E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tekniku:Milani im, si Brazili i 82-shit

 

I emocionuar, por gati për aventurën e tij të re. Kështu është prezantuar Leonardo gjatë konferencës së tij të parë për shtyp si trajner i Milanit. “Kam një dashuri të madhe për këtë klub. Fakti që kam punuar me Ançelotin do më ndihmojë në detyrën time të re. Kjo ditë është tepër speciale për mua. Ndodhem në këtë klub që prej 12 vjetësh, e të drejtosh Milanin pas Karlo Ançelotit është diçka stimuluese. Kaka? Shpresoj të qëndrojë”. Ka thënë Leonardo, i cili më pas u është drejtuar gazetarëve të pranishëm për pyetjet e radhës. “Duam të punojmë më shumë mbi formën fizike të skuadrës se sa mbi skemat taktike. Moduli i lojës tonë do varet nga lojtarët që do kemi në dispozicion. Si për fillim mendoj të luaj me modulin 4-3-1-2. Po mendoj të krijoj një mbrojtje solide, por mbi të gjitha dua që Milani im të jetë skuadër me tipare sulmuese, e cila të kënaqë tifozët e saj me lojën e vet. Skuadra më e mirë që kam parë ndonjëherë është Brazili i 1982, edhe pse nuk e fitoi dot Botërorin. Për mua ajo skuadër është një pikë referimi, për Milanin e ardhshëm”, ka pohuar Leonardo. Më tej trajneri ka folur edhe për Ronaldinjon. “Dinjo tek Milani ka luajtur mjaft mirë për gjashtë muaj, më pas pësoi një dëmtim të vogël e aty ka kuptuar se në Itali duhet të punosh shumë për të shkëlqyer. Nuk i ka përjetuar mirë muajt e fundit, sepse ka luajtur pak, por ka një dëshirë të madhe për të shkëlqyer me fanellën kuqezi”, ka përfunduar braziliani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›