Kurora e Gjelbër, ose si po asfiksohet Tirana?!
Betoni po përparon ngadalë, por pandalshëm në drejtim të Kurorës së Tiranës. Gjithçka para syve tanë dhe tash na ka mbetur thjesht ta kundrojmë. E nëse do provosh të flasësh me zyrtarët e Komunave të Dajtit, Farkës, Vaqarrit dhe Petrelës, kjo pyetje do të mbetet thjesht retorike. Ata do të nxjerrin para harta, do të flasin për Mastërplanin apo për pamundësi, por asnjëherë për shkatërrimin dhe mundësinë e parandalimit. Për ta nuk ekziston parregullsi dhe gjithçka është në rregull. Madje, edhe kur ti vjen i pluhurosur prej makinave që mbartin dheun e nxjerrë, nga kodrat...të themi p.sh. si tek zona pas Liqenit Artificial, që i përket Komunës Farkës, ku po punohet intensivisht. Ah, po, në këtë rast, merr veç justifikimit..dhe një buzëqeshje
Ben Andoni
Pak e vjetër. Pietro Quaroni, diplomati i njohur italian, përmend sesi komuniteti i të huajve në Tiranë në vitet ‘30 e kishte shumë për qejf një rrëfenjë për shqiptarët. Zoti kishte zbritur në Tokë, por ishte deziluzionuar shumë prej ndryshimeve. Civilizimi i vdekatarëve e kishte trembur. Befas aura i kishte ndritur sërish. Kishte mbërritur në Shqipëri dhe vendi ishte ashtu si e kishte krijuar...me natyrën krejt të virgjër. Ndoshta, këtë barcaletë, një vdekatar jo fort i zakonshëm, Sekretari i senatorit Lorenzo Bernardo në shek XVI e shikon natyrshëm :”Lamë në të djathtë fushën e Matit, ecëm në faqe të maleve dhe u ngjitëm në një breg dyllor me dushk mjaft të madh në të cilën morëm dy orë udhë. Ky quhet pylli i Shpërdhetit. Kapërcyem dy ujëra dhe një përrua dhe, si dolëm nga pylli hymë në një fushë të madhe dhe të famshme të Skënderbeut të quajtur Tiranë dhe e rrethuar me malet e Krujës, qytet fisnik i Shqipërisë që ka qenë më parë në zotërim të zotërve tanë(Venedikut)”.
Në temë
Pak shekuj më vonë, Shqipëria e natyrës së virgjër, është thjesht një iluzion. Ndërsa në zhurmën e makinave të tonazheve të ndryshme, që i ngjiten ngeshëm kodrave pas liqenit, në zonën e identifikuar si Garunjë e që përkon me administrimin e Komunës së Farkës, ne tre ish-notarë, që pretendojmë se e njohim mirë vendin, e kemi gati të vështirë, që ta precizojmë se ku ‘jemi’. 15 vjet më parë, na duhej që në këtë vend, që njihej si pragu i Kurorës së Gjelbër të qytetit, të bënim stërvitjen dhe mushkëritë tona, t’i faleshin ajrit dhe mrekullisë së tyre. Tashmë ajo kohë është larg. Është koha e një betonimi të frikshëm, që e ka ndërruar të gjelbrën e mjedisit me hirnosjen e betonit. Ne jemi bash të habitur përballë njërës nga kodrinat, në këtë vend, që njihet si Garunjë, ngaqë ajo po zhvishet ngadalë nga të gjitha anët. Në fakt kështu ka nisur dhe me këto pallatet pak më tutje, që dikur nisën kështu...po ‘thjesht’. Fillimisht, u prenë pak ullinj. U gërmua dhe Ja rezultati... E gjitha i ngjan një imazhi surreal dhe kjo na bën që të fotografojmë vetë. Të paktën të mbesë, ajo që mund të mbesë në kujtimin e celuloidit. Nuk i ngjan pak valës së tifozerisë, që ngrihet në stadium,- thotë dikush. Po, por humori i zi s’kapërdihet gjithmonë. Makinat dhe subjektet, që sot kanë filluan të zhveshin kodrat jugore të Tiranës, në pjesën e Farkës, Dajtit e kudo ku janë masat më të mira të mushkërive të Tiranës, e kanë shtrirë pak nga pak pushtetin që pas Kopshtit Zoologjik e në të gjithë drejtimin e asaj që njihet si Kurora e Tiranës. Në këtë lagje të re kryeqytetase, që është gati 200-300 metra tutje Kopshtit Zoologjik, mund të shikosh vërtetë atë që Homo Albanicus i ka bërë natyrës. Gërmime të freskëta. Pemë të prera. Jemi pa gojë. Betonimi po i afrohet frikshëm dhe disa lëndinave që janë fill mbi liqen. Në fakt, ka qenë e paralajmëruar sepse që pas vendimit të Qeverisë Meksi më 1996, kjo zonë do të tjetërsohej pandalshmërisht frikshëm. Qarku fajin e delegonte te KKRT, që në mënyrë të vazhdueshme s’ka begenisur për zhvillimin normal të periferisë. E ka lënë të qetë kaosin dhe makutërinë. Në një mbledhje të fundit, që është bërë në atë kohë, ka qenë pika 8 e rendit të KKRT-së që ka mbetur e paprekur?!! Bash, ajo... Ashtu si kinse do mbeteshin shumë gjëra pa u prekur, për t’ua lënë në dorë pastaj atyre që e rregullonin këtë punë. Pallatet gjashtëkatëshe një nga një i zunë vendin gjelbërimeve, pas Liqenit Artificial, kurse pasiviteti i njerëzve u dha hov këtyre biçim konkuistatorëve shqiptarë. KRRTSH në miratimin e studimeve dhe parqeve të qyteteve, parqeve kombëtare, etj., një ditë mori edhe studimin e Farkës, që u miratua me vendim të KRRTSH Nr.1, datë 7.02.2006.
Kodrat në jug të Tiranës nuk shquhen për biodiversitet, prandaj shpallja e tyre si zona të mbrojtura nuk mund të mbështetet në ligjin 8906, datë 6.6.2002 “Për zonat e mbrojtura”.Dhënia e një statusi të veçantë me VKM territoreve të miratuara si parqe në studimin mjedisor dhe rajonal të zonës së Farkës, do shkruanin në projektin e tyre ambjentalistët dy vjet më parë. Harroje.
Ndërtesat shumëkatëshe, sot janë shtrirë në të gjitha drejtimet e Kurorës, duke gëlltitur ngadalë sipërfaqe të tëra të gjelbërta që dikur shërbenin për çlodhjen dhe argëtimin e banorëve të kryeqytetit. Blloku i ri i banesave, që tashmë njihet konvencionalisht si Blloku te rruga “Komuna e Parisit” i mori fillimisht pa shumë zë kodrat e gjelbra në jug të Tiranës. Pak zërat në shtyp u mbytën, ndërsa ndërtuesit duket se i lanë rrugë njëri-tjetrit. Më pas ndërtimet u shtrinë në rrethinat e Kopshtit Botanik, Kopshtit Zoologjik dhe kodrat e Selitës, që dikur formonin të plotë në këtë pjesë të kryeqytetit, Kurorën e gjelbër të Tiranës. Tashmë duket e largët edhe dita kur në mes të vitit 2007 komuna e Farkës pranë Tiranës miratoi dhënien e lejeve të ndërtimit për 20 pallate të reja, në zonën prej Kopshtit Zoologjik e përgjatë Liqenit Artificial, në atë që është zonë e gjelbër. Janë të tjera syresh, që u bënë pas tyre dhe që e harruan historinë e parë. Dhe, që e mbuluan atë frikë të ambientalistëve. Bash, nga kjo që kemi përballë syve dhe të tjerë që do t’u vi rradha shpejt. Në atë vend që shpresohej se mund të rivitalizohej apo të ndërtoheshin vila, vreshta, kullota apo kushedi se çfarë, dora, mendja dhe makutëria e njerëzve të sotëm, thjesht betonizoi. Na duhet të konkludojmë pak, sepse veç pluhurit ‘dikujt’ i tërheqim vëmendjen. Çfarë doni që fotografoni?-i thotë njërit prej nesh, që vazhdon i patrazuar të fotografojë. Hiç, argëtohem, ia bën shoku ynë, që dikur na mbushte mendjen me planet e mëdha, që do kishte Demokracia. Ka plotësuar një degë jurisprudence për arkeologjinë, por nuk i gjen dot ndonjë logjikë juridike të gjithë kësaj. Në dy të tjerët tallemi me episodet e një filmi të Neorealizmit italian, ku shtëpitë ishin po kaq afër sa këto të betonierëve tanë. Ajo, që na bashkon, në këtë moment është Liqeni, vendi që i kemi falur vite të tëra stërvitje. Ai është kthyer në një mjeran të pisët, që të vjen ndot t’i afrohesh. Vetëm se shkatërrimi që po i bëhet Kurorës s’mbaron këtu. Fshatarët kanë prekur ullinjtë, për të cilët vërtetë Komuna dhe subjektet nuk kanë çfarë t’u bëjnë sepse janë pronë private. “I kanë regjistruar si tokë arë dhe kjo u jep të drejtën të bëjnë çfarë të duan me to?!”, na thotë një specialist, që nuk do të identifikohet.
Gati dy vjet e gjysmë më parë, kujtojmë sesi kryetari i komunës së Farkës në një intervistë përmendte me patos dhënien e 300 lejeve ndërtimi. Paskëtaj, të pandalura ndërtimet, ato madje arritën dhe u shtrinë deri në unazën e Brendshme, rreth liqenit, vendit që na duhej ta përshkonim gati për çdo ditë. Liqeni vetë tani ngjan i përgjysmuar. Ka mbetur vetëm pjesa e Parkut që është në anën veriore të Liqenit dhe ajo gjithsesi pak nga pak e ngrënë. Një shtëpi në mes të Parkut, një mjedis tjetër ngjitur me Gardën dhe të tjera që janë, ngjiten pak nga pak nga ana që përkon me drejtimin e Fakultetit Filologjik. Është ngacmuar një pjesë e mirë e mjedisit, është dëmtuar mushkëria e qytetit, por kujt mund t’i thuash. Dhe, në këtë kaos ku ka kohë që politika konfuzohet, lëvrijnë përfituesit. Makinat vazhdojnë...Edhe të shtunën (një javë më parë), më thotë një nga shokët që ka qenë dhe një ditë më parë. Kujtojmë se njësoj filloi dhe me Kopshtin Botanik. Eliminuan pak nga pak gjelbërimin dhe tashmë e ka radhën zona e Kopshtit Zoologjik. Është shkatërruar rreth saj peizazhi natyror, ndërsa ujërat e zeza e kanë ndotur liqenin e madh dhe liqenin e Kopshtit Zoologjik. Dhe në Selitë, që ndërkohë prirja e ndërtimeve po shkon drejt ngjitjes ne kodra për t’i mbuluar edhe ato me ndërtime.
Si justifikohet
Por është e pamundur që në këtë përpjekje mos të ketë një justifikim të qartë. Pak ditë më parë jam ngjitur në Linzë. I pyetur nga MAPO për hartimin e ndonjë Mastërplani për Kurorën e Gjelbër, që lidhet me komunën e tij të Dajtit përgjigja e kryetarit K.Qefalisë është e thjeshtë: “Pavarësisht se Kurorën e ka në administrim Pyjorja, ne si pushtet lokal kemi mbledhur kryepleqtë e fshatrave dhe u kemi thënë që të mos vazhdojë të prishet Kurora e Dajtit sepse dimë se kanë vazhduar ta presin ...Dëmtimet më të mëdha kanë qenë në Priskë...Ndërsa në vitet e fundit që pas 2007 s’kemi pasur probleme. Kemi problem vetëm me guroret që janë përreth. Kemi bërë punën tonë duke u folur si pushtet me dokumentacionin dhe kemi bërë ndalimet për këtë gurore”. E pyes nëse do kishte pushtet si do e administronte. “Ne, si staf, kemi policinë e komunës që t’i parandalojmë duke e pasur nën administrim pyjorja. Por, s’kemi autoritet dhe presim që t’i marrim në administrim...”. Po atëherë si i ke ndalur, i them. “Vetëm me kryepleqtë. Ndërsa te Guroret kemi bërë takime me pronarët e guroreve dhe me drejtoritë përkatëse dhe me Ministrinë e Mjedisit”?!!!!
Kurse për Adriatik Minon, arkitektin që punon në njësinë e Farkës, gjithshka është e rregullt: “Studimi rajonal mjedisor që është miratuar me vendim KRTSh-së është bërë që në vitin 2006. Përfshin një territor prej 3700 ha dhe ajo ka administrativisht edhe Vaqarrin, Farkën dhe Petrelën, dhe një pjesë të Tiranës. Kurora e Tiranë është e ruajtur krejtësisht. Studimi rajonal mjedisor është i ndarë në sektorë, dhe ka të përfshirë Farkën, Vaqarin dhe Petrelën. Dhe studimet që janë më pas dhe që quhen studime urbanistike pjesore, e kanë respektuar atë pasi nuk bëhen dot studime pa pasur një masterplan ose studim rajonal mjedisore”…Pse mbahet si model, mastërplani juaj, e pyes: “Është në një territor të veçantë, i cili përfshin hapësira të gjëra me pyje. Ka dy liqene, si ai i Farkës dhe ai i Tiranës dhe ndaj studimi që është bërë e ka respektuar . Ka dhe zonë bujqësore apo vreshtari si në Lundër dhe që është e miratuar. Dhe, kjo do të jetë gjithmonë kështu duke e respektuar këtë teren. Ndaj nuk janë lejuar të bëhen ndërtime të larta por vetëm të ulëta, zona residenciale, të qeta por nga ana tjetër paralelisht kemi dhe polin e dytë komercial të Tiranës, që është zona e kartodromit që ka marrë zhvillim sot dhe është një qendër e re sipas masterplanit. Nga ana mjedisore, mastërplani është miratuar nga KRRTSh-ja, e cila nuk do prekë Kurorën dhe do mbetet e tillë. Për sa u përket projekteve direkte dhe konkrete për vitalizimin, nuk ka të tillë. Por, këtu ka një zonë që mbulohet me ullishtet (ajo administrohet nga privatë sepse është ndarë tani). Është menduar parku periferik i Farkës, i cili është gjigand dhe gjendet rreth liqenit dhe është edhe pjesa e pyllit të Mulletit…Rëndësia e këtij plani është se ky është në kufij me Tiranën”. Në fakt mastërplani është i rregulluar këndshëm. Ka një zonë komerciale, ka një park që është liqeni i Farkës dhe Kurora që ruhet si e tillë dhe nuk do preket. Ka dhe një bazen të madh ujor me tre diga mbi Erzen, që do të rivitalizojë të gjithë zonën…Po si ka mundësi që vazhdon e gërmohet dhe prishet këtu në Garunjë, e pyes. Përgjigja është e thjeshtë:
“Të gjitha banesat përreth Farkës janë blloqe të ulëta banimi, vila, komplekse residenciale. Janë menduar të ulëta. Garunja është me studim . “Ajo përfshin një territor të madh dhe ajo që shikon është me një studim rajonal dhe e projektuar si e tillë nga KRRTSH-ja…Studimet urbanistike pjesore kanë respektuar e risaktësuar shumë problemet e vogla që janë hasur nga studimi rajonal mjedisor”. E gjithsesi, po gërmohet, i them. Këtu në Garunjë....
Pasojat
Kuptohet gjithçka është e kopsitur, nga zyrtarët. Por në qytetin e Tiranës, hapësirat e gjelbra nga 11 m2/banorë që ishin më 1990, sot janë reduktuar deri ne 3.5 m2/person, shifër kjo që është më e ulëta në rajon dhe disa herë më e ulët se kriteret e KE-së për hapësirat e gjelbëruara te një qyteti evropian. Këto studime në letër vërtetë nuk e përjashtojnë veprimtarinë bujqësore, por në terren shikohet se veprimtaria bujqësore nuk është aq prezente. Pavarësisht gjërave, ullinjtë s’po i shpëtojnë sëpatës, ndërsa fshatari rend pa logjikë në shumë raste për të shitur tokë. Nga ana tjetër, kjo hapësirë e gjelbër e prekur nuk mund të kontribuojë në uljen e ndotjes së ajrit të qytetit të Tiranës, problem ky gjithashtu mbetet mjaft i nxehtë për qytetin dhe që në muajt e nxehtë është tejet e dukshme. Por edhe i një ndotjeje që është gjithmonë shumë e theksuar dhe që po merr haraçin e vet me jetë njerëzish sot. “Përfshirja e kodrave të gjelbra në jug të Tiranës si një vazhdim i Parkut të madh dhe si një peizazh i gjelbër natyror i mbrojtur (pra i ndaluar për t’u dhënë për ndërtime), do ta përmirësonte ketë mungesë të hapësirave të gjelbra për banorët e Tiranës dhe realisht do të shtonte mundësinë për t’u çlodhur në mjedise të gjelbra kodrinore në periferi të Tiranës për më shumë banorë”- do të shkruhej në një projekt të dy viteve më parë, që drejtohej nga ambjentalisti i njohur Xhemal Mato.
Një projekt
Kujtojmë se rritja e hapësirave të gjelbra është një zotim politik si i pushtetit lokal në Tirane ashtu dhe i pushtetit qendror aktual, kanë shtuar ambjentalistët e Eko sistemit në një projekt të tyrin me Titullin: Fushatë për dhënien e një statusi të veçantë mbrojtës kodrave te gjelbra ne pjesën jugore te qytetit te Tiranës, si një zonë rekreative dhe peizazh natyror për banoret e kryeqytetit. Por asgjë edhe paskëtaj.
Ambjentalistët kujtojnë rastin e Kopshtit Botanik të Tiranës më 1993 që ishte në një rrezik të ngjashëm i kërcënuar nga firmat e ndërtimit për ta kthyer teritorin e saj në një truall ndërtimi. Një vendim qeverie e shpalli atë një zonë me një status të veçante dhe u arrit që kjo pasuri mjedisore shkencore të shpëtojë dhe të zhvillohet , paçka se përreth tij sot është mbushur me ndërtime te lejuara nga Komuna e Farkës dhe Selitës?!!
Atëkohë, projekti synonte të arrinte pikërisht këtë qellim. Të sensibilizonte vendimmarrësit, politikanët dhe mbarë publikun që Kodrat e gjelbra në sfond të Tiranës janë një pasuri natyrore që rrethojnë qytetin, që është një peizazh i gjelbër i qytetit dhe një potencial i shkëlqyer për t’u kthyer në park rekreativ për banoret, e të ruheshin kodrat, të ndërgjegjësohej publiku dhe të reduktohej ndotja e ajrit. Për këtë i është bërë thirrje edhe dy ministrive përkatëse në atë kohë MMPAU dhe MPL për ruajtjen e këtij mjedisi të gjelbër dhe dhënien e një statusi mbrojtës për kodrat në jug të qytetit të Tiranës, si edhe grupit parlamentar të Ligjeve dhe të Mjedisit për të propozuar një ligj të ri për mbrojtjen e kodrave të gjelbra si zonë rekreative apo peizazh natyror i qytetit të Tiranës. Epilogu do të ishte: “ Duke studiuar statusin ligjor dhe strategjinë e zhvillimit urban të Periferisë së Tiranës dhe rrethinave të saj ,(Komunës se Farkës) do të synohet që në fund të projektit të dilet me një urdhërese apo ligj që i jep kësaj zone statusin e një zone të gjelbër apo një peizazhi publik të mbrojtur, gjë që do t’i bëjë të mbrojtura ndaj ndërtimeve urbane.
Sa bën. Burimet natyrore që e mbajnë këtë qytet po kufizohen dhe mbi të gjitha toka përveç se po zihet edhe po keqtrajtohet. Farka, Dajti dhe kudo po dëmtohen dukshëm. Në një intervistë të bërë pak kohë më parë te MAPO, specialisti i erozioneve V. Kovaçi, do shtonte dhe problemin teknik se “Janë mijëra e mijëra hektarë tokë që po rrëshqasin dhe mijëra të tjera, që janë gati ose parashikohen nga specialistët, që do të pësojnë të njëjtin fat prej erozionit”. Shtëpi, pyje dhe fusha të tëra po degradohen para syve të të gjithëve. Fshatarët dhe qytetarët, që po e pësojnë prej dhunimit të natyrës, kanë mbushur kronikat televizive duke u qarë dhe duke kërkuar ndihmë. Por, askush nuk i dëgjon, sepse e ka të pamundur t’i ndihmojë. Natyra po hakmerret paq me atë që i ka bërë homo Albanicus përgjatë viteve. “Mbi 150.000 hektarë tokë sot janë të kërcënuara prej politikave të gabuara të së shkuarës”- thotë specialisti, që ndërkohë rendit dhe toka, ashtu si vende të tëra që janë të vendosura dhe ndërtuara gabim. Gati në të gjithë territorin e Shqipërisë ka ndërhyrje të pa kontrolluara në gërmimet për sheshe ndërtimi dhe për pasojë edhe për menaxhimin e rrjedhave ujore sipërfaqësore”.
I gjithë problemi duket se fillon në pikën ku dëmi që i shkaktohet vendit, tejkalon shumë përfitimin momental politik të një qeverie. Por qeveritë, si kjo e sotmja dhe e djeshmja janë ekologjikisht të pandjeshme. Kurse çështja e ryshfeteve është lehtësisht e imagjinueshme, vështirësisht e provueshme dhe pamundësisht e dënueshme në një vend, ku ndjeshmëria mjedisore e publikut është shumë e ulët...dhe një gjë e tillë po ndodh dhe këtu, do të shprehej me mllef një publicist shqiptar pak kohë më parë. Nuk kemi ç’të themi më shumë se kaq.... Ndaj, ndodh që pjesa tjetër e kurorës së dikurshme të Tiranës është pushtuar nga ndërtimet informale, duke lënë një hapësirë të gjelbër shumë herë më të vogël se kriteret e Bashkimit Europian për hapësirat e gjelbëruara urbane. Ani, në Garunjë e kudo gjetkë nëpër Kurorën e Tiranës, vazhdon e punohet, sikur të mos ekzistojë më asgjë.
...
Në orët e ditës, këtë katrahurë e shikon të qartë kur kurora është e lënduar rëndë prej ndërtimeve kuturú...
Arat, qipshtet dhe pemishtet janë të punuese fare mirë dhe këto të fundit janë rrethue me gjerdhe; njerëzit janë veshë pastër dhe mirë.. Gjaja e gjallë ëasht e mbajtun mirë dhe në shumë katunde ka shtëpi me dy kate prehj dryni, të cilat përbrënda janë shumë të pastra, do shkruajë Han, një kujtim të hershëm të Tiranës
Ne nuk kemi çfarë të themi vetëm lusim që diku të gjendet pak vullnet. Pa vullnet politik asgjë nuk mund të bëhet në këtë vend, ndërsa makinat venë e vazhdojnë të ndotin pafund këtu pas Liqenit artificial. Për ne ish-notarët kjo s’ka kuptim. Për ne mbetet të themi: Na ish njëherë Tirana me kurorën e saj të gjelbër. Jo si kjo këtu, në Garunjë, Farkë, apo si e ka emrin kjo që po prishet pafund. Pak i vjetër, gjithsesi ky problem.
12 Prill 2010