Përmbajtja e lartë e squfurit dhe cilësia e ulët mbyllin 18 pika karburantesh
18/12/2009 Rrezikojnë mbylljen edhe subjekte të tjera. Problem cilësia dhe mungesa e dokumentacionit
KORÇE- Probleme mjaft shqetësuese janë vërejtur në stacionet e mbushjes së bombolave të gazit dhe në pikat e tregtimit të karburanteve. Më shqetësuese kanë qenë cilësia e ulët e karburantit, përmbajtja e lartë e squfurit, tej normave të lejuara, mungesa e dokumentacionit tekniko- ligjor si dhe probleme të tjera. Nga 36 kontrolle të ushtruara deri më tani, 50% e stacioneve apo e pikave të karburanteve kanë rezultuar me mangësi të dukshme, ndërsa në mjaft prej tyre, aktiviteti kryhej në mënyrë abuzive. Të gjitha këto kanë treguar se me klientët abuzohej në shumë drejtime. Megjithatë, edhe në pjesën tjetër të subjekteve, (përveç 18 subjekteve të bllokuara), janë vërejtur mangësi të theksuara në posedimin e dokumentacionit të kërkuar. E gjithë kjo situatë, tashmë e evidentuar, duket se shtrihet në pjesën më të madhe të subjekteve që ushtrojnë këtë lloj aktiviteti. Gjithsesi, kontrollet në këtë drejtim do të vijojnë edhe në ditët e ardhshme, çka do të thotë se, sipas të gjitha gjasave, do të ketë sërish mbyllje të aktiviteteve apo ndëshkime me masa administrative. Gjithçka më sipër është bërë e njohur nga burime pranë Inspektorati Qendror Teknik për qarkun e Korçës, të cilat vunë në dukje se “nuk do të ketë asnjë tolerancë ndaj subjekteve që ushtrojnë këtë aktivitet në mënyrë abuzive, pa dokumentacionin e nevojshëm, por as në rastet kur ato nuk disponojnë dokumente të plota për këtë qëllim. Nuk mund të tolerohen subjektet që tregtojnë karburante me përmbajte squfuri të lartë apo që nuk përmbushin kushtet tekniko-ligjore për ushtrimin e aktivitetit. Gjithsesi, burimet në fjalë, në lidhje me këtë problem, sollën detaje mbi kontrollet e ushtruara deri më tani. Nga burimet e cituara më sipër, bëhet e ditur, se “kontrollet kanë vijuar që prej dy javësh dhe nuk do të reshtin as në ditën në vijim deri në kontrollin e plotë të gjithë stacioneve të mbushjes së bombolave të gazit apo të tregtimit të karburanteve”. “Gjatë periudhës 2 -javore të kontrolleve, theksuan burimet, u gjetën 18 subjekte që kanë autogaz, (d.m.th., që tregtojnë gaz për auto, ose për mbushjen e bombolave të gazit), por që e realizonin këtë aktivitet në mënyrë abuzive dhe që nuk kishin dokumentacionin e nevojshëm tekniko-ligjor”. Për këtë arsye, të 18 subjektet në fjalë u mbyllën”, konfirmuan burimet. Ndërkaq, burimet pranë Inspektoratit Qendror për qarkun e Koracës bënë të ditur, se “me probleme u gjetën edhe 7 subjekte të tjera, ndaj të cilave u vendosën gjoba deri në 500 mijë lekë, ndërsa ndaj një subjekti tjetër gjoba e vendosur ishte 300 mijë lekë.
KONTROLLET
Ajo çka ishte më shqetësuese, thanë burimet, kishte të bënte me dy probleme: së pari, kishin të bënin me cilësinë e ulët të karburanteve, me përqindjen e lartë të squfurit dhe të pikës së flakërimit në përbërje të naftës; dhe së dyti, me dokumentacionin tekniko-ligjor që duhej të kishin këto subjekte. Nëse deri më tani u mbyllën 18 subjekte dhe u vendosën 7 gjoba deri në 500 mijë lekë, për një pjesë tjetër subjektesh iu la një afat kohor 3 javor, me qëllim që këto të fundit të plotësojnë dokumentacionin e duhur, por nëse nuk do të ndodhë kështu, atëherë edhe kjo pjesë e subjekteve do të mbyllet. Gjithkush prej subjekteve duhet të ushtrojë aktivitetin e vet, vetëm duke respektuar kërkesat e ligjit, në të kundërt nuk do të tolerohen. Kontrollet do të jenë edhe në vijimësi prezente”, përfunduan burimet pranë Inspektoratit Qendror Teknik për qarkun e Korçës, por që ka varësi nga Ministria e Ekonomisë.