E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nëse ky ligj bëhet ligj...

Nëse nisemi nga praktika e deritanishme e pushtetit për hapjen e dosjeve të diktaturës, atëherë duhet thënë se nëse bëhet ligj për hapjen e tyre, ato nuk hapen. Në disa raste pushteti në Shqipëri ka dështuar në procesin e lustrifikimit, një proces i cili ka pasur sukses në shoqëritë, të cilat edhe pse në diktatura kanë ruajtur deri diku palcën intelektuale dhe demokratike, por nuk kanë pasur sukses në vendet me diktaturë të forta, si në Rumani. Para pak vitesh Bullgaria hapi dosjet më sukses. Por vendet që patën sukses në procesin e lustrifikimit kishin edhe një arsye tjetër që ia dolën mbanë; nuk patën shumë burokraci në këtë proces. I vendosën diku dosjet dhe thanë kush është i interesuar, të shkojë t’i shikojë. Natyrisht që kishte administrim të tyre, por nuk kishte kurrfarë hallke ndërmjetëse ndërmjet qytetarëve të interesuar për dosjet dhe atyre që i administronin ato. Procesi ishte vijëdrejtë, pa ngecje, me një hyrje dhe pa seleksionim nga lart. Kështu u bë në Gjermaninë Lindore. Nuk ka pasur raportime për drama që mund të kenë shoqëruar këtë proces, megjithëse është proces dramatik në vetvete.

Ligji i fundi i deputetit Biberaj, është një punim i cili siç tha edhe vetë ai, është një shkrirje e disa varianteve të paraqitura për këtë ligj, si dhe i përvojës së disa vendeve që kanë kaluar nëpër dekomunistizim të shoqërisë.

Fakti se ky ligj ka protagonist një deputet në moshë të re, është një shans për sukses, pasi më së paku ai ka arsye të ndërtojë apo të mbrojë nene të një ligji, i cili edhe krijon mundësi që procesi në Shqipëri të dështojë sërish. Projekti i tij në thelb prek njerëzit me mundësi ndikimi në politika të ndryshme dhe që kanë mjete për të ndërtuar opinione në publik. Kjo është bërë që numri i njerëzve “të dekonspiruar” të mos jetë shumë i madh, si dhe dosjet e atyre që nuk paraqesin ambicie publike të mos preken. Pra, duket se sërish ka njëfarë halli për ata që janë të inkriminuar, me ose pa dashje me diktaturën dhe se më pak hall ka për viktimat e tyre me faj apo pa faj edhe konform ligjeve të asaj periudhe. Megjithatë, projekti “Biberaj” është më i avancuar se ligjet e mëparshme, ndërkaq duket qartë se ai nuk është kompleksuar nga asnjë shtresë apo grup i shoqërisë, përfshirë këtu edhe mediat, ku ai me të drejtë kërkon që drejtuesit e tyre dhe grupe të tjera gazetarësh të kontrollohen për bashkëpunim të mundshëm me shërbimin sekret të diktaturës. Ndërsa nuk thuhet asgjë për ndonjë që ka pasur guximin të denoncojë veten për bashkëpunimin me shërbimin sekret dhe ta ketë pranuar atë. Ndoshta duhet një nen në këtë ligj, ku persona që janë ndarë vullnetarisht me shërbimet e mundshme që ata i kanë bërë diktaturës ose kanë deklaruar publikisht bashkëpunimin e tyre, duke prerë çdo mundësi përdorimi nga ato struktura, të përjashtohen nga ndëshkimi.

Por ka edhe një problem tjetër apo arsye debati që është koha kur hapen këto dosje dhe rreziku për t’u shndërruar kjo fushatë në demagogji. Shqipëria ka një histori të gjatë demagogjie me dosjet e spiunëve. Më shumë se ka pasur dështim hapja e dosjeve, është dështuar nga prodhuesit e ligjeve dhe njerëzit që janë ngarkuar për të implementuar ligjet si ai i vitit 1996. Nëse ligji zgjidh si duhet dhe me guxim hapat e implementimit të ligjit, pa u ndërthurur me konflikte interesi të partive politike apo administratës së lartë, atëherë shanset janë të mëdha që ligji të ketë sukses.

Vetë Biberaj dhe ai grup deputetësh që po “sponsorizojnë” këtë ligj nuk duhet ta lëshojnë veten që ligji “i tyre” të shërbejë vetëm për një çast dhe asgjë më shumë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›