Netanyahu premton reforma
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka premtuar se do ta trajtojë çështjen e krizës së shtëpive në vendin e tij, pas një demonstrate të mijëra izraelitëve të shtunën në Tel Aviv.
Protestat e filluara prej disa personave, që vendosen tenda në Tel Aviv, janë kthyer tani në një lëvizje në mbarë vendin.
Netanyahu premtoi reforma gjithëpërfshirëse, pasi rreth 15,000 njerëz demonstruan të shtunën kundër kostos në rritje të çmimit të shtëpive.
Ai thotë se Izraeli po kalon një krizë shtëpish, që ka nxitur reagimin e publikut. Kjo krizë është e vërtetë, thotë ai.
Protesta ishte paqësore megjithëse policia tha se disa dhjetëra demonstrues u arrestuan për bllokimin e rrugëve.
Protestuesit mbanin parulla që kërkonin drejtësi sociale.
Disa bënë thirrje për dorëheqjen e qeverisë.
Qiratë thuajse janë dyfishuar gjatë pak viteve të fundit dhe studentë, si Moshe Batito, thonë se ata nuk mund ta përballojnë më të jetojnë pranë vendeve ku studiojnë dhe punojnë.
"Studentët duhet të paguajnë shumë para dhe ne nuk e përballojmë dot. Ne jemi me bursa, kemi gjithçka dhe përsëri vuajmë", tha ai.
Protesta filloi një javë më parë, kur disa të rinj ngritën kampe dhe tenda në të gjithë qytetin. Që atëherë mbështetja për të është rritur nga disa shtresa të shoqërisë, përfshi klasën e mesme dhe të moshuarit.