Nexhmije Hoxha: Enveri, nacionalistët dhe e vërteta për jugosllavët...
Intervistë ekskluzive për MAPO-n me Znj. Nexhmije Hoxha. Si lindi lëvizja komuniste në Shqipëri dhe kontaktet e parë të komunizmit? Si arritën komunistët të përhapen në popull dhe kur u njoh Enver Hoxha. Vlerësimi i saj për luftën e Mehmet Shehut dhe
Nga Ben Andoni
Në periferinë e kryeqytetit, atje ku dikur kanë mbetur apartamentet e vjetra dy katëshe të Laprakës, një grua e vjetër këqyr e vetme nga ballkoni i saj, kaosin e qarkullimit të Tiranës. Përballë kodrat i janë fshirë nga shikimi, prej ndërtimeve kaotike shumëkatëshe. Koha i është larguar shumë kujtimeve. Ka qenë ilegale, veprimtare, udhëheqëse dhe 65 vjet pas fitores së L2B nga Forcat antifashiste, Znj. Hoxha, mbetet një nga dëshmitarët e para të asaj kohe, që ka çfarë të thotë. Ka njohur nga afër pothuaj të gjithë protagonistët e asaj kohe dhe ka drejtuar...
Derën e hap sërish vetë, por është dashur një procedurë e tërë protokollare për ta bindur 89 vjeçaren, që të intervistohet. Ajo ka ruajtur zërin dhe një formë fizike të mirë dhe dëshirën për të shkruar sërish. Ashtu si mund të merret me mënd, shtëpia ka të gjithë korpusin e veprës së Enver Hoxhës, ndërsa nëpër mure janë punë të piktorëve të njohur Z. Shoshi, V. Kilica, M. Fushekati, Buza Plaku që në shumicën e rasteve i kushtohen ish-çiftit të parë të Shqipërisë. Librat, që e rrethojnë, janë të shumtë por dominojnë ata historikë. Në një cep shquan Larouse dhe diku Darwin, ndërsa diku me një kopertinë të bukur qëndron një vëllim i “Femmes extraordinaire”.
Përballë tyre në një kolltuk të thjeshtë, Znj. Hoxha (me në sfond të shoqin dhe anash me një telefon) qëndron e qetë, duke pritur dhe duke diskutuar pyetjet, që i bëhen.
Intervista zhvillohet në disa ditë dhe ndodh disa herë që biseda edhe tensionohet. Disa nga pyetjet janë hedhur kategorikisht poshtë, por marrëveshja mbetet: Do flasim vetëm për luftën...Dhe, në këtë marrëveshje, është shumë korrekte.
Cilat ishin kontaktet tuaja të para me literaturën komuniste? Si e mbani mend lëvizjen komuniste shqiptare në momentet e para? Mbledhja themeluese e R.K...
“Unë, në rrethin e Lëvizjes Komuniste nuk kam hyrë nëpërmjet literaturës komuniste, por aty më çoi përvoja ime personale dhe ndjeshmëria për gjendjen e trishtuar të gruas shqiptare, dyfish të shtypur edhe nga zakonet e prapambetura. Në moshën 12-vjeçare, në mbarim të shkollës fillore, që e mbarova me shumë zell, entuziazëm e ëndrra për t’ardhmen time, u ndodha para murit të fanatizmit, veçanërisht të rajonit nga vinte familja ime: nëna ime dilte me perçe dhe unë isha vajza e parë dibrane që ngula këmbë të ndiqja arsimin e mesëm. Pas shumë lotëve e netëve pa gjumë, fitova. Kjo ngjarje më dha shtysën e parë të luftoj kundër shtypjes në përgjithësi , të luftoj për emancipimin e gruas e të shoqërisë shqiptare.
Tre vitet e adoleshencës sime si nxënëse në Institutin “Nana Mbretneshë”, qenë vite të magjishme të zbulimit të një bote të re nëpërmjet kulturës që na jepte shkolla.
Leximet gjatë kësaj periudhe ishin ende larg literaturës politike, aq më shumë asaj komuniste. Po në vitet ’35-’36, në kuadrin e disa masave liberalizuese, që mori regjimi i Zogut, filluan të botohen gazeta e revista, ku intelektualë përparimtarë shpalosnin idetë e tyre. Unë, si lexuese e pasionuar, lexoja çdo gjë që më binte në dorë. Kështu kur shkrimtari Haki Stërmilli, më 1935, botoi romanin ‘Sikur t’isha djalë”, që bëri shumë bujë, unë i shkrova autorit një letër, në shkurt të 1936, me pseudonimin “Flaka”, ku shprehem me stilin romantik, sentimental të kohës për vlerën e këtij libri dhe konkludoj me bindjen time se “Do të vijë dita që na, pa qenë nevoja të bërtasim: ‘Sikur t’isha djalë’ të bashkueme nën flamurin e ‘Lirisë’ do ta gjejmë ‘vetë’ rrugën e drejtë: ‘rrugën e shpëtimit’’. (Kjo letër është botuar nga autori, në botimin e dytë të librit, pa kërkuar autorizimin tim).
Kështu deri në moshën 15-vjeçare dhe kësaj letre, unë nuk kisha krijuar ende asnjë kontakt me persona a literaturë komuniste. Po në këtë periudhë filloi të qarkullojë libri “Nëna” e Gorkit, po ashtu shkrimet e poezitë e Migjenit në revistën “Bota e Re”, që po përpiheshin nga rinia e etshme e vendit. Në këtë revistë, me prirje të theksuara revolucionare, shkruanin shpesh dy gra, njëra ishte Ollga Plumbi, që atëherë nuk e njihja; tjetra shkruante me pseudonimin “Kolombja”, pas së cilës fshihej Selfixhe Ciu, motra e madhe e një shoqeje të klasës, Hanusheja, që më ndihmoi të lidhem me Selfixhenë, me të cilën takoheshim në shtëpinë e saj- e bisedonim për tema sociale e kulturore të shoqërisë shqiptare, komentonim rreth shkrimeve e botimeve letrare. Kjo më njohu me Ollga Plumbin që, pavarësisht nga diferenca e madhe në moshë, më tërhiqte shoqëria me të, madje dhe e mëmës së saj, që më çudiste kultura enciklopedike e një gruaje aq të moshuar që, ashtu si edhe Ollga kishte ndjekur arsimin e lartë në Greqi. Është Selfixhe Ciu që më foli në fillim për organizatën e komunistëve dhe më bëri takimin me Qemal Stafën në verën e 1937-ës. Në kujtimet e mia kam shkruar për këtë takim, që shënon hyrjen e angazhimin tim në një organizatë komuniste, në Grupin Komunist të Shkodrës. Quhej i Shkodrës, sepse ishte themeluar atje e kryetari i saj kishte qenë Zef Mala, që unë s’e kam njohur, sepse unë hyra në grup pikërisht kur ai u përjashtua, arsyeja ishte sepse botoi një buletin, që u quajt “Buletini jeshil” (nga mbulesa), me shkrime të gabuara në vijë. Në këtë grup, unë militova deri në themelimin e Partisë Komuniste të Shqipërisë, më 8 Nëntor 1941. Gjatë kësaj periudhe, përveç disa aspekteve organizative në punë me vajzat e Institutit dhe në marrëdhënie sporadike me grupet e tjera komuniste të vendit, më shumë jemi marrë me edukimin komunist të vetvetes dhe të simpatizantëve që kishim në lidhje. Kjo është periudha që u njohëm me literaturën mbi komunizmin, në aspektin teorik e marksist, e pothuaj aspak në aspektin praktik, leninist. Kështu si bazë e edukimit tonë ishte broshura “Zhvillimi ekonomik” me përmbledhje nga ‘Kapitali’ i Marksit për “Mbivlerën”, për Parimet bazë e Fazat e Komunizmit. Mua më tërhiqnin shumë veprat e Engelsit si “Mjerimi i filozofisë” ose “Anti-Dyring” dhe “Origjina e familjes...”.
Si ishte deri n’atë kohë ndërgjegjësimi ndër të rinjtë shqiptarë për komunizmin?
“Mund të them se ishte shumë i kufizuar, si në numër dhe në shtrirje. Në tre shkollat e mesme të Tiranës, Pedagogjikja e vajzave, Gjimnazi i djemve, Teknikumi amerikan, Liceu francez në Korçë, Normalja e Elbasanit dhe Gjimnazi i Shkodrës, numri i të rejave dhe të rinjve komunistë të organizuar ishte në çdo njërën nga këto, pak a shumë sa gishtat e duarve. Ato ngjanin si bërthama të mbyllura në mes tyre dhe vetëm me pushtimin e vendit në prill 1939 shpërtheu gjithë potenciali i papërmbajtur i aspiratave të rinisë, shumë më imediate, më jetike si ato për një botë të re, ideali për çlirimin kombëtar, për një Shqipëri të lirë, të pavarur e demokratike, që zuri vend parësor në platformën e Mbledhjes themeluese të Partisë Komuniste dhe pak më vonë dhe në Mbledhjen themeluese të Rinisë Komuniste, që u zhvillua veç dy javë më pas, më 23 Nëntor 1941. Aty ishim vetëm 20 përfaqësues të të rinjve komunistë, të grupeve, rajoneve e shtresave të ndryshme, por detyra madhore që morëm përsipër ishte të krijonim një bashkim të fuqishëm të gjithë të rinjve antifashistë të Shqipërisë”.
Një vend me një prapambetje shumë të madhe ekonomiko-shoqërore dhe me fare pak vjet në shpinë si shtet. Si u arrit që të mobilizohen gjithë ata njerëz në kohën e luftës? Cilat ishin lëvizjet e para të rezistencës, të cilat i bënë njerëzit të besonin tek rezistenca N-Çl?
“Vërtet populli ynë, në prag të luftës ishte i varfër e me prapambetje të madhe, por ishte shumë i pasur me tradita luftarake, atdhetare si edhe virtyte, ndjenja të larta fisnike, siç ishte Besa e shqiptarit. Ne komunistët, bashkë me atdhetarë progresistë, antifashistë, ndonëse shumë të rinj, kush mësues a mësuese, nxënës a studentë që lanë bankat e shkollës dhe aulat universitare të Evropës, iu drejtuan me besim këtyre njerëzve të thjeshtë të popullit, në fshatra e qytete, burrave e grave, të rinjve e të rejave, duke u kujtuar luftërat e të parëve të tyre kundër pushtuesve që kanë dashur tu rrëmbejnë trojet e tyre e ta shuajnë si komb. Thirrja e këtyre luftëtarëve t’orëve të para, me fjalët e zjarrta të të parëve tanë “Ja vdekje-ja liri!”, si dhe ato që buçitën në mes popujve t’Europës që u ngritën kundër pushtuesve nazifashistë, “Vdekje fashizmit- Liri popullit”, ngriti në këmbë popullin tonë, në një luftë që s’ishte parë në historinë tonë, për nga pjesëmarrja e gjerë te forca e bashkimit dhe shembulli i lartë për vendosmëri të papërkulshme në sakrifica të papara deri në flijim të jetës për liri e Atdhe. Ishte besimi te këto forca të reja politike, shembulli që dhanë deri në sakrificën supreme të jetës, siç qenë aktet heroike të dëshmorëve të Shkodrës, Tiranës, Vlorës e në gjithë Shqipërinë, që bënë të ngrihen masat e rinisë e të punëtorëve në demonstrata të fuqishme, si edhe në akte sabotimi që u kujtonin orë e çast pushtuesve fashistë se “kjo tokë ka zot”.
Për fat të keq, këto forca të reja politike dhe lëvizja popullore nacionalçlirimtare që u ngrit në vend, nuk u mbështetën nga ata që konsideronin veten si “Baballarë të kombit”, si dhe nga bejlerët, bajraktarët e agallarët – pronarë të mëdhenj tokash, që s’mund t’ulnin veten, të begenisnin e të flisnin e të bashkëpunonin me ata që i quanin “brekëgrisur”, “opingar” apo me emërtime të tjera fyese, si t’ishin “bujkrobërit” e shërbëtorët e tyre. ‘Baballarët e kombit’, në vend që të mbështesnin këtë “elan “ të rinisë në shërbim të çlirimit dhe përparimit të tij, u kujdesën ta mënjanojnë nga lufta, ashtu si kërkoi përfaqësuesi i Mit’hat Frashërit në Konferencën e Pezës, gjoja që të mos dëmtohej pjesa më e njomë e popullit, gjë që vazhduam ta dëgjojmë e ta lexojmë edhe më vonë në letrat, deklaratat, e shtypin e tyre. Balli Kombëtar përjashtoi nga kjo luftë dhe vajzat e gruan shqiptare, duke organizuar një fushatë intensive të ndyrë për t’akuzuar lëvizjen antifashiste nacionalçlirimtare, duke njollosur në mënyra më të turpshme vajzat shqiptare, sikur edhe në historinë më të lashtë te vendit tonë, të mos kish luftëtare e heroina gra, siç kanë mbetur në kujtesën e popullit Donika e Kastriotëve, Nora e Kelmendit, vajzat e Sulit, Shota e Kosovës e 6 mijë partizanet e LANÇ-it, që ndoqën shembullin e tyre, e nga radhët e të cilave shumë dhanë jetën e tyre”.
Një luftë e madhe për t’u besuar dhe fituar ka nevojë për modele. Cilat ishin modelet e tyre që komunistët prezantuan te njerëzit e thjeshtë për t’u besuar?
“Modeli? Në radhë të parë vetë luftërat e popullit tonë, duke pasur si model ato që bëri Skënderbeu ynë i madh, që çuditi një Evropë të tërë, çetat e rilindësve tanë, kryengritjet e 1911 e 1912-ës në veri, ato në jug, në Korçë e Labëri, s’po angazhohem në emra komandantësh legjendarë të njohur nga populli ynë, se janë shumë. A nuk ndoqën shembullin e tyre çetat e para partizane, si ajo e Myslim Pezës, ajo e Teki Kolanecit në Kolonjë, në Skrapar etj.
Njësitet tona guerile në qytete a nuk bënë atë që bëri Çerçiz Topulli në Gjirokastër, ose dy vëllezërit Hasan e Hysen Ballanca në Dibër, kundër binbashëve otomanë. Apo atë që bëri Avni Rustemi në Paris kundër një tradhtari të Atdheut? Por dimensioni i pakrahasueshëm i Luftës N-Çl me një fuqi shumëmilionëshe, e pajisur me teknikë të re luftarake, kërkonte një përballim adekuat, për këtë dhanë kontributin e tyre ushtarakët shqiptarë, që në bazë të studimeve që kishin bërë në Akademi ushtarake, Itali e gjetkë, pasi u lidhën me LANÇ-in, trajnuan kuadro udhëheqëse të reparteve partizane, sidomos për mjetet e teknikës së re t’armatimeve, që u rrëmbenin pushtuesve në luftime, po dhe nga guerilet e qyteteve, në kazermat a vend ruajtjet e arsenalit ushtarak t’armiqve. Në këtë drejtim ndihmuan me përvojën e tyre ushtarakë italianë, që pas kapitullimit të Italisë fashiste, u lidhën me ushtrinë tonë partizane. Pati shokë që kishin marrë pjesë në Luftën e antifashistëve në Spanjë, si Mehmet Shehu, që u shqua për aftësitë ushtarake në komandimin e reparteve të mëdha, si Brigada e Divizione partizane. Nga komandat e larta të njësive partizane ndiqej zhvillimi i luftimeve të ushtrive të aleatëve të mëdhenj anglo-sovjeto-amerikane kundër ushtrisë barbare hitleriane, por atëherë s’kish as televizion dhe sidomos Shqipëria si vend i vogël nuk kishte mundësi të krijonte lidhje dhe të përfitonte nga përvoja e tyre e madhe nga Lufta e Dytë e pashembullt botërore. Siç dihet, lufta partizane në Jugosllavinë e Titos ka qenë e ashpër dhe e vlerësuar mirë nga aleatët e mëdhenj. Udhëheqja e PKSH-së dhe Shtabi i Përgjithshëm i UNÇL ka pasur njohuri me kontakte ose materiale të shkruara mbi aspekte të organizimit të njësive partizane dhe taktikave të luftimit, por nuk mund të themi se ushtria partizane jugosllave ka qenë model për ushtrinë tonë, sepse përveç faktit të njohur botërisht, që lufta antifashiste partizane në Jugosllavi ka qenë po aq e ashpër në mes forcave të brendshme kundërshtare për vdekje, që u përkisnin popujve përbërës të Federatës serbe, kroatë, malazezë etj. Në dokumente të Partisë e të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇL ka letra e proces-verbale që dëshmojnë se ne s’kemi qenë dakord me kritikat e misionarëve jugosllavë, si me shefin e Shtabit jugosllav për Ballkanin, V. Tempo, që çetat t’ishin të shpërndara në fshatra, që brigadat partizane të quheshin “proletarë” etj., etj. Në 10 korrik 1943 ishte formuar Shtabi i Përgjithshëm i UNÇL dhe po në gusht ishte formuar Brigada e Parë Partizane, kurse Titoja në dhjetorin e këtij viti këshillonte udhëheqjen tonë që të krijoheshin reparte të mëdha e të sulmonin forcat armike në mënyrë më frontale (siç na këshillonte Tempoja, me të cilin Enveri sa herë takohej me të do të grindej, po ashtu e acaruar ishte dhe korrespondenca në mes tyre për qëndrimet e tij shoviniste ndaj shqiptarëve të Maqedonisë, ku kish ngritur shtabin e tij, t’ashtuquajtur ballkanik)”.
Si e mbani mend Qemal Stafën, Vojo Kushin, Zef Malën, Abaz Kupin dhe personazhet e tjerë më të spikatur të fillimit? Kush ishin njerëzit më të këndshëm për rininë e asaj kohe?
“ Lista e personazheve politikë që kam njohur, si ata komunistë, nacionalçlirimtarë, po dhe nacionalistë është e gjatë. Unë jam në përfundim të një libri me kujtimet e mia personale, si pjesëmarrëse në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, por nuk mund të them se kur do të botohet, sepse kjo gjë është e lidhur me kushte e rrethana që nuk varen nga unë. Aty unë kam një galeri portretesh, me përshkrime e kujtime për shokë, shoqe, miq e personazhe politikë që kam njohur gjatë jetës sime revolucionare e luftës NÇL.
Po them pak fjalë për Qemal Stafën e Enver Hoxhën. Siç thashë dhe më lart, Qemal Stafën e takova dhe e njoha për herë të parë në verën e 1937, vazhdova lidhjen me të për të marrë udhëzime dhe për t’i raportuar mbi punën agjitative, edukative dhe organizative me vajzat e Institutit “Nana Mbretneshë”, deri sa ai në janar të 1939 u arrestua nga regjimi i Zogut dhe me qëndrimin e hapur e të vendosur që mbajti para gjyqit, djaloshi 19-vjeçar, komunisti Qemal Stafa u bë njeriu më i dashur i rinisë shqiptare dhe me vdekjen e tij heroike u bë simbol i luftës që përfshiu gjithë rininë e popullin shqiptar kundër pushtuesve fashistë. Dhe i tillë do të mbetet. Mua më vjen mirë që erërat antikomuniste që frynë edhe mbi Shqipërinë tonë nuk e fshinë emrin e këtij idealiste të ndritur që sakrifikoi rininë e jetën e tij për liri e Atdhe. Në librin e kujtimeve që është botuar i kam kushtuar një kapitull të veçantë cilësive të tij të veçanta, si një i ri me inteligjencë të mprehtë, kulturë e pjekuri mbi moshën e tij, një njeri që kish gjithë cilësitë e domosdoshme për të qenë një udhëheqës jo vetëm për rininë, që me natyrën e tij të gjallë, të qeshur e të dashur punonte me të gjithë njerëzit, të çdo rangu, që nga më i thjeshti e deri më i ngrituri, qoftë intelektual, politikan, i ri a i moshuar. Ndoshta në kujtimet e mia për punën me rininë e luftën NÇL, kam ende për të shtuar diçka më shumë për Qemal Stafën”.
Kur u njoh realisht Enver Hoxha?
“Nuk e kam të qartë se për çfarë ‘kohe’ bëhet fjalë e ‘sa njihej’ nga kush? Realisht, Enver Hoxha njihet së pari në vendlindjen e tij, në Gjirokastër, që kur ishte nxënës i dalluar në gjimnazin e këtij qyteti, me pjesëmarrjen aktive në veprimtari kulturore, teatër etj.; si dhe në aksione politike, në protesta e demonstrata të rinisë e popullsisë qytetare; kur paria e vendit e caktoi atë djalë të ri 28-vjeçar, si delegat të Gjirokastrës për të marrë eshtrat e Çerçiz Topullit dhe Muço Qullit; kohë kur e njohën dhe qytetarë të Shkodrës, kur ai më 1936 doli nga ballkoni i Bashkisë, përkrah dinjitarëve të lartë politikë e klerikë të këtij qyteti. E njohu edhe Korça si nxënës e profesor. E njohu rinia e Tiranës, përkrah saj në demonstrata të përgjakshme kundër pushtuesve; e njohën dhe armiqtë që e dënuan me vdekje që më 1941. E njihnin dhe dhjetëra e qindra personalitete, intelektualë e politikë, antifashistë, progresistë dhe nacionalistë, ku shumë nga këta ishin emigrantë në Itali e Francë, gjatë studimeve jashtë, dhe vazhdoi të zhvillojë bisedime me kokë në torbë, në Tiranë apo ku të ishin, që nga Shkodra në Vlorë, në qytete a malësi. E njihnin gjithë kuadrot drejtuese të organizatave të partisë që u ngritën në të gjitha rrethet e komandat e çetave e brigadave partizane, jo vetëm nga letrat me shumë lloj pseudonimesh, por janë fakte të dokumentuara që ai shkonte nga rrethi në rreth dhe mori pjesë vetë në inaugurimin e shumë njësive partizane, e bëheshin shumë mbledhje pune, partie e fronti, mjafton të kujtojmë mbledhjet historike kombëtare: Konferenca e Pezës, Labinotit, Helmësit (BRASH-i), Përmeti, Berati. Mund të themi se gjerësisht e zyrtarisht Enver Hoxha u njoh si udhëheqës kryesor i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, si Komandant i Përgjithshëm i Shtabit të Përgjithshëm i UNÇL dhe Kryeministri i Qeverisë së Përkohshme Demokratike të Shqipërisë, i zgjedhur nga Këshilli Antifashist Nacionalçlirimtar, që u riformua e u zgjerua nga Kongresi i LANÇ-it në Përmet dhe u njoh nga gjithë populli ynë dhe në botë, ku qeveria e re erdhi ne Tiranë dhe ku Enver Hoxha nga ballkoni i hotel “Dajtit” dhe në emër të saj shpalosi perspektivat për të ardhmen e Shqipërisë: “Më shumë bukë, më shumë kulturë”.... të bashkuar e me punë të palodhur.
Po unë e di se ka njerëz, si ndonjë moderator televiziv, që me qëllim e ligësi sa herë interviston pjesëmarrës në luftën N-Çl, nuk lë rast pa e ngritur pyetjen: Si e ka drejtuar luftën e sa ka qenë realisht i njohur Enver Hoxha, për të dendësuar hijen që ka njëzet vjet që mundohen të hedhin mbi rolin e figurën e tij, ose nga ndonjë politikan a shkrimtar i kohës, që edhe i pëlqen të pohojë se ka qenë partizan, por ndonëse 14 vjeç dhe në muajt e fundit të luftës, ai s’kish dëgjuar për Enver Hoxhën dhe që atëherë paska parë gjëra të shëmtuara, por që nuk i shkruante dot atëherë, prandaj po i rishikon kujtimet e romanet e shkruara me “sy-ze” të reja, të modës antikomuniste. Puna e tyre! Enveri është një shkëmb që askush s’e mënjanon dot nga rruga e historisë së Shqipërisë”.
Si u arrit që të ringrihej Lëvizja antifashiste pas dy operacioneve të nazistëve? Si e kujtoni atë kohë dhe ku jeni gjendur juve personalisht më së shumti? Si ishte gjendja e popullit të thjeshtë në atë kohë?
“Gjatë Operacionit nazist të Dimrit, unë kam qenë gjithë kohën brenda në qytetin e Tiranës. Kurse Operacioni i Verës më gjeti në Përmet e malet e Zagorisë, që e kam përshkruar gjatë në kujtimet e mia. Veçanërisht Operacioni i Dimrit ka qenë shumë i rëndë për njësitë partizane, jo vetëm nga dimri jashtëzakonisht i acartë, por ai e gjeti partinë dhe këshillat N-Çl në një fazë demobilizimi iluzor, i shkaktuar nga ngjarja e gëzueshme e kapitullimit të Italisë fashiste. Lëshimet e njohura në Tiranë, Elbasan, Vlorë, Berat, Gjirokastër i kushtuan rëndë Lëvizjes N-ÇL me arrestime masive e deri zhdukje patriotësh të shquar e kuadro të lartë partie, që kushedi në ç’kampe a furra naziste të vdekjes mbaruan. Por në fund të fundit, Lëvizja antifashiste N-Çl dhe ushtria e saj partizane kishin mbështetjen e gjerë e të vendosur të popullit dhe pushtuesit nazistë, të mbështetur haptas nga forcat reaksionare të Ballit Kombëtar e të tjerë tradhtarë, nuk ia arritën dot t’i likuidojnë as me Operacionin e Dimrit, as me terrorin e masakrat që pasuan në qytete, si 4 shkurti në Tiranë dhe as me operacionin e qershorit pas Kongresit të Përmetit më 24 maj të 1944.
Është fakt që me ringjalljen pranverore të natyrës, u grumbulluan, u përtëritën e u shumuan repartet partizane dhe u organizuan në njësi më të mëdha, në Divizione e Korparmata , që u ngarkuan të vazhdonin luftën çlirimtare edhe në zonat e tjera, ende të robëruara, si ato përtej Shkumbinit e më në Veri e Verilindje se Atdheu, Shqipëria ishte një dhe e pandarë”.
Pse i mbështetën, sipas jush, shumë nga ballistët dhe nacionalistët këto operacione të egra të nazistëve?
“Nuk di a është e drejtë të merremi me ata mercenarë mjeranë, si të ashtuquajturit “Baballarë të kombit”, si kryeagjenti kuisling Mehdi Frashëri, lideri i Ballit Kombëtar Mit’hat Frashëri, kryetari i zogistëve dhe bajraktarët e Dibrës, që rekrutuan në malësitë veriore të Shqipërisë e në Kosovë, dhe u dhanë nga një pushkë dhe u thanë: Luftoni për Shqipërinë e madhe etnike kundër partizanëve, që janë komunistë sllavë a grekë.
Mehdi Frashëri justifikonte bashkëpunimin me gjermanët gjoja për arsye madhore “sepse, sipas tij, vetëm Gjermania do të mund të siguronte kufijtë e vërtetë të Shqipërisë, pra Shqipërinë etnike”, duke bërë sikur nuk e dinin, që kjo ishte në kundërshtim me Kartën e Atlantikut dhe qëndrimin e Aleancës së madhe antifashiste që nuk do lejonte ndryshimin e kufijve pas Luftës së Dytë Botërore. Ai bënte thirrje që t’i jepej fund luftës “vëllavrasëse” ç’ka nënkuptonte pushimin e luftës ndaj nazistëve dhe shuarjen e lëvizjes N-Çl. Në një nga shkrimet e tija shkruante: “Nuk mund të kërkohen flijime të reja, sidomos kundër një vendi që është aq i fortë, sa lufton me tërë botën”. A nuk të bën që një pohim i tillë kaq ekzaltues i fuqisë së Gjermanisë hitleriane tu japësh të drejtë disa historianëve që kanë ngritur edhe tezën se antikomunizmi i tyre i shtynte të prireshin e të shpresonin më shumë fitoren e Hitlerit se sa të Stalinit, pa u menduar thellë se kështu viheshin kundër gjithë Fuqive të mëdha demokratike të Evropës si edhe SHBA-ve etj.
Me këtë qëndrim politik të gabuar e dritëshkurtër ka të bëjë dhe platforma e Ballit Kombëtar “e pritshmërisë” e formuluar nga kryetari i saj Mit’hat Frashëri. Sipas kësaj platforme – që edhe historianë të huaj në shkrimet e tyre mbi luftën në Shqipëri e theksojnë: “shqiptarët përgatiteshin politikisht dhe ushtarakisht për të zbritur në fushën e luftës në kohën më të përshtatshme, kur armiku i huaj të mos ishte në gjendje të kundërvepronte dhe kur PK-ja e rraskapitur nga goditjet e pushtuesve, të mos ishte në gjendje të kundërvepronte forcat e freskëta nacionaliste”. Kulmi i cinizmit e ëndrra në diell! Oficeri i misionit anglez Entony Kuajli do i shkruante Londrës: “BK mendon se rreziku i komunizmit është më kërcënues sesa sistemi fashist”.... Studiuesi amerikan Edwin Jacques në librin e tij “Shqiptarët” shton : “Në këtë mënyrë për Ballin Kombëtar, antikomunizmi doli mbi antifashizmin (ndodhte në të njëjtën kohë kur Fuqitë e Mëdha demokratike SHBA dhe Anglia ishin në aleancë të plotë me Bashkimin Sovjetik komunist)”. Anglezët u munduan deri në fund që të bindnin BK dhe Legalitetin të kapërcenin gjendjen e pritshmërisë dhe të hidheshin në luftë. Ishte kjo nga trysnia e Aleatëve por dhe nga disfatat që po pësonin forcat e Wehrmat-it hitlerian në të gjitha frontet e luftës në Lindje e Perëndim të Evropës si edhe në Afrikën Veriore, ku forcat aleate anglo-amerikane zbarkuan nga Italia fqinje. Flitej dhe pritej një zbarkim i mundshëm në Ballkan, mund dhe në Shqipëri sepse kish mbaruar koha e pritshmërisë sepse populli mund ti ndëshkonte dhe tu kthente shpinën për jetë ndaj duhej të merrnin pjesë si “Baballarë të kombit”.
Ndërkohë edhe pala tjetër Lëvizja N-Ç po e shikonte se lufta e forcave aleate dhe e popujve në Evropë kishte marrë tashmë kthesën drejt fitores dhe bëri përpjekjen e fundit që Balli Kombëtar e Legaliteti të shkëputeshin nga flirtimi e bashkëpunimi me pushtuesit e të bashkuar të merrnin pjesë në luftë të armatosur kundër pushtuesve të saj, nazistëve gjermanë, që kishin arritur në kufijtë tanë. Prandaj të dy palët qenë të interesuar e shkuan në Mukje në gusht të 1944, ku u zhvilluan disa ditë bisedime dhe u arrit të nënshkruhet një marrëveshje, e cila siç dihet e anulloi udhëheqja e lartë e Lëvizjes N-Ç sepse delegacioni i saj nuk respektoi direktivën kryesore: Bashkim për luftë të armatosur kundër pushtuesve, ndërsa në krye u vunë çështje të tjera, si krijimi i një Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë, sikur nuk ekzistonte Këshilli i Përgjithshëm i Frontit Antifashist N-Çl, i zgjedhur që në Konferencën pluraliste të Pezës që kish drejtuar në gjithë këto vite, luftën kundër pushtuesve fashistë me forcat e armatosura partizane e këshillat popullore Nacional-çlirimtare. Për prishjen e marrëveshjes janë bërë shumë spekulime, sikur ajo u prish nga Miladin Popoviçi sepse “aty flitej për Shqipërinë etnike”. Kjo tezë nuk qëndron fare po të kihet parasysh dhe vetë letra e Miladinit një muaj para Mukjes në korrik i drejtonte KQ të Partisë së tij të Titos, ku dëshmon për çështjen e Kosovës e rolin që mund të luante PKSH e Lëvizja NÇL në Kosovë, sepse ai kish kaluar krejtësisht në pozicionin e drejtë të PKSH-së, gjë që u bë shkak dhe pse e larguan nga Shqipëria, madje u organizua dhe vrasja e tij mu në zyrën e punës në Kosovë. As mund ti shkonte nëpërmend Enver Hoxhës që ta vinte këtë çështje (të Kosovës etnike) mbi çështjen e madhe të çlirimit të Atdheut mëmë me një marrëveshje në kartë, sepse i vihej viza luftës, gjakut, e sakrificave të masave popullore.
Enverit pastaj do t’i mbetej në kurriz akuza e “prishjes së bashkimit në Mukje” (dhe do të kishin të drejtë dhe disa që bëjnë pyetjen se: a kanë pasur faj dhe komunistët, që ‘nuk u kristalizua një front i përbashkët?’ po sikur të mos kishin ngjarë ato që ngjanë pas Mukjes. BK e tregoi se nuk ishte për luftë . Më 7 tetor, në një qarkore të Ballit, Mit’hat Frashëri urdhëroi ndalimin e çdo veprimi ushtarak kundër forcave gjermane (megjithëse as nuk kishin pasur të tilla).
Historiani Bernd Fischer, në librin e tij “Lufta N-ÇL në Shqipëri” shkruan:”Pas kësaj, BK nisi të rrëshqasë me shpejtësi në kolaboracionizëm më të thellë nga ç’kishte qenë me italianët”. Më poshtë citon Julian Emery, i cili në librin e tij “Bijtë e Shqipes” thotë:”...fillimisht çetat e Ballit nisën të informonin gjermanët mbi lëvizjet e forcave partizane, bazat, zonat e influencës të Lëvizjes N-Ç..nga pak u armatosën me ndihmën e gjermanëve dhe të qeverisë kuislinge dhe po me ndihmën e tij morën në administrim zona të tëra të vendit”.
Për këto veprime të turpshme, në fillim të shkurtit të 1944, oficerët e misionit anglez njoftonin Londrën se “...për partizanët po bëhej gjithmonë e më e vështirë përballimi i ushtrisë gjermane, pasi tani asaj i janë bashkuar çetat e Ballit e së bashku po zhvillojnë operacione kundër forcave partizane...”
Me gjithë këto, oficerët misionarë anglezë u munduan deri në fund që BK dhe Legaliteti të hidheshin në Luftë. Kështu gjenerali Deivis, në një raport të 13 Nëntorit 1943 i shkruante Londrës që të përkrahej dhe BK, se kam në dorë një marrëveshje me shkrim ku ky angazhohet se do të luftohet kundër gjermanëve dhe derisa të mos kemi prova se kjo është false, unë propozoj,q ë të vazhdoj kontaktet me Këshillin e BK” Vetëm disa ditë më vonë, 17 Dhjetor 1943 (në kulmin e Operacionit të Dimrit) ai shumë i revoltuar, rekomandon të denoncohet Këshilli i Regjencës, kolektivisht dhe një për një me emër. Po ashtu duke denoncuar edhe BK-në e Zogistët . Për ironi të fatit ishte pikërisht në duart e Ballit në kohën kur gjenerali anglez ra rob duke refuzuar këshillat e mbrojtjen e Enver Hoxhës dhe kuptohet këta e dorëzuan te gjermanët. Komanda gjermane nuk mund të mos ishte në dijeni të flirtimeve të bashkëpunëtorëve të tyre të lartë me anglezët dhe të tronditur pas dështimit të operacioneve të tyre ushtarake dhe të zemëruar për paaftësinë e Regjencës, e shpërndanë këtë dhe formuan njëra pas tjetrës, disa qeveri, shumë anëtarë të të cilave ose nuk pranonin ose shpejt jepnin dorëheqjen. Më në fund gjermanët qeverisën me kryeministër Rexhep Mitrovicën e Xhafer Devën, në kohën e të cilëve ngjanë masakra rrëngjethëse, si ai i 4 shkurtit 1944 në Tiranë. Të nesërmen e kësaj masakre, në gazetën “Bashkimi Kombit”, në një artikull “Gjaku don gjak “kërkohej që “gjaku të rrjedhë rrëke rrugëve të Tiranës...Gjaku është shërimi rrënjësor i të infektuarit...terror kundër anarkistëve, terror kundër nacionalçlirimtarëve, kundër simpatizantëve të tyre...një ditë terror siguron dhjetë vjet qetësi”.
Dhe pas thirrjeve të tilla, vazhduesit e pinjollët e këtyre kalemxhinjve dhe padronëve të tyre kuislingë kanë sy e faqe të akuzojnë Lëvizjen N-Ç për luftë civile. Nëqoftëse ka pasur Luftë civile është pikërisht ajo skotë që kërkonte gjak shqiptari....që kërkonte dhe organizonte”terror kundër nacionalçlirimtarëve (madje edhe) kundër simpatizantëve të tyre...”Këto thirrje ngjanin si genocid si pogromet hitleriane.
Dëgjojmë dhe lexojmë se po bëhen përpjekje që kuislingë si Rexhep Mitrovica e Xhafer Deva dhe disa bajraktarë që kanë lyer duart me gjak shqiptari të rehabilitohen siç po bëhet në fakt me regjentët kuislingë, Mehdi Frashëri, Patër Anton Harapi, Lef Nosi e lidera të tjerë kolaboracionistë të kompromentuar me pushuesit nazifashistë, si Mit’hat Frashëri i Ballit dhe Abaz Kupi i Legalitetit.
Historianët evropianë e amerikanë që kanë ndjekur luftën Nacional çlirimtare kanë arritur në një konkluzion, në atë që shpreh Reginald Hibbert në librin e tij “Fitorja e Hidhur”: “Krerët Nacionalistë shqiptarë me hezitimin për të luftuar kundër pushtuesit gjermanë, humbën shansin për të luajtur një rol në Shqipërinë e pas luftës”.
Vijon në numrin e ardhshëm
12 Prill 2010