E Diel, 1 Nëntor 2026

Statusi i kandidatit, Çekia : “Shqipëria mund të aplikojë, por shqyrtimi pas zgjedhejeve te qershorit"”

Ministri i Jashtëm çek: “Përgjigjja do të vijë nga Presidenca suedeze e BE-së”. Mbarëvajtja e suksesshme e zgjedhjeve, kusht vendimtar për integrimin

Eljona Ballhysa
Pas debateve të shumta për periudhën e aplikimit të Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE, ka ardhur dje sqarimi i parë nga Presidenca çeke e BE-së. Ministri i Jashtëm i Çekisë, Karel Shvarzenberg, është shprehur se Shqipëria mund të aplikojë para zgjedhjeve për statusin e vendit kandidat për në BE, por kjo kërkesë do të merret në shqyrtim nga vendet e BE-së gjatë presidencës suedeze. Ai ka theksuar se kusht për një përgjigje pozitive do të jetë pa dyshim mbarëvajtja e suksesshme e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit.
Deklarata
Nga Brukseli, ministri i Jashtëm i Çekisë ka sqaruar edhe njëherë qëndrimin e BE-së në lidhje me angazhimin e Shqipërisë për të aplikuar para qershorit për statusin e vendit kandidat në BE. “Ndoshta do të ketë zgjedhje të suksesshme dhe nëse dëshmohet se do të zhvillohen me sukses të plotë, ky do të jetë rekomandimi më i mirë për Shqipërinë dhe për këtë gjë nuk ka asnjë dyshim. Ne do të ishim shumë të lumtur nëse Shqipëria aplikon gjatë presidencës tonë, atëherë ndoshta procesi do të marrë pak kohë dhe gjatë presidencës suedeze, që është po kaq mikpritëse sa presidenca jonë, unë jam i sigurt se Karl Bild do t’ju mbështesë po aq sa ju mbështes dhe unë”, - deklaroi Karel Shvarzenberg. Ministri i Jashtëm i Suedisë sqaroi se megjithëse proceset ndonjëherë mund të duken të gjata në kohë, e rëndësishme është të ecet përpara dhe se angazhimi i BE-së është i palëkundshëm për vendet që plotësojnë kriteret. “Dhe unë sigurisht e konfirmoj këtë gjë. Dua të them se jeni gjithnjë të mirëpritur gjatë presidencës çeke, si gjatë asaj suedeze. Por duhet kuptuar se pastaj do të pasojë një proces i gjatë, me përgatitjen e opinionit nga Komisioni dhe eventualisht me politika vendimmarrëse shtesë. Aplikimi dhe kalimi nga Këshilli te Komisioni është shumë teknik dhe mund të marrë pak kohë gjithashtu”, - u shpreh Karl Bild.
Vetëm pak kohë më parë, ministri i Jashtëm i Çekisë, Karel Shvarzenberg, sugjeroi qeverinë shqiptare të mos nxitojnë për të aplikuar, pasi sipas tij, BE-ja gjendej në një situatë të vështirë pasi po përballet me krizën ekonomike, ndaj dhe aplikimi i Shqipërisë rrezikon të mbetet në sirtar. I pyetur për regjimin e vizave të vendeve të Ballkanit Perëndimor, Shvarzenberg tha se deri tani nuk është bërë asnjë progres për liberalizimin e vizave për këto vende. “Rruga drejt liberalizimit duket të jetë e vështirë dhe me pengesa”, - ka shtuar Shvarzenberg. Ai ka bërë thirrje që negociatat në këtë fushë duhet të vazhdojnë.
Takimi
Nga ana tjetër, qeveria shqiptare ka intensifikuar negociatat me qeveritarë çekë për çështjen e statusit, në mënyrë që të aplikojë para zgjedhjeve të qershorit. Kështu, ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, vetëm një ditë më parë ka zhvilluar një takim me zëvendësministrin e Jashtëm të Republikës Çeke, Tomas Pojar. “Aplikimi për vend anëtar i BE-së dhe liberalizimi i plotë i vizave për qytetarët shqiptarë janë prioritete absolute të qeverisë shqiptare dhe të politikës së jashtme”, - theksoi ministri Basha. Ministri Basha dhe zv.ministri Pojar vlerësuan se është mjaft i rëndësishëm koordinimi i hapave të mëtejshëm diplomatikë për të realizuar aplikimin për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Në këtë kontekst, bashkëbiseduesit ranë dakord që të dyja palët të qëndrojnë në kontakt të vazhdueshëm dhe intensiv në javët e ardhshme.

18 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›