Nesër, provimi i matematikës, gati testet për maturantët
Agjencia e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve ka përfunduar hartimin e shtatë testeve për provimin e matematikës dhe ka nisur përgatitjet për shpërndarjen e tyre. Sot, gjatë orëve të mbrëmjes, do të nisë brenda mjediseve të AVA-së, procesi i shumëfishimit të testeve, që pritet të përfundojë gjatë orëve të para të së enjtes. Ndërkohë, në orët e para të mëngjesit do të nisë edhe shpërndarja e testeve duke nisur nga rrethet më të largëta të vendit, në mënyrë që çdo gjë të jetë gati në orën 9, për zhvillimin e provimit.
Në të njëjtën kohë, ka nisur edhe hartimi i testit për gjuhën dhe letërsinë për Provimet e Lirimit të shkollave nëntëvjeçare, të cilat këtë vit për herë të parë do të kenë të njëjtin format me Maturën Shtetërore. Provimi i parë për këto shkolla është në datën 13, për t`u pasuar më pas nga provimi i matematikës. Në të njëjtën mënyrë si me Maturën Shtetërore, do të kryhet edhe hartimi i testeve të Provimeve të Lirimit.
Testet
Në provimet e matematikës do të jenë në total 7 teste të ndryshme të përgatitura nga Agjencia e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve, në bazë të profileve të ndryshme shkollore. Në ndryshim nga testi i letërsisë, kësaj here shkollat e mesme të përgjithshme, profili i përgjithshëm, nuk do të kenë të njëjtin test me profilin shoqëror, por me atë natyror.
Profilet e tjera që do të kenë teste të ndryshme, janë: shkollat e gjuhëve të huaja; shkollat tekniko-profesionale; seksionet dygjuhëshe të shkollave të mesme; shkollat artistike, koreografike dhe sportive; si edhe shkollat e mesme pedagogjike. Nga ana tjetër në testin e gjuhë-letërsisë për Provimet e Lirimit do të ketë vetëm një test të unifikuar për të gjitha shkollat nëntëvjeçare.
Provimi
Gjatë provimit, maturantët duhet të kenë parasysh të drejtat që kanë. Kështu, nëse dikush vëren ndonjë shkelje të rregullores së provimit nga ana e nxënësve të tjerë, ai ka të drejtë të raportojë për parregullsi tek administratori i provimit ose përfaqësuesi i drejtorisë apo zyrës arsimore rajonale.
“Nxënësit maturantë të verbër, pasi u jepet broshura e testit, të veçohen në një mjedis të përshtatshëm. PAP cakton një person për leximin e pyetjeve të testit dhe për plotësimin e përgjigjeve, që jep me gojë nxënësi, në fletën e testit. Në këto raste të mundësohet regjistrimi i përgjigjeve”, – përcakton rregullorja.
Ndërkohë, të gjithë ata maturantë që dorëzojnë testin e provimit përpara kohës së përcaktuar, nuk duhet të dalin nga mjedisi ku zhvillohet provimi para dy orësh nga fillimi i tij, por të grumbullohen në një sallë, të përcaktuar që më parë. Nëse testi që i jepet nxënësit, është i dëmtuar ose me faqe të bardha, ai ka të drejtë të kërkojë menjëherë ndërrimin e testit.