“Nëse nisni dialogun, në nëntor Shqipëria do të jetë gati për marrjen e statusit kandidat”
Apelon kreu i delegacionit të BE në vendin tonë, ambasadori Ettore Sequi
Bashkimi Evropian do të publikojë në nëntor të këtij viti, progres-raportin vjetor të Komisionit Evropian, ku dhe do të marrë rrugë çelja e negociatave për integrimin e Shqipërisë në bllokun 27 anëtarësh
Mesazhin për dialogun politik mes mazhorancës dhe e opozitës e dha dje shefi i delegacionit të BE në vendin tonë, ambasadori Ettore Sequi. “Shqipëria duhet të punojë jo vetëm për reforma politike për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian, por duhet të bazohet në vlera të vërteta të besimit social për t’u bërë pjesë e këtyre strukturave”- u shpreh ambasadori i BE-së, Sequi.
Ai tha se Bashkimi Evropian ka ngritur strukturën e saj në baza të shëndetshme të vlerave, duke i cilësuar si garanci për qëndrueshmërinë e këtij Unioni 27 anëtarësh. Në këtë drejtim Sequi tha se duhet angazhim i sinqertë edhe nga Shqipëria nëse do të bëhet pjesë e këtyre strukturave.
“Shqipëria duhet të punojë jo vetëm për reforma politike për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian, por duhet të bazohet në vlera të vërteta të besimit social për t’u bërë pjesë e këtyre strukturave. BE-ja e ka ngritur strukturën e saj në baza të shëndetshme të vlerave, duke i cilësuar si garanci për qëndrueshmërinë e këtij unioni. Në këtë drejtim duhet angazhim i sinqertë edhe nga Shqipëria nëse do të bëhet pjesë e këtyre strukturave”, u shpreh ambasadori Sequi.
Ndërkaq, zëvendësambasadori i Prezencës së OSBE-së në vendin tonë, Dan Redford, përsëriti faktin se ligjet më të rëndësishme duhet të marrin konsensusin politik. Sipas tij, konsensus jepet përmes pjesëmarrjes në Parlament dhe votimin e ligjeve.
Këto deklarata u bënë gjatë punimeve të konferencës kombëtare “Besimi Social dhe Autoritetet Institucionale”, të organizuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim, ku ishte e pranishme edhe zëvendës ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Deborah Jones.
Zëvendës-ambasadorja amerikanë në Tiranë, Jones tha se, “besimi social është një element thelbësor i demokracisë së shoqërisë dhe përparimit të një vendi, prandaj duhet përpjekje e bashkërenduar e të gjithë aktorëve për të ndihmuar Shqipërinë të përmbushë aspiratat e saj”.