E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nexhipi : Po mërzitem pa Ardianin dhe Zekën

Nga Reshat IBRAHIMI
Shkup– Prej të hënës kampioni aktual i Maqedonisë, Rabotnicki Kometall i ka filluar përgatitjet për sezonin pranveror, ndërsa mesfushori i kampionëve Nderim Nexhipi thotë se ndihet shumë i mërzitur pas largimit të Ardian Nuhiut dhe Zekerja Ramadanit nga ekipi. "Nuk po mund të përballoj përgatitjet pa ata të dy. Po mërzitëm shumë, sepse jemi mësuar së bashku. Vetëm gjumi më ka ndarë nga Zeka dhe Ardiani, prandaj po e kam shumë vështirë. Nuk di sa do të më zgjasë kështu, por do të mundohem ta kaloj edhe këtë mërzi", është shprehur Nderim Nexhipi. Ndërsa sa i përket përgatitjeve ai u shpreh se gjithcka po rrjedh ashtu sic duhet. "Po stërvitemi nga dy herë në ditë. Kështu do të jetë deri në fund të javës e pastaj do të shohim. Përgatitjet janë shumë të mundimshme, por ne jemi mësuar me këtë temp, prandaj edhe e kemi pritur se do të jetë kështu vështirë", thotë në vazhdim mesfushori shqiptar i Rabotnicki Kometall, Nderim Nexhipi. Gjatë këtij afati kalimtar nuk kanë munguar interesimet për shërbimet e futbollistit Nexhipi, i cili me kampionët ka kontratë deri në qershor të vitit 2007. "Ka skuadra që janë interesuar, por Rabotnicki kërkon dëmshpërblim të madh për mua dhe kjo është pak e vështirë që të kalojë në ndonjë skuadër të huaj. Oferta kam pasur nga Zvicra, Turqia dhe Gjermania, megjithatë tani për tani jam lojtar i kampionit", tha në fund Nexhipi. Ndryshe, Nderim Nexhipi më herët ka qenë anëtar i dy skuadrave të bundesligës gjermane. Nga viti 2001-03 ishte në Herta të Berlinit, ndërsa në periudhën 2003-04 kaloi te Volfsburgu.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›