E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjendet një fletë jashtë kutisë, KQZ numëron votat në Fier

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi dje të hapë kutitë e votimit në dy qendra votimi në komunën Zharrëz të Fierit. Ky vendim i KQZ-së erdhi pas kërkesës ankimore të paraqitur nga Partia Socialiste, e cila kundërshtonte tabelën përmbledhëse të rezultateve që nxjerr fitues kandidatin e Partisë Demokratike. Sipas përfaqësuesve të PS-së, në numërimin e një qendre votimi në këtë komunë u gjet një fletë votimi e kutisë së këshillit dhe që u fut në zarfin e fletëve të votimit të kandidatit të PD-së. Megjithatë, në procesverbalin e konstatimit ky fakt nuk ishte shënuar. Në këtë komunë, kandidati i PD-së, Taulant Gërxenaj, ka fituar me 1 votë më shumë se kandidati i PS-së, Arben Semanjaku. Sipas përfaqësuesve të PS-së, një fletë votimi e kandidatit socialist është hedhur gabimisht në kutinë e këshillit të komunës. Pas këtij pretendimi, KQZ-ja vendosi të hapë kutitë e votimit për të verifikuar pretendimet. Gjatë mbledhjes së djeshme, u rrëzuan dy kërkesa të PD-së për komunën Velipojë dhe Sllovë. Gjatë paradites, anëtari i KQZ-së, Artan Lazaj, debatoi me përfaqësuesin e PD-së, Njazi Kosovrasti, për ndërhyrjet gjatë mbledhjes. Nëse do të respektohej procedura këtu, ta tregoj unë ty se si do kërceje ti këtu, por procedura nuk zbatohet, u shpreh Lazaj. I menjëhershëm ishte edhe reagimi i Kosovrastit, i cili u shpreh se Lazaj e tregoi rolin e boksierit para disa ditësh. Më vjen keq që Partia Socialiste ka kaq njerëz të rëndësishëm dhe vendos këtu një boksier. Në mbledhjen e sotme të KQZ-së, mes disa kërkesash është edhe ajo e PS-së për të shpallur zgjedhjet e pavlefshme në Lezhë. Në këtë zonë zgjedhore, në listën e zgjedhësve, vetëm në muajin e fundit janë shtuar 225 zgjedhës, të cilët kanë votuar për zgjedhjet vendore të datës 8 maj 2011. Këta zgjedhës nuk banojnë në këtë njësi zgjedhore dhe, si të tillë, në bazë të ligjit nuk kanë të drejtë të jenë në listën e kësaj njësie. Gjithashtu, në lista figurojnë të regjistruar edhe 663 zgjedhës të dubluar. Në dy raste janë kapur fletë votimi të nxjerra jashtë qendrës së votimit, të cilat kanë qarkulluar gjatë gjithë ditës dhe kanë cenuar procesin zgjedhor, thuhet në kërkesën ankimore të PS-së.

Korrigjohen rezultatet e Këshillit, përfitojnë PD e PS

KQZ-ja ndryshon tabelat e votave për Këshillin Bashkiak të Tiranës. Vendimi erdhi pas mospërputhjes së votave mes tabelave elektronike dhe rezultateve të ardhura nga grupet e numërimit. Më të fituarat pas këtij vendimi janë Partia Demokratike dhe Partia Socialiste. Në KZAZ-në 47, në qendrën e votimit 1751, për shkak të inicialeve të njëjta, 170 vota të PD-së i kishin kaluar PDRE-së. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në KZAZ-në 52 me Partinë Socialiste. Në qendrën e votimit 1934 PS-ja ka marrë 152 vota më shumë, të cilat gabimisht i kishin kaluar Partisë Socialdemokrate, për shkak të inicialeve të saj, PSD. Tabela e rezultatit të grupeve të numërimit për qendrat e votimit dhe tabela përmbledhëse e rezultatit për zgjedhjet për KZAZ-të respektive, të ndryshojë me vendim në varësi të konkluzioneve nga këqyrja dhe vlerësimi i këtyre fletëve të votimit, thuhet në relacionin e vendimit të miratuar nga KQZ-ja.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›