E Diel, 1 Nëntor 2026

“Nëse s’fitojmë ndaj Shqipërisë, s’meritojmë të shkojmë në Botëror”

 

Leonard Karaj

Nuk ka vonuar shumë, por vetëm disa orë pasi mbërriti në grumbullimin e kombëtares portugeze, Kristiano Ronaldo ka ndezur ambientin. Sipas tij në rast se skuadra e Portugalisë nuk do të mund të fitojë këtë të shtunë ndaj Kombëtares shqiptare në “Qemal Stafa” atëherë realisht nuk do ta meritonte kualifikimin për në botëror. Një deklaratë të tillë ylli i Mançester Junajtid e bëri në konferencën për shtyp të zhvilluar dje në rezidencën e ekipit përfaqësues të Portugalisë.
Shqipëria
“Lojtarët e mëdhenj dhe profesionistë dallohen nga të tjerët për këtë fakt që në çaste të veçanta dinë të nxjerrin më të mirën e tyre për të fituar ndeshje, të cilat nuk duhen diskutuar për asnjë moment. Ne jemi skuadra më e mirë në grup. Një gjë të tillë e kemi treguar edhe më parë, por duhet të kuptoni se sikundër klubet edhe skuadrat kombëtare ndonjëherë kanë ulje-ngritjet e tyre ku më së shumti një rol luan edhe fati. Por të shtunën ndaj Shqipërisë, fati ka pak të bëjë pasi ne na duhet me patjetër fitorja në të kundërt realisht nuk meritojmë që të shkojmë në botëror edhe në rast se do të kishim shanse pas një ndeshje jo pozitive ndaj Shqipërisë”, ka pohuar sulmuesi më i rëndësishëm i Portugalisë, “Topi i Artë 2008”, Kristiano Ronaldo.
Champions    
Sulmuesi nuk ka lënë pa prekur edhe finalen e Kupës së Kampioneve të humbur një javë më parë ndaj Barcelonës në Romë. Sipas tij, spanjollët luajtën më të kujdesshëm ndaj edhe mundën të fitonin. “Është paksa e vështirë për t’u shpjeguar pasi askujt nuk i pëlqen që të humbasë aq më tepër kur bëhet fjalë për Kupën e Kampioneve. Por ja që ndodhi. Dhe humbjet janë pjesë e lojës së futbollit. Unë gjatë kësaj kohe si te Mançester dhe në kombëtare jam kritikur për faktin se luaj larg portës dhe jam individualist. Po jua shpjegoj më së miri se ky është tipi i lojës, që mua më pëlqen më shumë dhe jap më tepër rendiment, pasi arrij të depërtoj më lehtë në mbrojtjet kundërshtare. Këtë do të tentoj edhe në ndeshjen ndaj Shqipërisë”, ka pohuar Ronaldo.

Keirosh: Fitojmë ne se kemi ekipin më të mirë

 Portugalia është një hap larg “lamtumirës” së kualifikimeve për Botërorin 2010 pasi ka grumbulluar vetëm 6 pikë në 5 ndeshje. Por për trajnerin e vet Karlos Keirosh skuadra e tij ka shanse jo vetëm matematikore për të shkuar në botëror në rast se fiton ndeshjet e mbetura. Përsa i përket takimit ndaj Shqipërisë, Keirosh ka pohuar se vetëm Portugalia mund ta falë këtë takim. “Praktikisht është një ndeshje që duhet fituar me të gjitha mënyrat. Kemi një skuadër me shumë kualitete dhe duke parë edhe renditjen në grup mendoj se fitorja është një detyrim”, ka pohuar ai. Por e vërteta është se gjatë grumbullimit Portugalia ka treguar jo pak probleme. “Kemi bërë disa ndryshime por gjithsesi mendoj se jemi aty ku duhet, pra tek përgatitja e një fitoreje. Kemi pasur probleme muskulore të cilat janë normale në këtë fund sezoni për të gjithë futbollistët por ju garantoj se gjithkush nga ata që do të zbresin në fushë do të japin maksimumin e tyre për ta fituar këtë takim dhe jo vetëm. Kemi shënuar pak gola në ndeshjet e fundit, por mos u mërzisni në këtë takim do të rikuperojmë gjithçka, do të shënojmë edhe për sfidat e kaluara”, ka pohuar trajneri i Portugalisë, Karlos Keirosh në konferencën për shtyp.

Grupi 1

Ndeshjet dhe renditja
Hungari-Danimarkë        0-0
Maltë-Portugali            0-4
Shqipëri-Suedi            0-0
Suedi-Hungari            2-0
Shqipëri-Maltë            3-0
Portugali-Danimarkë        2-3
Hungari-Shqipëri            2-0
Danimarkë-Maltë            3-0
Suedi-Portugali            0-0
Maltë-Hungari            0-1
Portugali-Shqipëri        0-0
Maltë-Shqipëri            0-0
Maltë-Danimarkë            0-3
Shqipëri-Hungari            0-1
Portugali-Suedi            0-0
Hungari-Maltë            3-0
Danimarkë-Shqipëri        3-0
06.06.2009
20:00 Suedi-Danimarkë
20:45 Shqipëri-Portugali
10.06.2009
19:00 Suedi-Maltë
05.09.2009
Danimarkë-Portugali
Hungari-Suedi
09.09.2009
Hungari-Portugali
Shqipëri-Danimarkë
Maltë-Suedi
10.10.2009
Danimarkë-Suedi
Portugali-Hungari
14.10.2009
Portugali-Maltë
Suedi-Shqipëri
Danimarkë-Hungari

Ekipi    ND    F    B    H    GSH    GP    P
Danimarka     5    4    1    0    12    2    13
Hungaria    6    4    1    1    8    2    13
Portugalia    5    1    3    1    6    3    6
Suedia    4    1    3    0    2    1    6
Shqipëria    7    1    3    3    3    6    6
Malta    7    0    1    6    0    17    1

Deko: Sfidë e vështirë,
por na duhet fitorja
Në një linjë sikundër edhe Kristiano Ronaldo ka qëndruar edhe fantazisti i kësaj skuadre, Deko. Sipas tij takimi në Shqiëpri do të jetë mjaft i vështirë edhe për faktin se ata do të jenë nën presionin e një rezultati të vetëm, fitores. “Ne na duhet me patjetër fitorja ndërsa ata (kuqezinjtë) luajnë më shumë për statistikë. Ndaj presioni do të jetë më i madh ndaj nesh për më tepër kur luajmë në fushën e tyre. Barazimi që morën vitin e kaluar nuk ishte një rastësi ndaj duhet të besojmë shumë në aftësitë tona dhe të shkojmë në Shqipërië për ta fituar me patjetër këta takim”, ka pohuar në konferencën për shtyp mesfushori i Çelsit të Londrës. Fantazisti nuk luajti në ndeshjen e parë ndaj Shqipërisë në Braga më 15 tetor 2008 për shkak të një dëmtimi së bashku me mbrojtësin Rikardo Karvajo. Pikërisht për këtë gjë ai kërkon shpagim në “Qemal Stafa” në përballjen e ditës së shtunë.

Kombëtarja portugeze

Portierë: Beto (Leixões SC), Daniel Fernandes (VFL Bochum), Eduardo (SC Braga), Moreira (SL Benfica)
Mbrojtës: Bosingwa (Chelsea FC), Bruno Alves (FC Porto), Gonçalo Brandão (AC Siena), José Castro (Deportivo), Miguel (Valencia CF), Pepe (Real Madrid), Ricardo Carvalho (Chelsea FC), Rolando (FC Porto)
Mesfushorë: Deco (Chelsea FC), Duda (Málaga CF), Eliseu (Málaga CF), João Moutinho (Sporting CP), Raúl Meireles (FC Porto), Tiago (Juventus FC)
Sulmues: Boa Morte (West Ham), Cristiano Ronaldo (Manchester Utd), Edinho (AEK), Hugo Almeida (Werder Bremen), Nani (Manchester Utd), Simão Sabrosa (Atlético Madrid)
Trajner: Carlos Queiroz

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›