E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arsye të mendjes apo të zemrës?

Lidhur me forumin e “Shekulli”-t, “Analistë apo eseistë”

Dikur pata shkruar në po këtë gazetë një artikull të vockël për analisto-maninë dhe për mungesën e argumentit në shumë prej debateve mediatike. Me gjithë disa përgëzime të rastit, shkrimi thuajse ra në vesh të shurdhër, ose, më së paku, jo në veshin e atyre që ishin të interesuar, gjë normale kjo për një botë të rrëmbushur me media e artikuj të ndryshëm gazetash apo diskutime televizive, ku nuk mungojnë edhe vlerësimet e sakta e mjaft të dobishme të profesionistëve në fusha të ndryshme. Sot do të doja t’i kthehesha paksa ndryshe kësaj teme, nisur nga një këndvështrim më filozofik, përligjur nga fakti se mësimdhënia në filozofi përbën profesionin tim e duke u përpjekur t’u lidh këmbët në realitet disa ideve të kësaj fushe për dijen dhe përcjelljen e saj te njerëzit e ndryshëm.

E gjithë jeta jonë është një kërkim dhe përdorim dijesh, por nisur nga ajo çka mësojmë ne, jemi të prirur që të anojmë nga dija e dobishme për ne, qoftë ajo empirike, qoftë ajo teorike, prandaj sa herë nevoja jonë e përditshme na shtyn të njohim diçka të re, synojmë ta lidhim me përvojën tonë, qoftë kjo dhe një dije zbavitëse. Duke qenë se ky univers dijesh është i pafund, si në kohë edhe në hapësirë, bibliotekat me bazë librin kanë qenë qysh kur diçka misterioze, për shkak të dijeve që mendohej se kanë pasur brenda, por edhe institucione kërshërore të zëvendësuara ndofta pjesërisht për shumëkënd me mediat e tjera. Pra, qysh këtu duhet të jemi të qartë, se nuk mund të dimë gjithçka, dhe dashamirësve të filozofisë u vjen në mend me siguri thënia e Sokratit të vjetër, “Unë e di se nuk di asgjë lidhur me...” (Më lejohet ta ndryshoj pakëz).

Në këtë xhungël dijesh e informacionesh thelbësore, bëhet pyetja: Çfarë duam të dimë? Kjo vjen natyrshëm dhe përzgjedh dijet tona në përputhje me interesat e secilit. E duke qenë se qysh prej Bejkonit, që të dish do të thotë të kesh pushtet, nuk është e çuditshme dëshira për t’i bashkuar këto të dyja. Por, ky raport është shfaqur si i dyshimtë, sepse shpeshherë dija, se futja e hundëve në atë që quhet botë private e dikujt është përdorur, ta zëmë për keq, për t’i bërë presion një personi, ose për të dëmtuar njerëzit. Dija pra e ka të nevojshme një rrjetë morale.

Nisur nga një pikëvështrimi tjetër, vërtetë që shumë njerëz kanë opinione po t’i pyesësh për ngjarje të ndryshme sociale, portjetër është opinioni i një qytetari për diçka dhe tjetër ai i një njeriu që merret me fushën dhe e njeh mirë. Këtu do të vlente thënia e Xh. S. Millit, se ai që njeh vetëm rastin e tij, di pak. Dhe, natyrisht, arsyet e tij, duke qenë më shumë vetjake, qoftë edhe “të zemrës”, domethënë të ndjenjave e përjetimeve të tij, mund të mos jenë të mjaftueshme përballë arsyeve më të thella të njohësit më të mirë të çështjes në fjalë. Ndoshta pikërisht për këtë kërkohen analistë jo të gjithanshëm, por analistë të fushave të caktuara. Mirëpo, pengesa për të thënë fjalën e lirë për shumë vite, protagonizmi i theksuar, ndonjëherë provincial, karriera e synuar politike, si dhe modeli që ofron shoqëria e konsumit ku, çdo “mall”, duhet reklamuar, i shtyn disa njerëz në pretendimin se mund të thonë gjëra të mençura në çdo fushë diskutimi.

Por duke qenë se dëmi më i madh vjen nga shtypja e mendimit sesa nga shprehja e tij, të gjendur përballë këtyre ekstremiteteve, do të ishim në një mendje se më mirë të shprehen opinione pa hesap, (gjithnjë me një filtër etik), por të rregullohet disi formati i emisioneve ose i mediave, domethënë që, për fusha të ndryshme, duhet kërkuar më shumë nga organizatorët për njerëz që mund të flasin ndryshe, dhe njerëz të tillë ka plot edhe në vendin tonë. Ndoshta një propozim më miqësor për organizatorët mediatikë do të ishte, se në çfarë rangu do ta vendosim debatin. E duke qenë se mediat synojnë të rrokin interesa të ndryshme, të prekshme për grupe të caktuara qytetarësh, atyre u duhet të punojnë që, gjuhën tepër teorike ndonjëherë të specialistëve, ta kthejnë në një gjuhë disi më të kuptueshme, për atë grup njerëzish të cilëve u drejtohet emisioni, por gjithnjë pa e vulgarizuar atë, përndryshe biseda në studio do t’i përngjiste një bisede të rëndomtë në rrugë, dhe pa ndonjë vlerë njohëse, gjë për të cilën e kemi thirrur analistin ose specialistin.

Mund të marr një shembull të thjeshtë për këtë: Shumë prej nesh mund të përdorim kompjuterin duke njohur disa gjëra bazë për të, por mjaft syresh nuk pretendojnë të dinë në hollësi se si funksionon kompjuteri, se si mund të programohet diçka brenda tij, etj. Kështu qëndron puna edhe me shumë dije nga fusha të ndryshme, përfshirë edhe politikën, filozofinë, apo jurisprudencën, etj., etj. Dikush, për shembull, mund të pretendojë se është filozof, sepse ka lexuar disa libra filozofie në mënyrë amatoreske. Shumë mirë, dashamirësit e dijes, në këtë rast të filozofisë janë të mirëpritur si në çdo fushë tjetër, por tjetër është të kesh studiuar filozofi e të jesh marrë gjithë jetën me të, e tjetër ta lexosh e përdorësh atë si amator, dashamirës, etj. Madje, edhe librat e filozofisë nuk janë njëlloj të lexueshëm nga dashamirësit e saj (nuk po marr parasysh këtu përkthimet e dobëta filozofike që u hyn gjithkush, me idenë se filozofia është e thjeshtë). Për shembull, filozofia politike, morale, e jetës, një pjesë e hermeneutikës, e filozofisë së gjuhës, e fesë, ekzistencializmit, etj., mund të jenë mjaft joshëse edhe për njerëzit e fushave të afërta apo të largëta të mendimit, por një pjesë, që të përdoret, ka nevojë për ndërhyrjen shpjeguese të specialistit. Eseistika mbetet gjithashtu mjaft e lëvruar ditëve tona, për t’i shprehur në një gjuhë më të zhdërvjellët disa ide filozofike, siç e përdorin atë Umberto Eko, ose Riçard Rorti.

Një thellësi e dijeve vërehet edhe në fushatë tjera, sidomos në stadin e sotshëm, ku veçantitë e fushave studimore teorike janë bërë aq të holla, saqë duket se ka një humnerë të madhe mes dijes së përditshme të nevojshme për të vepruar dhe dijes teorike e shkencore. Megjithatë, besoj se arsyet e zemrës në një debat janë po aq të vlefshme ndonjëherë sa dhe arsyet e logjikës së një dijeje të ngushtë diku tjetër. Në rast se dua të mësoj diçka për persekutimin komunist, më duhet të lexoj e të dëgjoj edhe Fatos Lubonjën, edhe Visar Zhitin, edhe Bashkim Shehun, edhe plot të tjerë si ata. Prandaj, gjykoj se shumëçka varet dhe nga drejtuesit e rubrikave të caktuara ose drejtuesit e emisioneve, në mënyrë që ata të mos bien në rutinë, e të jenë në kërkim, jo vetëm të formave të reja, por dhe të ideve të reja, e pse jo dhe fjalëve të reja, e këto mund të gjenden jo vetëm në web.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›