“Nëse hapen kutitë, unë fitoj një mandat për deputet”
18/12/2009 Kryeministri Sali Berisha intervistë për BBC-në
Për herë të parë Berisha përmend mundësinë e rinumërimit
“Jam i sigurt se, në qoftë se hapen kutitë dhe rinumërohen votat, unë do të fitoj një mandat në Fier, por nuk më lejon mua, nuk ka ndodhur kurrë, që politikisht të shqyrtohet një vendim gjykate”, - kjo është deklarata që kryeministri Sali Berisha ka bërë dje në një intervistë për BBC-në. Ndryshe nga herët e tjera, kur kryeministri nuk ka përmendur asnjëherë mundësinë e hapjes së kutive të votimit, dje deklaroi se, nëse një gjë e tillë do të ndodhte, ai do dilte i fituar. Kryeministri Berisha ka theksuar se është e pamundur që kutitë e votimit të zgjedhjeve të 28 qershorit të hapen, pasi ato janë të certifikuara dhe ka një vendim gjykate, që ndalon rinumërimin. “Kushtetuta nuk e lejon këtë, ligji organik i komisioneve parlamentare nuk e lejon këtë, pra unë nuk mund të them se do të jetë çështje kompromisi shqyrtimi politik i vendimeve të gjykatave”, - tha kreu i qeverisë shqiptare. Ai e ka konsideruar si paradoksal qëndrimin që mban opozita. “Opozita ka vendosur të bëjë opozitë jashtë parlamentare, duke deklaruar se e njeh rezultatin e zgjedhjeve, ky është qëndrimi më paradoksal”, - tha Berisha. Ai ritheksoi se qeveria ka bërë ofertën për rikthimin e opozitës në Parlament. Duk folur për BBC-në, kryeministri ka deklaruar se inkurajon opozitën e majtë të punojë dhe të bashkëpunojë me mazhorancën dhe qeverinë për të çuar përpara afrimin e Shqipërisë me BE-në. Madje, ai tha se ka kërkuar daljen e përbashkët me kreun e PS-së Edi Rama për të përshëndetur marrjen e pyetësorit nga Komisioni Europian.
Gatishmëria
Kryeministri deklaroi se mazhoranca dhe qeveria e dalë prej saj është e gatshme për bashkëpunim me opozitën. “Qeveria ka bërë ofertën e saj dinjitoze për rikthimin e opozitës në Parlament dhe e mirëpret atë”, - deklaroi kryeministri Berisha.
Kutitë
Kreu i qeverisë ka përjashtuar mundësinë e një kompromisi të mundshëm me opozitën lidhur me kërkesën e saj për të krijuar një komision hetimor parlamentar për hapjen e kutive të votimit, si pjesë e hetimeve për parregullsitë në zgjedhje.