E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nevoja e depolitizimit të komisionerëve



Disproporcioni ndërmjet realitetit shoqëror dhe aspektit normativ në shoqëri si e jona është akoma shumë i lartë. Ky hendek manifestohet tek sjelljet e aktorëve politikë ndaj institucioneve dhe nivelit të respektimit të ligjeve. Një nga arsyet që e prodhon këtë realitet dhe që kushtëzon deri diku sjelljen shoqërore, është aspekti kulturor, i cili vendoset në kontradiktë me natyrën e normave ligjore të huazuara nga vende me demokraci të zhvilluar. Themi në kontradiktë, pasi formulimi i rregullave dhe ligjeve janë në përputhje me standardet ndërkombëtare, por interpretimi dhe zbatimi i tyre në realitet kushtëzohen nga botëkuptimi që kanë vetë aktorët. Kështu që reformat që ndërmerren në planin juridik dhe administrativ, janë të mirëmenduara në procesin e formulimit dhe aprovimit, por kur vjen momenti për t’i zbatuar ato, vërejmë se shkalla e zbatimit të tyre në praktikë ndryshon shumë nga ajo çfarë kërkohet nga norma e shkruar.

Pikërisht, ky dualitet ka shërbyer herë pas here për lindjen e debateve të nxehta ndërmjet subjekteve politike në kurriz të respektimit të ligjeve dhe legjitimimit të institucioneve. Por, në krahun tjetër, kjo përplasje ka krijuar precedentë që në disa raste kanë nxitur palët për të rimenduar për vlerën e ligjeve dhe institucioneve. Në këtë linjë logjike po zhvillohet edhe debati i kohëve të fundit për çështjen e zgjedhjeve ndërmjet pozitës dhe opozitës. Themi në këtë linjë për arsyen se ka qenë Partia Socialiste e cila ka propozuar dhe miratuar tipin e kodit zgjedhor si dhe mënyrën e administrimit të procesit dhe sot është kundër vendimmarrjes së dalë nga këto institucione. Por, në krahun tjetër, ky reagim i fortë i opozitës mund të nxisë palët për të rivlerësuar komponentët e procesit zgjedhor.

Ky reagim i opozitës nxjerr në pah dy aspekte që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor. Aspekti i parë ka karakter teknik dhe lidhet kryesisht me përbërjen e komisionerëve, ndërsa aspekti i dytë karakter juridik dhe lidhet me nevojën për të ndërmarrë disa nisma të tjera ligjore në drejtim të kompletimit të kuadrit ligjor që i nevojitet këtij kodi zgjedhor.

Për sa i përket aspektit të parë. Siç dihet, ky kod u realizua me pëlqimin e dy forcave kryesore, duke anashkaluar në procesin e formulimit kërkesat e partive të vogla. Këto dy forca vendosën që administrimin e procesit zgjedhor ta lënë në dorë të militantëve apo individëve të propozuar prej partive politike dhe jo në dorë të individëve apo institucioneve të depolitizuara. Lënia e procesit të administrimit në dorë të njerëzve partiakë në atë periudhë nga shumë analistë dhe specialistë të zgjedhjeve u vlerësua si një tentativë për ta politizuar procesin zgjedhor. Ky parashikim u bazua tek eksperienca e zgjedhjeve të vitit 2005 ku disa komisionerë jo vetëm shkelën ligjin, duke krijuar parregullsi të procesit dhe cënim të standardeve, por nën mbrojtjen e eksponentëve të rëndësishëm partiakë nuk u ndëshkuan nga ana e institucioneve të drejtësisë.

Edhe në këto zgjedhje, formula e propozuar nga dy forcat kryesore solli përsëritjen e të njëjtit fenomen. Zgjedhjet në disa zona zgjedhore ishin të tensionuara dhe me probleme, pasi garantët për cilësinë e tyre nuk ishin përfaqësuesit e institucioneve të shtetit apo ligjit, por përfaqësues të partive politike, të cilët morën përsipër të garantonin ruajtjen dhe monitorimin e procesit zgjedhor, duke manifestuar në disa raste përgjatë ushtrimit të detyrës tensionin, frikën dhe pasigurinë e subjekteve politike që përfaqësonin. Kjo gjë krijoi në disa qendra numërimi vonesa të panevojshme, përplasje fizike apo ekzagjerime të rasteve ku vëreheshin parregullsi të pakonsiderueshme. Në këto kushte, tensioni i fushatës kaloi nga subjektet politike tek komisionerët, të cilët në këto raste, si busull të ushtrimit të detyrës nuk kishin respektimin e kuadrit ligjor, por respektimin e urdhrave politikë.

Pikërisht, mungesa e vullnetit politik për t’ua deleguar administrimin institucioneve të depolitizuara në të gjitha rastet e ka vështirësuar të gjithë procesin, aq sa të krijohet ideja se problemi do të mbetet pa zgjidhje. Ndoshta ka ardhur momenti që subjekteve politike t’u lindë nevoja që të rimendojnë edhe një herë në lidhje me përbërjen e komisionerëve, që të mund të parandalojnë përsëritjen e problemeve në zgjedhjet lokale.

Për sa i përket aspektit juridik, mund të themi se pretendimet e paraqitura nga PS-ja në lidhje me hapjen e kutive nga shumë konstitucionalistë dhe njohës të ligjit është komentuar si një tentativë për të delegjitimuar vendimmarrjen e institucioneve që kanë tagrin për të shqyrtuar, verifikuar dhe certifikuar rezultatin e zgjedhjeve. Ky konkluzion vjen për shkak se procesi zgjedhor ka kaluar tashmë një procedurë ligjore sipas Kodit Zgjedhor. Po marrim ankimet, nga KQZ-ja ato kanë kaluar në Kolegjin Zgjedhor. Ligji thotë se vendimi i Kolegjit është përfundimtar dhe i formës së prerë. Vetëm dy vendime janë të këtij lloji, vendimet e Kolegjit dhe ato të Gjykatës Kushtetuese. Ka vendosur drejt apo gabim Kolegji, askush nuk ka të drejtë të gjykojë drejtësinë e vendimit të këtij institucioni. Kështu që nuk ka më asnjë shkak ligjor sot për të vendosur apo për të vepruar në kundërshtim me atë që ka vendosur Gjykata.

Edhe kjo situatë me natyrë juridike krijon premisa që palët për të eliminuar pretendimet apo kërkesat që kanë ndaj procedurës ligjore apo hapësirave që mund të krijojë ligji për njëanshmëri në vendim apo pamundësi për të vlerësuar pretendimet e palëve në proces, t’i detyrojë ata të ulen për të kompletuar kuadrin ligjor të këtij kodi, propozime që janë paraqitur edhe nga raportet e OSBE/ODIHR-it.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›