E Diel, 1 Nëntor 2026

“Xhevahiri i Medinës”, skandali i heshtur në Prishtinë



Tre vetë me mjekër dhe pantallona të shkurtër janë ndalur në stendën e panairit të librit në Prishtinë, që u mbyll të dielën, duke kërcënuar botuesin për ta hequr librin nga shitja. Nuk është aspak pjesë e ndonjë trillimi letrar, por një realitet që ka kaluar në heshtje, pa u konsideruar incident i bujshëm, në panairin e librit në Prishtinë.

Romani “Xhevahiri i Medinës”, me autor Sherry Jones, njoftohet nga mediat kosovare, gazeta “Expres”, ka “provokuar” tre njerëz që mendohet të ishin të besimit mysliman duke kërcënuar botuesit e librit për ta hequr nga stenda.

Pas këtij kërcënimi botuesi e kishte hequr nga stenda e vet këtë libër. Ky “nënshtrim” dhe kalimi në heshtje është argumentuar nga mediat kosovare se është bërë për shkak se botuesi ka qenë bashkë me familjarët e tij në stendë, dhe ka pasur frikë se mos u ndodhte ndonjë gjë e keqe atyre. Libri paraqet jetën e gruas më të re të Muhamedit, Aishës, të cilën, sipas autores së librit, Sherry Jones, Muhamedi e kishte dashur më së shumti dhe kishte ndërruar jetë në prehrin e saj.

Organizatorët e panairit, thuhet, se janë vënë në dijeni nga ky rast dhe gjithçka që kanë marrë vesh është se kërcënuesit kanë qenë nga Tetova. Po ashtu, sipas organizatorëve të panairit të Prishtinës, një tjetër fakt shqetësues është bërë dhe prania e madhe e botuesve të librave fetarë, të cilët pothuajse çdo vit e zënë hapësirën më të madhe të sallës ku mbahet panairi.

Por, sipas koordinatorit të panairit të Prishtinës, Behxhet Bici, romani “Xhevahiri i Medinës” për paradoks ka rezultuar libri më i shitur këtë edicion. Ndërsa vetë panairi, pavarësisht kushteve ku është mbajtur, është konsideruar si më i suksesshmi në të gjitha vitet, sa i takon shitjeve të librit, pra interesit të lexuesve.

“Panairi mund të quhet i suksesshëm për shumë arsye. Numri i pjesëmarrësve ka qenë më i madh se vitet e tjera. Pastaj, duke marrë parasysh faktin se panairi është mbajtur në fillim të muajit, kjo ka ndikuar që numri i vizitorëve të jetë jashtëzakonisht i madh”, - u shpreh Behxhet Bici, koordinator i panairit të librit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›