E Diel, 1 Nëntor 2026

PD hap fushatën, Berisha e kthen sloganin në këngë

 

ADI SHKEMBI

Partia Demokratike hap fushatën në Tiranë nën reshjet e shiut dhe ritmet e një kënge elektorale, e cila u lançua pikërisht dje. Pas disa takimesh në rrethe, forca më e madhe e maxhorancës prezantoi kandidatët për deputetë të kryeqytetit në një miting, i cili u pasua nga një koncert me këngëtarë të njohur.
Berisha
Kryeministri Sali Berisha e vlerësoi ditën e djeshme si ditën e parë të nisjes së fitores në 28 qershor. Kreu i qeverisë vendosi të dalë në skenë i pashoqëruar nga truproja që t’i mbanin çadrën, duke sfiduar shiun, i cili nuk pushoi së rëni gjatë gjithë fjalimit të tij. “Sot, ne nisim startin e madh për fitoren e dytë. Fitoren, e cila do të ketë si motër 22 marsin e vitit ’92. Fitoren, e cila do të ketë për mision ëndrrën e madhe europiane të tiranasve, të mbarë shqiptarëve. Tirana europiane do të ndërtojë Shqipërinë europiane, si të jetë Tirana, do të jetë Shqipëria”, u shpreh Berisha. Në një fjalim që nuk zgjati më shumë se 15 minuta, pikërisht për shkak të shiut, kreu i PD-së tha se katër vjet më parë qytetarët e Tiranës besuan për një Shqipëri në NATO dhe një vend që do të aplikonte për marrjen e statutit kandidat në Bashkimin Evropian. “Katër vitet që vijnë janë vitet e projektit tonë të madh, projekt me të cilin qytetarët shqiptarë, qytetarët e Tiranës, njëlloj si ata të vendeve europiane, do të kenë rrugët, autostradat, transportin e standardeve më të mira. Tirana europiane dhe Shqipëria europiane do të jetë Tirana e qytetarit dhe Shqipëria e qytetarit, me 24 orë ujë në mbarë vendin, me shkollat më të mira, me shërbimin shëndetësor dinjitoz për një qytetar evropian”, vijoi më tej kryeministri Berisha. Sipas tij, “në Tiranë dhe në mbarë Shqipërinë, në katër vitet që vijnë do të krijojmë së bashku 160 mijë vende pune të reja. Tirana do të jetë në katër vite kryeqyteti me unazën më moderne dhe më të re në Europë, i unazës së madhe dhe korridoreve të saj”.
“Shqipëria po ndryshon”
Ashtu si edhe Partia Socialiste, në hapjen e fushatës elektorale për zgjedhjet e 28 qershorit, Partia Demokratike lançoi këngën me titull “Shqipëria po ndryshon”, të kënduar nga Elita 5, Genta Ismajli, Leonora Poloska, Elvana Gjata, Soni Malaj, Çiljeta, Stine dhe Bojken Lako. Kjo këngë pritet të jetë edhe motoja gjatë gjithë pjesës së mbetur të fushatës elektorale, ndërkohë që në mitingun e djeshëm, kreu i qeverisë u ngjit në skenë në ritmet e grupit “Modern Talking”, “We can win the race” (ne mund ta fitojmë garën). Në tekstin e kësaj kënge, e cila zgjat rreth 3 minuta theksohet fakti se Shqipëria po ndryshon dhe me PD-në fitojnë të gjithë. Kjo nuk është hera e parë që Partia Demokratike bën një këngë për fushatën elektorale. Në zgjedhjet e 18 shkurtit 2007, Ermal Mamaqi këndoi këngën “Kthema qytetin tim”, e cila shoqëroi kandidatin e PD-së, Sokol Olldashi, në të gjitha takimet elektorale. Por ajo që binte në sy para nisjes së mitingut të djeshëm ishte pikërisht kolazhi me këngë të përzgjedhura për qytetarët që po mbushnin sheshin “Skënderbej”. Këngët e grupit të njohur “Scorpions”, “Final countdown” (numërimi i fundit mbrapsht) apo “Wind of change” (era e ndryshimit) megjithëse jashtë kontekstit politik ku është tani Partia Demokratike, ishin sërish të pranishme. Me gjithë këngët plot ritëm, në përfundim të fjalës së kryeministrit, të gjithë deputetët dhe ministrat nisën të largoheshin nga sheshi, pavarësisht fjalëve së kreut të PD-së së Tiranës, Aldo Bumçi se “shiu është bereqet”. Mitingu u mbyll me performancat e Elita 5, ku një prej këngëve “Shiu i Verës” përkonte edhe me kohën në kryeqytet,  Bojken Lako, Çiljeta, Soni Malaj dhe Zajmina, të cilët janë bërë tashmë të përhershëm në ceremonitë e organizuara nga e djathta.

Bumçi
“Vijmë këtu pasi ndryshuam Shqipërinë”

Kryetari i PD-së së Tiranës, Aldo Bumçi, tha dje se kjo forcë politike kërkon një mandat të dytë politik, pasi në 4 vjet ndryshoi Shqipërinë. “Ne vijmë sot këtu një ditë pas hapjes së tunelit, korridorit të shqiptarëve rrugën Durrës-Kukës-Kosovë. Vijmë sot këtu pasi ndryshuam cilësinë e jetës për të gjithë qytetarët shqiptarë, pasi rritëm pagat dhe pensionet, ndërtuam rrugë, ujësjellës dhe shkolla, hapëm vende pune. Vijmë sot këtu si forca më e madhe politike e Shqipërisë, si forca më shpresëdhënëse për të gjithë qytetarët shqiptarë”, tha Bumçi.

teksti i kenges

Shqipëria po ndryshon

1.
Eshtë një thirrje që na zgjon
Eshtë një dorë që na drejton
Eshtë një ritëm që na kërkon:
Shqipëria po ndryshon!
 
Rruga jonë s’ka kthim
preke botën i lirë
me ne të gjithë fitojnë
jehona le të vazhdoj
1-2-3- ooooeeeooo 
 
2.
Një motiv që frymëzon
Fëmijë e të rritur afron
Dashuri nga shpirti që buron
Për një Shqipëri që po ndryshon 
 
Ref . Të gjithë bashkë
 
Eshtë një rrugë që na bashkon
Eshtë një ëndërr që na fton
Eshtë e ardhmja që premton
Eshtë një komb që sot beson
Shqipëria po Ndryshon!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›