Shpend Abazi lufton për titullin botëror

Një tjetër shqiptar do të kërkojë titullin e kampionit të botës në ringun profesionist.
Pas Luan Krasniqit, i cili nuk kishte arritur që të marrë brezin e më të mirit në kategorinë e rëndë të boksit profesionist, përballë Lemon Brewster, do të jetë Shpend Abazi ai i cili do të kërkojë të bëjë të vetin titullin e kampionit për peshën "Featherweight" (deri në 57 kilogramë). Sipas "albanian-boxing.com", shqiptari me pasaportë daneze është shpallur sfidues zyrtar për titullin e kampionit të federatës IBF dhe për kundërshtar do të ketë amerikanin Roberto Guerrero, ndërkohë koha dhe vendi ku do të ndodhë përballja nuk është caktuar akoma.
Boksieri shqiptar me pasaportë daneze "në letër" mund të konsiderohet si favorit përballë kundërshtarit të tij, 23-vjecarit Guerrero, i cili megjithëse ka arritur që të fitojë një herë titullin e kampionit në versionin IBF, ka një karrierë modeste në krahasim me Abazin. Guerrero ka një bilanc prej 19 fitoreve (12 prej të cilave me nokaut), 2 humbjeve dhe një barazimi gjatë karrierës së tij, ndërsa Abazi prej 23 marsit, kur ka debutuar në boksin profesionist ka zhvilluar 36 mece, dhe vetëm një herë ka dalë i mposhtur nga ringu. Shqiptari është shpallur kampion evropian për peshën "Bantamweight" në versionin EBU, titull të cilin e ka mbrojtur edhe dy herë më pas, para se të fitonte më pas titullin e kampionit evropian për peshën "Featherweight" në versionin WBA, që cilin e ka mbrojtur me sukses katër herë.