E Shtunë, 31 Tetor 2026

Netanyahu akuzon Iranin

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, akuzoi Iranin për sulmet me bomba që vunë në shënjestër personelin e ambasadave izraelite ne Indi dhe Gjeorgji.

Shpërthimi në Delhi plagosi 4 persona. Siç raportoi televizioni lokal, një motoçiklist vendosi një bombë në makinën e ambasadës, kur ndaloi në trafik.

Ndërsa në Tbilisi, bomba u gjet poshtë makinës së një diplomati dhe u çaktivizua, përpara se të shpërthente. Gjatë një takimi me deputetet e partisë së tij Likud, Netanyahu tha se përveç Iranit, në këto përpjekje është përfshirë edhe lëvizja islamike, “Hezbollah”.

“Elementët pas këtyre sulmeve janë Irani dhe Hezbollahu. Ne dëshmuam dy përpjekje për sulme, në shënjestër të të cilave ishin civilë të pafajshëm. Irani, që qëndron pas këtyre sulmeve është eksportuesi më i madh i terrorit në botë”, u shpreh Netanyahu.

Në anën tjetër, ministri i Brendshëm i Indisë, P Chidambaram, ka deklaruar se një person shumë i stërvitur kreu sulmin e së hënës, ku mbeti i plagosur një diplomat izraelit në kryeqytetin New Delhi.

“Hetimet janë në zhvillim. Ne besojmë se ka qenë një person shumë i stërvitur që ka kryer sulmin dhe se objektiv i tij ishte bashkëshortja e diplomatit izraelit. Ne besojmë se ishte një sulm terrorist”, deklaroi ministri.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›