Ardian Turku betohet para Presidentit si ministër Kulture
Në Pallatin e Brigadave u zhvillua dje ceremonia zyrtare e betimit të Ministrit të ri të Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve, Ardian Turku. Pas ekzekutimit të Himnit Kombëtar dhe leximit të dekretit të emërimit, me dorë në Kushtetutën e Shqipërisë, Turku bëri betimin përpara Presidentit të Republikës, Bamir Topi, i cili, duke i dorëzuar dekretin ministrit të ri të Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve, i shprehu urimet më të mira për të përmbushur me sukses detyrën e lartë. Presidenti Topi e dekretoi emërimin e z. Turku në detyrën e ministrit të Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve në datë 10 mars 2009, në mbështetje të neneve 93 dhe 98, pika 1 të Kushtetutës, me propozim të kryeministrit Sali Berisha.
Topalli anëtarëson Shqipërinë në Asamblenë Parlamentare të Mesdheut
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila vazhdon vizitën e saj në Bruksel, ka bërë të ditur dje se Shqipëria është anëtarësuar në Asamblenë Parlamentare të Mesdheut, EUROMED. Kryetarja e Kuvendit shprehu falënderimin dhe mirënjohjen e thellë në emër të Parlamentit të Shqipërisë. Kryetarja e Kuvendit, duke vlerësuar EUROMED, si “shprehje parlamentare” legjitime e Procesit të Barcelonës, nënvizoi se delegacioni shqiptar ndjehet shumë i lumtur që anëtarësohet në këtë strukturë, në një detyrë të përbashkët për të përmbushur objektivat e EUROMED, për të gjetur zgjidhje problemeve, e ndërmarrë nisma në interes të mirëkuptimit, besimit dhe bashkëpunimit.
Asambleja Parlamentare Euro-Mesdhetare (EUROMED) është institucioni parlamentar i Procesit të Barcelonës me pushtet konsultativ, i bazuar në Deklaratën e Barcelonës.
Asambleja përbëhet nga 260 anëtarë, 130 mes të cilëve anëtarë të parlamenteve kombëtare të BE-së dhe anëtarë të Parlamentit Europian si dhe 130 anëtarë të parlamenteve të vendeve të Mesdheut.
18 Mars 2009