E Shtunë, 31 Tetor 2026

Urdhri i Bodes, formulari që duhet të plotësojë biznesi i vogël duke filluar nga 1 prilli

Udhëzimi për ta plotësuar saktë këtë formular për deklarimin e të ardhurave. Biznesmenët duhet ta dorëzojnë në njësinë vendore ku kanë biznesin e tyre

Laureta Rryçi

Tiranë - Biznesi i vogël në të gjithë vendin gjatë muajit prill do të plotësojë formularin për deklarimin e të ardhurave. Ministria e Financave tashmë e ka përcaktuar formatin e këtij formulari që është detyrim vetëm për biznesin e vogël. Gazeta “Albania” ka mundur të sigurojë të plotë udhëzuesin për plotësimin e këtij formulari. Burime pranë kësaj ministrie thanë se ky udhëzim ka vetëm pak ditë që është firmosur nga ministri Bode dhe tashmë ka kaluar nëpër njësitë vendore. Ky formular është i vlefshëm për këtë vit dhe është i detyrueshëm për t’u plotësuar nga të gjithë biznesmenët që administrojnë një biznes të vogël. Në rast se nuk do të plotësohet në kohë, pra brenda muajit prill, atëherë për biznesmenët do të ketë penalizim nga drejtoritë e tatimeve. Penalizimet janë përcaktuar nga gjobë deri në mbyllje të aktivitetit privat.
Udhëzimi
Sipas udhëzuesit, numri, seria, gjenerohet nga dega e tatimeve dhe shërben për të azhurnuar kur paraqitet deklarata. Periudha tatimore është vjetore, ndërsa numri i identifikimit të personit të tatueshëm (NIPT) është numri i dhënë nga dega e tatimeve dhe QKR-ja, që identifikon personin e tatueshëm në të gjitha marrëdhëniet me drejtorinë rajonale tatimore. Emri tregtar i personit të tatueshëm është emri me të cilin paraqitet veprimtaria dhe që shënohet në certifikatën e NIPT-it. Emri, mbiemri i personit fizik vendoset kur veprimtaria ekonomike kryhet nga një person fizik dhe nuk ka emër tregtar. Adresa tregohet për vendin kryesor të ushtrimit të veprimtarisë. Kjo adresë është treguar edhe në certifikatën e NIP-it. Numri i telefonit (në qoftë se ka) tregon numrin e telefonit në vendin kryesor të ushtrimit të veprimtarisë ekonomike. Të ardhurat e ushtrimit janë të ardhura totale të periudhës ushtrimore. Të ardhurat tatimore janë të ardhurat që i përkasin aktivitetit të tatueshëm.
Procedurat
Shpenzimet e ushtrimit janë shpenzime totale të periudhës ushtrimore. Shpenzimet tatimore janë shpenzimet që i përkasin aktivitetit të tatueshëm. Shpenzimet e pazbritshme janë shpenzimet që i përkasin aktivitetit të tatueshëm dhe që nuk njihen si të zbritshme për efekt të llogaritjes së fitimit të tatueshëm. Humbja e ushtrimit është diferenca e shpenzimeve të ushtrimit me të ardhurat e ushtrimit në rast se shpenzimet e ushtrimit janë më të mëdha se të ardhurat e ushtrimit. Humbja tatimore është diferenca e shpenzimeve tatimore pasi të zbriten shpenzimet e pazbritshme me të ardhurat tatimore në rast se shpenzimet tatimore pa shpenzimet e pazbritshme janë më të mëdha se të ardhurat tatimore. Humbje e mbartur është humbja e mbartur nga periudhat pasardhëse dhe që njihet për efekte tatimore për t’u mbuluar nga fitimet e periudhës që deklarohet. Fitimi i tatueshëm është fitimi që mbetet nga fitimi tatimor pasi zbritet humbja e mbartur. Tatim mbi të ardhurat personale të biznesit të vogël është shuma e tatimit të llogaritur mbi të ardhurat e tatueshme të biznesit të vogël me shkallën tatimore standarde. Parapagime është shuma e kësteve të paguara të taksës vendore mbi biznesin e vogël, gjatë periudhës tatimore. Tatim i mbipaguar është diferenca e parapagimeve kur janë më të mëdha se fitimi. Tatim i detyrueshëm për t’u paguar është diferenca e tatimit pasi të jenë zbritur parapagimet. Totali për t’u paguar është shuma e tatimit të detyrueshëm për t’u paguar me dënimet dhe interesat e llogaritura me deklaratën.

Biznesi i vogël, taksat dhe tatimet do t’i paguajnë në Bashki

Që prej datës 1 janar të këtij viti, biznesi i vogël do t'i paguajë taksat dhe tatimet të gjitha në një vend, pranë bashkisë, ku paguajnë dhe taksat vendore. Me anë të këtij vendimi i është hequr administratës tatimore një volum i madh pune që tashmë i ka kaluar qeverisjes vendore. Pavarësisht numrit të madh të tyre, kontributi që bizneset e vogla japin në të ardhurat tatimore është modest dhe vërtitet diku te 4-5 për qind e të ardhurave totale. Kështu, sipas statistikave, të dyja taksat e biznesit të vogël, si ajo vendore, ashtu edhe tatimi i thjeshtuar mbi fitimin, kontribuojnë në buxhetin e shtetit me rreth 3 miliardë lekë, në një kohë që të ardhurat totale llogariten mesatarisht 75-80 miliardë lekë në vit. Efekti i vogël financiar, që taksat e biznesit të vogël japin në buxhet, si dhe kostoja e madhe e administrimit të tyre, duket se kanë qenë edhe shkaqet kryesore që e kanë shtyrë Ministrinë e Financave dhe administratën qendrore të Tatimeve të kërkojnë një lëvizje të tillë.

Përcaktimi si biznes i vogël

Përveç llojit të veprimtarisë së ushtruar, prodhuese apo të shërbimit, vendimi më i fundit i Këshillit të Ministrave ka përcaktuar si kriter për numrin e punonjësve, të njohur nga shteti, edhe nivelin e të ardhurave bruto vjetore për bazën e taksës. Kështu, do të njihen më pak punonjës për një biznes që realizon 2 milionë deri në 3 milionë lekë të reja të ardhura në një vit, në krahasim me atë që realizon 5.7 apo 8 milionë lekë të reja. Mbi këtë nivel, subjekti nuk mund të deklarohet më biznes i vogël. Kështu, për shembull, një lavazh me deklarim të ardhurash vjetore 2-3 milionë lekë, duhet të paguajë kontribute për 2 punonjës, duke përfshirë pronarin. Kjo shifër rritet në 3. 4 dhe 5, në rast se të ardhurat përkatësisht rezultojnë 3-5 milionë, 5-7 milionë dhe 7-8 milionë lekë të reja.

28 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›