E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndryshojnë procedurat për licencimin e farmacive

Ndryshojnë procedurat për licencimin e farmacive

Këshilli i Ministrave miraton në mbledhjen e djeshme procesin e decentralizimit për licencimin e aktivitetit privat në fushën e shëndetësisë

Somario

Për një kategori të caktuar licencash për ushtrimin e aktiviteteve private procedurat do të kryhen në Drejtoritë Rajonale të rretheve

Licencimi i farmacive tani e tutje do të ketë procedura të reja të cilat janë miratuar ditën e djeshme me vendim të Këshillit të Ministrave. Pas një viti rishikimi të ligjit përkatës, është rënë dakord që Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, në bashkëpunim me grupin “Task Force” është punuar dhe është rënë dakord për të hequr mjaft nga kërkesat e përcaktuara për licencimin për aktivitet privat.

Ndryshimet

Hiqet akti i pronësisë dhe kontrata e qerasë, detyrimi për anëtarësimin në shoqatat e profesionistëve, hiqen vërtetimet nga gjykata, prokuroria e përmbarimi. Kërkesa për hapjen e një aktiviteti privat në fushën e shëndetësisë me këtë vendim kthehet në një formular autodeklarimi, i cili do të konceptohet në tri pjesë. Në pjesën e parë deklarohen gjeneralitetet, lloji i aktivitetit që kërkon të ushtrojë, adresën e ushtrimit të aktivitetit, numrin e certifikatës së regjistrimit tatimor, lejen e ushtrimit të profesionit nga urdhrat e profesionistëve. Në pjesën e dytë deklaron zbatimin e gjithë kritereve të përcaktuara nga ministri i Shëndetësisë për ambientin, aparaturat, pajisjet.

Në pjesën e tretë deklaron se subjekti njeh dhe zbaton aktet ligjore dhe nënligjore në fushën ku do të kryej aktivitet privat si dhe mban përgjegjësi të plotë për çka ka deklaruar në këtë formular. “Formularët e Autodeklarimit” miratohen nga ministri i Shëndetësisë, sipas fushave që mbulojnë. Gjithashtu, formularit i bashkëlidhet gen-plani i ambientit si dhe leja higjeno-sanitare e këtij ambienti. Dorëzimi i formularëve për të aplikuar për miratimin e aktivitetit, bazuar në këtë vendim, tashmë do të bëhet pranë Ministrisë së Shëndetësisë për spitalet, fabrikuesit e barnave, materialeve të mjekimit dhe pajisjeve mjekësore dhe në Drejtoritë e Shëndetit Publik në rrethet përkatëse për aktivitetet e tjera të fushës së shëndetësisë. Brenda një periudhe 20 (njëzet) ditore nga data e dorëzimit të “Formularit të Autodeklarimit” institucioni shëndetësor i përcaktuar sipas pikave 2 dhe 3 të këtij vendimi, duhet të organizojë inspektimin për verifikimin e kushteve të ambientit dhe deklarimeve të paraqitura në formular. Nëse rezultati i inspektimit përputhet me ç`është deklaruar në formular nga subjekti, atëherë lëshohet “Akt-Miratimi Provizor” i vlefshëm për një periudhë 10(dhjetë) ditore, deri në përgatitjen e dokumentit që e deklaron subjektin të licencuar për të kryer aktivitet privat në fushën e shëndetësisë. Nëse brenda 20 (njëzet) ditësh nga dita e dorëzimit të “Formularit të Autodeklarimit”, institucioni shëndetësor i ngarkuar nuk shprehet, veprimtaria quhet e miratuar automatikisht. Gjithashtu, e re e këtij vendimi është se gjithë procesi i licencimit për aktivitetet që përcaktohen në pikën 3 të vendimit do të bëhet nga strukturat lokale të shëndetësisë duke përcaktuar dhe afate kohore, duke lehtësuar kështu këtë proces. Kjo do të shoqërohet me një inspektim mjaft të fortë prej strukturave shëndetësore në mënyrë që heqja e barrierave të mos të japë impakt negativ në drejtim të uljes së standardeve në shërbimin shëndetësor.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›