E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrugët rurale, ndërtuesit njihen me projektet e financuara nga BB-ja

Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH), Agjenci zbatuese e qeverise shqiptare, në bashkëpunim me Bankën Botërore, organizuan dje në Tiranë një takim me firmat e ndërtimit që punojnë në sektorin e ndërtimit të rrugëve, me qëllim njohjen e firmave të ndërtimit me projektin e “Rrugëve Dytësore dhe Lokale”. Në takim morën pjesë drejtuesit kryesorë të FSHZH-së, si edhe rreth 30 përfaqësues të firmave të ndërtimit, të cilat janë të interesuara të marrin pjesë në zbatimin e projekteve të rrugëve.

Drejtori i FSHZH-së, Benet Beci, në fjalën e mbajtur me këtë rast tha se “vitet e fundit FSHZH-ja ka punuar shumë në drejtim të cilësisë së punimeve dhe transparencës për krijimin e ambientit për një konkurrencë të barabartë. Më pas u vazhdua me prezantimin e përgjithshëm të projektit, specifikimet teknike të rrugëve dhe procedurat e prokurimit.

Takimi është pjesë e një cikli konsultimesh që po kryhen në vazhdim me të gjithë aktorët dhe pjesëmarrësit në këtë projekt, duke nisur nga donatorët, pushteti vendor, përfituesit etj. Nëpërmjet këtij takimi synohet gjithashtu rritja e transparencës dhe shtimi i mundësive për konkurrencë të barabartë gjatë procesit të prokurimit, me qëllim garantimin e një produkti cilësor dhe sa më funksional për komunitetet që do përfitojnë prej tij. Ky projekt ka si qëllim përmirësimin e aksesit në shërbimet bazë dhe mundësitë e zhvillimit ekonomik për popullsinë rurale, përfituese në zonat e rrugëve të rehabilituara. Projekti është parashikuar të përfshijë deri në 1500 km rrugë rajonale dhe lokale. Vlera totale e projektit parashikohet të jetë rreth 400 milionë USD dhe në projekt do të përfshihen një sërë donatorësh si, Banka Botërore, Bashkimi Evropian, Banka Japoneze për Zhvillim Ndërkombëtar, Banka për Zhvillim e Këshillit të Evropës, Banka Evropiane për Rindërtim e Zhvillim, Banka Evropiane e Investimeve etj. Zbatimi është parashikuar të ketë një kohëzgjatje 5-vjeçare. Vetëm 2 ditë më parë u nënshkrua marrëveshja e kredisë për këtë projekt ndërmjet qeverisë shqiptare dhe Bankës Botërore, me shumën 20 milionë USD.

35 fermerë, subvencion të normës së interesit për kredi

Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit ka vlerësuar 35 subjekte, fituese të subvencionit për normën bazë të kredisë që do të marrin për zbatimin e projekteve të tyre në sektorin e bujqësisë. Drejtori i projektit 2KR, Ferdi Brahushi, që menaxhon projektin e subvencionimit, tha dje për median se "një risi tjetër e projektit për vitin 2008 është dhe subvencionimi i normës së interesit për kreditë që përdoren për veprimtaritë bujqësore, ku pritet të përfitojnë kompanitë që grumbullojnë, ruajnë dhe përpunojnë produkte bujqësore dhe blegtorale, shoqëritë e prodhimit dhe tregtimit në bujqësi, të regjistruara sipas ligjit aktual". Sipas tij, 35 subjektet pritet të përfundojnë kontratën me bankat dhe MBUMK-në që do të financojnë normat e kredive jo më të vogla se 10 milionë lekë dhe interesi që subvencionohet për një kredi nuk mund të jetë më shumë se 2 milionë lekë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›