Nevojat për lëndë drusore, qeveria: Të krijohen rezerva strategjike

Tiranë, 1 shtator, NOA Krijimi i rezervës strategjike të lëndës drusore për tu përdorur vetëm në raste emergjente, për plotësimin e nevojave të ekonomisë për lëndë drusore dhe furnizimin e popullatës me dru zjarri e lëndë ndërtimi është cilësuar nga qeveria si një akt me rëndësi kombëtare.
Për këtë arsye, gjatë mbledhjes së sotme të saj është miratuar një vendim i posaçëm i cili parashikon përcaktimin e kritereve dhe të procedurave, për krijimin e rezervave strategjike të lëndës drusore në këmbë.
Sipas tij, rezervat strategjike, me rëndësi kombëtare, administrohen nga Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave dhe njësitë e qeverisjes vendore.
Ndërsa thuhet se ngastrat dhe nën-ngastrat pyjore, në pronësi publike, që do të shërbejnë si rezervë strategjike të lëndës drusore në këmbë, të përbëjnë jo më pak se 10 për qind të sipërfaqes e 15 për qind e vëllimit të lëndës drusore të pyjeve shtetërore, si dhe jo më pak se 10 për qind të sipërfaqes e vëllimit të lëndës drusore të pyjeve, në pronësi të njësive të qeverisjes vendore.
Disa kritere për këtë sasi lënde drusore janë që të jenë sa më afër qendrave të banuara, të kenë një shpërndarje homogjene, të jenë të përshkueshme me rrjet rrugor, që mundëson përdorimin e tyre në çdo kohë, dhe të mos jenë zona me rrezikshmëri të lartë për tu prekur nga zjarri etj.
Thuhet se shfrytëzimi i lëndës drusore nga rezervat strategjike bëhet për rastet e emergjencave të mëdha, me vendim të posaçëm të Këshillit të Ministrave.
n.e/NOA