Ligji që mbron komunizmin
Shumica e djathtë e Sali Berishës miratoi në Parlament “Ligjin për pastërtinë e figurave”, pa konsesusin e opozitës, e këso here nën kundërshtimin e hapur të faktorëve ndërkombëtarë, përfshirë këtu edhe SHBA-në. Filozofia e ligjit të sapo miratuar, është e njëjtë me atë të vitit 1995. Në planin e lustracionit, ligji është përsëri selektiv. Ndryshon vetëm objekti i goditjes. Ndryshimi ka të bëjë me faktin se, këso radhe, nuk synohet të goditen kundërshtarët politikë, mirëfilltazi, por sistemi i drejtësisë, i cili përbën sot rrezik real për Kryeministrin Sali Berisha. Ligji i para 13 viteve, përjashtonte nga e drejta e kandidimit dhe ushtrimit të funksioneve të larta shtetërore, përveç ish-spiunëve, të gjithë ish-funksionarët politikë të diktaturës, deri edhe ata në bazë. Ligji aktual toleron funksione të larta politike dhe shtetërore të kohës së diktaturës dhe përjashton nga e drejta e ushtrimit të detyrës të gjithë ish-pjesëtarët e organeve të Sigurimit të Shtetit, pavarësisht nga profili i tyre (përfshirë edhe ata që janë marrë me siguri kombëtare, krim ekonomik, etj.), si dhe të gjithë ish-gjyqtarët, ndihmësgjyqtarët dhe prokurorët, që kanë marrë pjesë në procese politike. Objekt i këtij ligji nuk janë ish-deputetët e Kuvendit Popullor, të cilët të paktën formalisht kanë projektuar dhe ligjëruar sistemin e diktaturës e as ish-ministrat që kanë udhëhequr jetën shoqërore. Që këtu, procesi degjeneron tërësisht.
Të ndëshkosh një ndihmësgjyqtar që ka marrë pjesë vetëm formalisht në gjyq (as arsimin përkatës nuk e kishin këta), e të tolerosh një ish-ministër, apo deputet, është njëlloj sikur të dënosh muratorët e një ndërtese të rrëzuar e të falësh inxhinierin që e ka projektuar qendrën e rëndesës jashtë bazës. Siç është konceptuar, ligji për pastërtinë e figurave, ndëshkon zbatuesit, e jo projektuesit e ligjeve të diktaturës.
Gama e përfshirjes së funksioneve të prekura nga ky ligj është shumë e diskutueshme. Por, pavarësisht nga kjo, ka një radhë të përcaktuar mirë. Të gjithë ata që e kanë jetuar atë kohë, dinë ta bëjnë dallimin e përgjegjësive dhe radhën e atyre që do duhej të ndëshkoheshin. Për këtë duhet ditur mekanizmi se si është ngritur sistemi komunist. Ky sistem ka funksionuar mbi tri kolona në formë spirale: 1) Partinë e Punës, që kontrollonte gjithçka (këtu përfshihet edhe Sigurimi i Shtetit); 2) Kuvendin Popullor dhe institucionet që buronin prej tij, duke filluar nga qeveria, dhe; 3) Organet dhunës (Sigurimin e Shtetit, Policinë) dhe Organet e Drejtësisë. T’i shpjegojmë me radhë.
Sistemi komunist ka pasur një specifikë të veçantë në mënyrën e funksionimit. E gjithë jeta politiko-shoqërore drejtohej dhe udhëhiqej nga partia. Grupimi që fitoi luftën, pas vitit 1944, zgjodhi modelin stalinist të drejtimit të shoqërisë. Këta njerëz, pasi eliminuan në masë kundërshtarët e tyre politikë, në vitet e para të pasluftës, në mënyrë graduale shfrytëzuan të gjithë instrumentet, propagandistikë, ligjorë dhe ushtarakë për të mbajtur pushtetin. Këto instrumente u përfshinë më pas edhe në Kushtetutë. Pra, sistemi ka qenë i qartë. Një grup njerëzish, i grumbulluar rreth një partie, që quhej Partia Komuniste (më pas PP), krijoi mekanizma të tillë që nuk lejonte asnjë grupim tjetër politik konkurrues. Madje, kushdo që shprehej kundër PP-së ndëshkohej me burgim. Prej këtu buroi platforma e tmerrshme e luftës së klasave, zbatuar nga instrumentet e dhunës.
Si funksiononte partia? Që prej vitit 1948, kur komunistët mbajtën Kongresin e Parë, PP-ja filloi funksionimin e saj normal e në mënyrë periodike. Në organizatat bazë të partisë, të ngritura në të gjitha institucionet dhe ndërmarrjet në bazë, seleksionoheshin njerëzit më të devotshëm të partisë dhe zgjidheshin delegatë. Këta delegatë ligjëronin propozimet e ardhura nga lart, për në Komitetin Qendror të Partisë, i cili ishte organi vendimmarrës partiak në periudhën mes dy kongreseve. Komiteti zgjidhte Byronë Politike, sekretarët e KQ-së së Partisë dhe mes tyre Sekretarin e Parë. Të gjitha këto hallka kontrolloheshin rreptësisht nga një organ sekret, i cili drejtohej direkt nga Sekretari i Parë, i cili mund të urdhëronte edhe arrestime. Njëjtësisht, PP-ja funksiononte edhe në bazë, ku institucionet e saj ishin, konferenca, plenumi, byroja e plenumit, sekretarët dhe sekretari i parë. Por, ndërkohë, Byroja Politike, lart, kishte të drejtë emërimesh dhe shkarkimesh sekretarësh të PP-së në rrethe. Rrathët e përgjegjësive mund të rreshtohen qartë: Sekretari i Parë, Byroja Politike, KQ-ja i PP-ja, dhe Kongresi në qendër, si dhe Sekretari i Parë, Byroja e Plenumit, Plenumi dhe Konferenca e Partisë, në rreth. Nëse kërkon ta vazhdosh më përtej rrethin e përgjegjësive, atëherë duhet përfshirë çdo sekretar organizate bazë partie dhe, akoma më tej, çdo ish-anëtar i PP-së.
Kur flitet për një sistem politiko-shoqëror, e para gjë që vlerësohet është baza mbi të cilën ai ngrihet dhe mënyra se si ligjërohet. Komunistët e sapoardhur në pushtet, të parën gjë që morën nën kontroll ishte vota qytetare. Që këtu fillon përgjegjësia. Në çdo 4 vjet ishin qytetarët që votonin nëpërmjet një pjesëmarrjeje mbi99.99 % dhe po kaq votonin pro. Pra, përgjegjësia e parë, ndonëse vetëm morale, bie mbi të gjithë ata që votonin të detyruar, të paaftë për t’u grupuar e për të rrëzuar sistemin e ngritur bazuar mbi dhunën. Në votime zgjidheshin deputetët e Kuvendit Popullor, që miratonin ligjet mbi të cilat qeverisej vendi. Parlamenti zgjidhte qeverinë dhe Kryeministrin që zbatonin ligjet e miratuara prej tij. Mbi këtë kolonë funksiononte ekonomia e centralizuar. Rrethi i përgjegjësive këtu është shumë i qartë: Kryeministri dhe qeveria që drejtonin të gjithë veprimtarinë shoqërore, dhe Kuvendi që, juridikisht, ligjëronte propozimet e iniciuara nga PP-ja, d.m.th., miratonte ligjet.
Kolona e tretë është më delikatja dhe më problematikja për t’u shqyrtuar. Funksionimi i Sigurimit të Shtetit është i komplikuar. Sigurimi i Shtetit ishte nën komandën e partisë dhe e kontrolluar prej saj. Në të shumtën e rasteve ishte ai që bënte gati arrestimet. (P.sh., asnjë komunist nuk mund të arrestohej pa dijeninë e Sekretarit të Parë). Për vetë mënyrën jo legale të funksionimit, në Sigurimin e Shtetit janë bërë edhe spekulimet me të shumta dhe krimet më çnjerëzore. Ndërkaq, funksionimi i policisë, gjykatave dhe prokurorisë, është i qartë. Këta të fundit kishin veprimtari legale dhe ishin të detyruar të zbatonin ligjet e kohës, ndërmjet tyre nenin 55 për agjitacion e propagandë kundër PP-së, që të dënonte deri në 8 vjet burg, nenin për tradhti ndaj atdheut që të dënonte deri me vdekje, nenin e kabotazhit, që po ashtu të dënonte deri më vdekje, etj.
Rrathët e përgjegjësive këtu nuk janë të ravijëzuara qartë. Përgjegjësitë duhen kërkuar tek rastet speciale ku, hetuesit, prokurorët apo gjykatësit, kanë spekuluar në veprimtarinë e tyre në dëm të individëve të veçantë, në masën e dënimeve, duke montuar procese speciale, në qendër të të cilave kanë qenë akuza boshe, trillime, dëshmi të rreme, etj.
Të gjithë janë dakord se duhet miratuar një ligj për dënimin e krimeve të komunizmit. Edhe pse miratimi i tij kaq vonë, pas 18 vjetësh kapërcimi nga diktatura, ka më tepër efekt simbolik se sa real. Shumica dërmuese e atyre që do duhej të prekeshin realisht nga ky ligj, ose kanë vdekur, ose janë pensionistë. Ligji duhej të ishte më radikal në drejtim të lustrimit të atyre që kanë ngritur sistemin dhe hetimit rast pas rasti të atyre që kanë zbatuar ligjet e tij, duke shmangur ndëshkimin në bllok.
Sipas të gjitha gjasave, ky ligj i 2008-s do të ketë fatin e ligjit të vitit 1995. Por, nuk është kjo që i intereson shumicës së sotme. Ligji në fjalë, njëjtësisht si ai i mëparshmi, po diskutohet në prag të zgjedhjeve politike. Nëse në vitin 1995 ligji u përgatit për të goditur politikisht kundërshtarët, ky i sotmi është hartuar me qëllim për të larguar nga detyra disa prokurorë, të pabindur, që po hetojnë tërthorazi Kryeministrin e dyshuar për korrupsion. Pasi ka qeverisur për 4 vjet me ish-spiunë, ish-drejtues komunistë, ish-komunisti Berisha po kërkon një ligj që do t’i krijonte rrethana për të shkuar i qetë në betejën politike të zgjedhjeve të vitit 2009. Por këtë radhë, Berisha, përveç opozitës, ka një pengesë vështirësisht të kapërcyeshme, faktorin ndërkombëtar.