E Shtunë, 31 Tetor 2026

Neser vendoset Rama Perserisni zgjedhjet ne Tirane

Një ditë përpara vendimit të Kolegjit, nëse Tirana do të shkojë sërish në zgjedhje apo jo, kryetari i opozitës i bën apel trupës gjykuese. “Opozita dhe shqiptarët presin drejtësi”- tha kryetari i opozitës, për të cilin ka qenë vetë Kolegji në vendimin e tij të dytë që i kërkoi KQZ-së të rakordojë shifrat mes votuesve dhe votave, gjë që ky institucion nuk e bëri.

“Vetë Kolegji, jo ai i pari i turpit të ligjërimit të veprimtarisë antikushtetuese të KQZ-së, po ai i dyti, edhe pse i trembur nën një presion të madh kërcënimesh e badigardësh të ngjitur këmba-këmbës nga Saliu pas çdo gjykatësi e gjykatëseje, kërkoi, sidoqoftë, përputhjen e tabelave të rezultateve me vullnetet e zgjedhësve”-tha Rama.

Rama tha se Kolegji duhet t’i përmbahet edhe precedentëve të mëparshëm.

“Të respektojnë në fund të fundit vetë precedentët e paravendosur prej atyre vetë, në po këto zgjedhje, për të njëjtin rast papërputhshmërie, në disa njësi vendore, ku të pestë gjykatësit e nesërm kanë vendosur pavlefshmërinë, duke detyruar përsëritjen e zgjedhjeve, dhe të mos hyjnë në histori për një vetëmohim në paligjshmëri”-theksoi ai.

Më shumë sesa për emrin e kryetarit të bashkisë Tiranë, Rama i kërkoi Kolegjit ripërsëritje të zgjedhjeve, duke shprehur se opozita është gati të ripërballet në një tjetër garë.

“Për të mundësuar daljen nga kriza e zgjatur prej dy vjetësh dhe e rënduar edhe më shumë nga kriza e zgjedhjeve në Tiranë, ne jemi gati të rikthehemi para popullit sovran të Tiranës për një rigjykim përmes votës. Urojmë që nesër të jetë një ditë e mirë për lirinë dhe drejtësinë në Shqipëri”-u shpreh më tej Rama.

Rovena Moçka

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›