E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nevil Dede: Tirana nga koha e Seferit dhe përçarja e donatorëve

TIRANE - Një si ai i ka provuar të gjitha: të jetë lider, kapiten, hero dhe më pas i urryer. Fundja, karriera e një futbollisti është e tillë. Nevil Dede mbetet ende një nga mbrojtësit më të mirë të qendrës që ka nxjerrë Shqipëria në dy dekadat e fundit, një nga ata që kanë bërë historinë te Tirana, por që ka arritur të bëhet idhull në një kohë të shkurtër edhe në qytete si Elbasani. Sot, ai është teknik i Luftëtarit dhe shihet nga të gjithë si një nga më premtuesit në pankinat shqiptare. Karriera e ish-lojtarit të kombëtares ka njohur kthesa të shumta, siç ishte lënia jashtë nga Brigel për një periudhë të gjatë, por edhe disa përplasje për shiritin e kapitenit në kohën e rikthimit të tij nga Elbasani te Tirana. “Por, unë nuk kisha probleme, madje ma kishin dhënë atë shirit para ndeshjeve dhe nuk e kisha pranuar”, thotë Nevil Dede në një rrëfim ekskluziv për “Gazeta Shqiptare”. Dede tregon edhe si evoluoi Tirana nga koha që president i saj u bë Metush Seferi e më pas Lutfi Nuri, El Sajed dhe 4 donatorët shqiptarë. Një epokë e mbushur me suksese, lavdi, polemika, pse jo edhe shuma të mëdha financiare. Ishte koha kur në Shqipëri nisën ndryshimet e mëdha të futbollit, kur njerëz të apasionuar të këtij sporti nisën të derdhnin shuma të mëdha parash pa marrë kurrsesi ndonjë përfitim të madh. “Të gjithë ata që investojnë për këtë sport meritojnë një respekt të jashtëzakonshëm”, thotë Nevili, që tregon edhe se si u rritën përfitimet e lojtarëve të Tiranës në periudha të ndryshme.
Nevil, si ishte fillimi i karrierës suaj në futboll dhe kush ishte trajneri i parë?
Unë isha rreth 11 vjeç kur kam nisur të luaj bashkë me disa shokë të mi të klasës. Shkonim aty te “Harri Fulz”, ishte një fushë ku stërviteshin dy ekipe zinxhir të Tiranës dhe unë u regjistrova në njërin prej tyre. Por, për shkak se ajo skuadër u shkri, kalova te tjetra dhe kisha trajner Ilir Muçën, një njeri që më shoqëroi në të gjithë hapat e para dhe ka luajtur një rol të madh në karrierën time.
Si erdhi ngjitja në karrierën tuaj?
Te para të rinjtë unë kam patur për trajner Millan Baçin, ndërsa tek të rinjtë ishte Sulejman Mema. Por, në ekipin e parë më mori Enver Shehu. Isha vetëm 17 vjeç, nuk kisha mbushur as 18 dhe bëhesha pjesë e një klubi historik. Ishte diku te viti 1992. Profesor Enveri më dha dorën dhe mua sot më thonë se i ngjaj atij, pasi u jap shumë shansin të rinjve, i përkrah në fillimet e karrierës. Ndoshta i ngjaj vërtet në këtë aspekt.
Përse zgjodhët rolin e mbrojtësit?
Në fakt, e kanë zgjedhur trajnerët, sepse unë në fillimet e mia kam luajtur në sulm. Kur shkova në ekip, mbase për shkak edhe të faktit se në atë pozicion kishte vend bosh, më vendosën mbrojtës. Ndoshta ka ndikuar edhe grinta apo karakteri.
Na tregoni pak fillimet në një klub si Tirana...?
Në atë kohë futbolli jetonte me disa pagesa që nuk mjaftonin as për mbijetesë, por trajtimi ushqimor mua më ndihmonte, sepse isha në gjimnaz. Për fatin e keq të tij dhe për fatin tim të mirë, te Tirana u dëmtua Fatos Daja dhe unë zura vendin e tij në formacion, për të mos e lëshuar më kurrë pastaj.
Tirana dalëngadalë u bë një klub shumë i fuqishëm, sipas jush, kush ishte ai që ndikoi në këtë fuqizim, sidomos ekonomik?
Që në sezonin 1994-1995 tek ne erdhi Metush Seferi, një njeri që investoi shuma të mëdha financiare dhe Tirana u bë shumë konkurruese. U shpallëm dy herë kampionë, fituam edhe Kupën. Më pas erdhi viti 1997 dhe në skuadër erdhi një sponsor, që më pas u bë edhe president, Lutfi Nuri. Ishte një njeri që e donte shumë Tiranën, ashtu si edhe Metush Seferi. Dolëm kampionë dhe fituam Kupën, ishte një vit i artë.
Ndërkohë, një periudhë e paharrueshme ka qenë edhe ajo e El Sajedit apo jo?
Pas largimit të Lut Nurit, erdhi El Sajed, që gjithashtu investoi shumë. Por, ai pati edhe fatin që 80 % e ekipit kishte kohë që luante bashkë dhe futbollistët tashmë ishin pjekur. Ishim vërtet një brez i artë që fituam gjithçka dhe nuk kishim çfarë të bënim, përveçse të përsërisnim veten. U rritën gjithashtu edhe pagesat dhe kjo na motivonte më shumë, sepse kur rezultatet sportive shoqërohen edhe me pagesa të mira, kënaqësia është e dyfishtë. El Sajed, ashtu si dy presidentët e mëparshëm, e donte Tiranën dhe investoi shuma kolosale. Këtu dua të them se të gjithë ata presidentë dhe ata njerëz që investojnë për futbollin, meritojnë një respekt të veçantë, pasi nuk marrin ndonjë përfitim të madh mbrapa.
Me El Sajedin te Tirana u bëtë edhe një grup futbollistësh të mëdhenj, u rikthye Fortuzi, u mor Devi Muka. Ka qenë shumë i përfolur edhe debati për shiritin e kapitenit, çfarë ndodhte realisht brenda ekipit?
Ne në skuadër kemi pasur shumë harmoni, pasi një pjesë e madhe e futbollistëve ishin rritur bashkë. Mos harroni se ne kishim dalë kampionë edhe përpara se të vinte Fortuzi dhe Devi, por atëherë skuadra u rrit shumë. Madje, kujtoj që mund të kishim bërë edhe një bum të madh në Evropë, duke kaluar turin e dytë me Ferencvaroshin dhe mund të them se do të kishim shkuar në fazën në grupe të Champions League. Është një nga pengjet në karrierë, sepse ishim shumë pranë diçkaje vërtet historike.
Por, ndërkohë erdhën edhe 4 donatorët, çfarë ndryshoi në ato momente?
Ndryshuan shumë gjëra. Donatorët prishën ekipin për të ndërtuar një tjetër më të fortë, por them se vepruan gabim, pasi ikën disa lojtarë. Ika unë, Fortuzi...Ndoshta s’kishin qëllime të këqija, por nuk është e lehtë të ndërtosh një skuadër, kur ajo ishte e ndërtuar dhe kishte fituar gjithçka.
Mund të na zbuloni cili ishte shkaku i vërtetë i atij transferimi në Elbasan, çfarë ndodhi në klub?
Në fakt, nuk ndodhi asgjë. Unë shihja që ndoshta s’më pëlqenin shumë, e ndjeja diçka të tillë më saktë. Nuk kishte diçka konkrete në këtë mes, pastaj ndoshta se ishte momenti për një aventurë tjetër.
Në Elbasan gjithsesi u bëtë një idhull, si i kujtoni ato 2 vite?
Them se ishin dy vite shumë të mira, u krijua një marrëdhënie e veçantë respekti e dashurie mes meje dhe tifozërisë së atij qyteti. Nuk kam për ta harruar kurrë ditën që u shpalla kampion me Elbasanin, mbaj mend që në rrugë kishte dalë i gjithë qyteti dhe ne parakalonim me autobus të hapur. Kishin dalë edhe pleqtë e plakat, ishte një gjë e paparë. Është e pamendueshme se ç’ka bërë futbolli për atë qytet. Ishte një skuadër e mirë që i mori titullin një Tirane shumë të madhe dhe shumë të fortë financiarisht.
Ajo periudhë përkoi edhe me njëfarë shkëputjeje nga ekipi kombëtar, gjë për të cilën keni shprehur edhe pakënaqësi në atë kohë. Na thoni të vërtetën, përse nuk ju thërriste Brigel?
Shikoni, unë pata një shkëputje, u dëmtova dhe Brigel më pas e stabilizoi formacionin. Pastaj, janë këto fiksimet e trajnerëve, që një skuadër që është e suksesshme të mos e ndërrosh dhe kështu që mbeta jashtë. Pishman për këtë jam vetëm me veten time, pasi do të kisha bërë një numër më të madh ndeshjesh në ekipin kombëtar. Ishte një periudhë ndryshimesh edhe në përfaqësuese dhe them se për këtë pati meritë edhe presidenti Duka e Komiteti i FSHF-së. Arritën të merrnin investime, të rregullonin stadiumet e të bënin fushat, gjë që ndikoi edhe në futboll.
Pas Elbasanit u riktheve te Tirana, por shumë gjëra kishin ndryshuar. Çfarë ambienti gjete në kryeqytet pas 2 vjetësh shkëputje?
Në fakt, kur u riktheva gjeta një ekip që kishte pësuar një “shock” të madh psikologjik, pasi u kishte marrë titullin Elbasani. Megjithatë, Tirana në atë kohë ishte shumë e fortë financiarisht, ndërsa u dobësua dhe Elbasani. Kështu që Tirana mori menjëherë titullin. Veçse, kur u riktheva pashë që kishin filluar çarjet mes donatorëve. Problemet që ekzistonin mes tyre, mes drejtuesve, shpesh përçoheshin e pasqyroheshin edhe te ne futbollistët më poshtë. Pas atij viti, mos harroni se Tirana ka marrë vetëm një titull në vitin 2009 me Refik Halilin, një president që duhet vlerësuar në maksimum për atë që ka bërë për Tiranën. Që atëherë, gjërat nuk kanë shkuar aq mirë në atë klub.
Pas rikthimit nga Elbasani është folur shumë për një përplasje mes jush dhe Devi Mukës për shiritin e kapitenit. Cila ishte e vërteta e këtij debati?
Shikoni, Tirana ka patur gjithnjë një traditë që shiritin e mbante futbollisti me më shumë ndeshje, lideri apo gjëra të tilla. Pasi iku Fortuzi, shiritin e mori Devi dhe nuk është se unë kisha ndonjë problem të madh. Unë kam qenë me parimin që një shirit nuk ta jep karakterin e liderit, atë ta jep fusha, kështu që nuk e kërkova. Ka patur edhe momente kur para ndeshjes më kanë thënë merr shiritin se je kapiten dhe unë e kam refuzuar. Pra, pavarësisht se çfarë flitej, gjërat ishin më të thjeshta.
Me rikthimin te Tirana rifitove edhe vendin në kombëtare, Bariç ju admironte tej mase...
Është e vërtetë, por mos harroni që në miqësoren e parë në San Marino, unë nuk figuroja as në listë. Bariç më thirri pasi më pa në një ndeshje kampionati dhe më tha “si ka mundësi që ti nuk je këtu”. Por, arsyet ishin të shumta, sepse edhe federata është e madhe, nuk është vetëm Duka. Ndoshta dikush atje nuk fliste mirë për mua dhe kjo ndikonte që të qëndroja jashtë.
Një aventurë paksa e çuditshme ka qenë edhe largimi juaj në Kinë, si ishte ajo eksperiencë?
Mund ta quaj shumë pozitive, sidomos sa i përket vlerave financiare. Madje ishin paratë që më çuan atje. Ndoshta do të kisha bërë mirë të kisha qëndruar edhe një vit apo dy, por nuk po arrija të merrja dot familjen time dhe u riktheva. Kisha dy fëmijë të vegjël dhe kjo më kushtëzonte shumë. Kur u riktheva këtu u dëmtova dhe humba karrierën, kështu që them se ai rikthim në Shqipëri përfundimisht ishte një gabim.
Si ishte futbolli në Kinë?
Mund të them se ishte gjithçka perfekte sa i përket organizimit. Ishin klube të mirorganizuara, madje as në Evropë nuk ka kushte të atilla. Në aspektin e drejtimit, menaxheri, apo më saktë njeriu që merrte vesh nga futbolli, dëgjohej më shumë sesa presidenti. Kjo ishte diçka shumë pozitive, e ngjashme me atë që ndodh në klube për shembull si Bajern Mynih, ku është Uli Hënes. Kina ishte një vend me disnivel të madh mes të varfërve e të pasurve, kështu që klubet gëzonin një status tjetër.
Kishte interesim nga njerëzit për futbollin apo ishte i dorës së dytë?
Normalisht ne futbollistëve na respektonin shumë, na kërkonin fanella, autografe. Por, në Kinë them se kishte një numër të vogël tifozësh në përpjesëtim me numrin e popullsisë. Shumë njerëz e kishin humbur besimin te ky sport, për shkak edhe të basteve që ekzistonin në vende të tilla apo skandaleve të shumta.
Në atë kohë, erdhi edhe shkëputja nga kombëtarja. Ari Han nuk ju thirri më, përse ndodhi diçka e tillë?
Unë në atë kohë pata edhe një bisedë me presidentin Duka dhe mendoj që kryesorja ishte fakti që unë isha larg. Plus, që duke parë moshën time 33 vjeç, ndoshta Ari Han nuk donte të investonte tek mua dhe them se ka bërë mirë. Gjithsesi, të jem i sinqertë atëherë e mendoja ndryshe, mendoja se ai bënte gabim, por sot arrij ta kuptoj.
Për shumë futbollistë, mbyllja e karrierës është një moment shumë i vështirë, si ishte për Nevil Deden varja e këpucëve në gozhdë?
Në atë kohë, një mikut tim i thashë që “nuk po e lë unë futbollin, por po më lë futbolli mua”. Unë pësova një dëmtim shumë të rëndë dhe nuk mund ta përballoja më një sport të tillë, kështu që ishte një largim i detyruar.
Menjëherë më pas trajner, çfarë është ky profesion për Deden?
Kam dëgjuar shumë trajnerë të flasin për këtë profesion. Por, unë do të thosha se eksperienca e madhe që kam patur si futbollist e sidomos fakti që kam punuar me shumë trajnerë të mëdhenj, më ka ndihmuar shumë. Normalisht, është një punë shumë e vështirë. Në botë mendoj se punët më të vështira janë ato kur merresh me njerëzit. Çdo ditë të duhet të dëgjosh hallet e lojtarëve, të mendosh për objektivat, të marrësh kontaktet me drejtuesit, të mendosh për blerjet e largimet. Për mendimin tim, trajneri është përgjegjës për gjithçka në një klub. Unë kam mendimin tim, që trajner bëhesh pas 200 apo 300 ndeshjesh.
Si ka qenë kjo periudhë për Deden?
Në fakt, unë kam patur pak eksperiencë si ndihmës i Shkëlqim Muçës në Korçë, por më pas, periudha që drejtova Laçin dhe Tiranën, më ka vlejtur shumë. Jam shumë kërkues dhe dua të lë shenjë pozitive kudo ku shkoj, sidomos në aspektin njerëzor. Veçse, më duhet të pranoj gjithçka: janë futbollistët ata që e bëjnë një trajner të suksesshëm. Unë si trajner gjatë lojës kam në dorë vetëm 3 ndërrime, ndërsa kur fillon ndeshja, varesh vetëm prej tyre.
Diçka të fundit, cili është objektivi i Luftëtarit këtë sezon?
Shikoni, unë u kam thënë edhe drejtuesve, që ne duhet të jemi me këmbë në tonë. Duhet të fitojmë ndeshjen e radhës, ky duhet të jetë objektivi ynë.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›