E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nevil Dede, “Topi i Artë” i Superligës për 2006-ën

Nga Altin Manallari

Edhe Shqipëria tashmë e ka një "Top të Artë". Ai është Nevil Dede, mbrojtësi i Tiranës dhe i skuadrës sonë Kombëtare. Një gjë e tillë është bërë e njohur pikërisht në mbrëmjen "Gala" të Federatës Shqiptarë të Futbollit të zhvilluar pasditen e djeshme në ambientet e hotel "Rognerit". "Topi i Artë" shqiptar Përkufizimi "Topi i Artë" është një nga termat më të përmendura në javët e fundit të median e shkruar dhe vizive në lidhje me sportin e futbollit. Vetëm pak kohë më parë, revista prestigjioze sportive "France Football" zhvilloi anketën e shpallje së lojtarit të më mirë të Europës në bazë të votave të gazetarëve sportive. Trofeu që do të jepej, i përkufizuar "Topi i Artë", shkoi për mbrojtësin italian Fabio Kanavaro. Pikërisht nga kjo anketë është "vjedhur" tashmë në shqip edhe emërtimi i trofeut që do të merrte lojtari më i mirë i kampionati shqiptar të futbollit për vitin kalendarik 2006. Por me një ndryshim të vogël. Nëse për "France Football" votuan gazetarët, për përzgjedhjen e më të mirit të kategorisë Superiore ishin trajnerët ata që votuan. Por ama ky ishte një nga ndryshimet e pakta të dukshme. Kjo pasi ngjashmëritë me anketën ndërkombëtare ishin të shumta. Duke filluar që nga trofeu, i cili ishte thuajse 100% ai i dhënë nga revista sportive franceze: një top i ngjyrosur me ngjyrën e arit dhe një fron i imituar jo si duhet nga ai i anketës ndërkombëtare. Por ka pasur ngjashmëri edhe në përzgjedhjen përfundimtare. Si nga "France Football", ashtu edhe nga anketa e FSHF-së, fituesi ka qenë një mbrojtës. Procedura e përzgjedhjes Duke u rikthyer te anketa shqiptare e "Topit të Artë", gjithcka është zhvilluar në pak kohë, në vazhdimësinë e festës së FSHF-së për fundvitin. Në listë ishin përshirë futbollistët më të mirë të kampionatit shqiptar, ku figuronin Duro, Dede, Muka, Sinani, Salihi, Kotorri e të tjerë. Ndërkohë që vlerësimin duhet ta bënin trajnerët e skuadrave të Superligës, të cilët mendohej të ishin të pranishëm. Por nga 12 trajnerët që drejtojnë në elitën e futbollit shqiptar, në festë ishin të pranishëm vetëm 10. Ata që nuk e kishin begenisur mbrëmjen "Gala" ët FSHF-së ishin pikërisht, trajneri i Partizanin Hasan Lika dhe ai i Dinamos, Redi Jupi. Ndërkohë që e vecanta e votimit ishte se, në rolin e trajnerit të Elbasanit do të votonte sekretari i klubit Artim Kovaci, pasi vetëm mëngjesin e sotëm trajneri Luan Deliu ishte shkarkuar. Gjithsesi votimi nisi, ndërkohë që nga fundi i festës u bënë publike rezultatet. Sic ndodh zakonisht në votime, u desh edhe një raund tjetër, pasi pas votimit tjetër pati balotazh mes katër futbollistëve që kishin grumbulluar nga dy vota: Dede, Salihi, Muka e Kotorri. Nevil Dede, më i miri Pas Raundit të dytë, ku 10 trajnerët u desh të votonin sërish, për këtë herë vetëm për katër lojtarët në balotazh, Dede u shpall lojtari më i mirë i vitit në Shqipëri. Një vendimi i merituar për mbrojtësin e Tiranës, i cili ka zhvilluar vërtet një sezon të mrekullueshëm në kampionatin tonë. Duke luajtur në radhët e skuadrës së Elbasanit, Dede ishte protagonist i fitimit të titullit kampion i vendit për sezonin 2005-2006. Ndërkohë që ne merkaton e verës, ai u rikthye sërish te Tirana. Bardheblutë, edhe falë kontributit të mbrojtësit si në lojë ashtu edhe në gola, tashmë janë shpallur "kampionë të dimrit", duke pozicionuar të parët në tabelën e klasifikimi, tashmë me etiketën mbi shpinë "favoriti kryesor për titullin kampion". Menjëherë pas marrjes së cmimit Dede ka falenderuar ata që e votuan, por falenderimi më i madh shkoi për shokët e skuadrave si te Elbasani ashtu edhe te Tirana, të cilët, sipas tij kanë padyshim meritë në fitimin e këtij trofeu.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›