Nesër negociatat, partia e çamëve kërkon një ministri
TIRANË - Kryetari i Partisë për Drejtësi dhe Integrim, Tahir Muhedini, ka dalë në konferencë për shtyp një ditë para nisjes së negociatave për formimin e qeverisë së re. "Në marrëveshjen që do të diskutohet me Kryeministrin Berisha, PDI do të kërkojë që të bëhet pjesë e qeverisjes së vendit, si pjesë e koalicionit fitues të zgjedhjeve të 28 qershorit", tha Muredini.
Më tej ai shtoi se "ne kërkojmë të përfaqësoheni në qeveri, duke kërkuar një post ministror". I pyetur nga gazetarët se cili është dikasteri i tyre i preferuar, shtoi se "kjo do të jetë pjesë e negociatave".
Partia për Drejtësi dhe Integrim, e cila mbron të drejtat e komunitetit çam në Shqipëri ka bërë një marrëveshje parazgjedhore me Partinë Demokratike, duke u bërë pjesë e koalicionit "Aleanca për Ndryshim", në zgjedhjet e 28 qershorit, nga rezultati i të cilave, PDI do të përfaqësohet në Kuvendin e Shqipërisë me një mandat deputeti. Në këtë koalicion është edhe Partia Republikane, e cila gjithashtu ka marrë vetëm një mandat deputeti dhe kërkon përfaqësim në qeveri.
Negociatat për formimin e qeverisë së re nisin nesër, me 2 gusht. Këtë e ka deklaruar Kryeministri Sali Berisha një ditë më parë, i cili shtoi se nuk do të ndryshojë numri i ministrive tashmë që koalicioni është zgjeruar. LSI, PDI dhe PR presin për poste ministrore.