Netanjahu: Jam gati për kompromise të dhimbshme, nëse na njohin si shtet hebre
Kryeministri izraelit, Beniamin Netanjahu, duke folur përpara Kongresit amerikan, ka treguar vizionin e tij për paqen në Lindjen e Mesme, për të cilin ai tha se do të përfshinte një kompromis afatgjatë të paspecifikuar nga Izraeli, nëse palestinezët e pranojnë vendin e tij si një shtet hebre. Netanjahu e përsëriti këmbënguljen e tij se Izraeli nuk do të pranojë rikthimin në kufijtë e pambrojtshëm që ekzistonin përpara luftës izraelo-arabe të vitit 1967 dhe përjashtoi mundësitë për të lejuar refugjatë palestinezë që të rikthehen në Izrael apo të heqë dorë nga ndonjë pjesë e Jerusalemit. Ai u zotua se Izraeli nuk do të negociojë me një qeveri palestineze që përfshin grupin militant islamik Hamas, i cili kontrollon Rripin e Gazës dhe së fundmi është pajtuar me administratën e drejtuar nga Fatah. Por, duke deklaruar se Izraeli duhet të gjejë një rrugë për të arritur një paqe afatgjatë me palestinezët, Netanjahu tha se Unë kam vullnetin për të marrë vendime të dhimbshme për ta arritur paqen historike. Ai tha se për të arritur paqen, ne duhet të heqim dorë nga disa pjesë të tokës së stërgjyshërve hebrenj. Ai i kërkoi Presidentit palestinez, Mahmud Abas të dalë përpara popullit të tij dhe të thotë se e pranon shtetin hebre, pikërisht siç ai vetë ka thënë se do të pranonte një shtet palestinez. Zëdhënësi i Abasit tha se fjalimi nuk solli asgjë të re, por ishte thjesht një mesazh dedikuar Presidentit Obama, duke refuzuar të gjitha idetë e tij për paqen mes dy vendeve.