime. Jam rritur këtu dhe kuptohet që nuk më vjen mirë që ta lë, por për momentin kështu janë kushtet.

Kam pasur oferta edhe nga skuadra të tjera, por zgjodha Shkumbinin, sepse aty më kanë garantuar një vend titullari. Për mua është e rëndësishme të luaj sa më shumë dhe ta përmirësoj nivelin tim, ka përfunduar Gava, largimi i të cilit do të lërë një boshllëk të madh në mefushën verdheblu. Megjithatë, Elbasani ka disa të rinj të talentuar dhe stafi teknik pritet të zgjedhë zëvendësuesin e Gavës.

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›