E Diel, 1 Nëntor 2026

Bllokohen 27 tonë mish i pacertifikuar, u porosit nga prodhuesit e sallamit



DURRËS – Edhe pesë maune me mish importi, të porositura kryesisht nga prodhuesit e sallamit në vendin tonë, janë bllokuar në Portin e Durrësit. Pas disa rasteve të konstatuara gjatë dy muajve të fundit, sërish dje autoritetet e Sigurisë Ushqimore i kanë thënë “ndal” ngarkesës me 27 tonë mish. Burime zyrtare bëjnë të ditur se malli i konsumimit ishte e pacertifikuar nga kontrolli mjekësor, gjë që solli ngrirjen e procedurave në Portin e Durrësit. Inspektorati i Sigurisë Ushqimore tha ditën e shtunë se pesë maunet përmbanin mish dhe dhjamë, i cili nuk ishte pajisur me certifikatat e kontrollit mjekësor, rrjedhimisht, e bënte mallin një produkt të rrezikshëm ushqimor.

Bllokimi
Burimet zyrtare në Inspektoratin e Sigurisë Ushqimore bëjnë të ditur se dy prej pesë kontejnerëve ishin zhdoganuar dhe rreth 27 tonë mish janë shpërndarë në treg, ndërsa po bëhej procedura e bllokimit në port. Sipas këtij institucioni, kontejnerët me mallrat e konsumit nuk kishin asnjë dokumentacion origjine nga ishin importuar, nuk kishin adresë të kompanisë pritëse dhe as certifikatë sigurie. Sipas burimeve nga Instituti i Sigurisë Ushqimore ka rezultuar se zhdoganimi i pjesshëm i mallit është bërë në Tiranë, ndërsa nga kontrolli rezultoi se certifikatat mjekësore-veterinare ishin të falsifikuara. Ky fakt ishte konfirmuar edhe nga shërbimi veterinar i Paraguait, nga ku importohej sasia e mishit. Shërbimi veterinar i këtij vendi bëri me dije se nuk kishte ushtruar asnjë analizë për mallin në fjalë. Skandali në Doganën e Tiranës duket më i gjerë derisa rezulton të jenë lejuar të hyjnë në Shqipëri dhe të shpërndahen në treg kontejnerë me mish që në dokumente, si vend pritës, kishin të deklaruar Rusinë.

Rastet
Që nga fillimi i këtij viti janë regjistruar disa raste të bllokimeve të ngarkesave me mish importi në pikat doganore në vendin tonë. Shumë prodhues të sallamit në vendin tonë, në pamundësi për të gjetur mish me çmim të lirë në tregun e brendshëm, i janë drejtuar importit.
Më 30 mars u bllokua një sasi e konsiderueshme mishi, me vlerë rreth 300 mijë dollarë, në Portin e Durrësit, e cila prej një muaji qëndron në terminalin e kontejnerëve. Tre trajlera me rreth 2 tonë mish secili të dërguar nga Brazili qëndruan në port në pritje të marrësit. As kompania që ka dërguar mallin nuk ka reaguar fare, çka ka ngjallur dyshime te autoritetet portuale detare. Për këtë ngarkesë nuk kishte shkuar dokumentacioni i mallit as në doganë dhe as në Drejtorinë Rajonale të Bujqësisë dhe Ushqimit. Autoritetet doganore deklaruan se malli është ende në kohë për të kryer procedurat doganore.

Rritja e çmimeve dhe kriza e prodhuesve të sallameve

Prej disa muajsh tregu i brendshëm i mishit ka sjellë rritje të çmimeve. Kjo e bën thuajse të pamundur që fabrikat e sallameve të furnizohen në Shqipëri. Në këto kushte, një pjesë e mirë e kompanive që ushtrojnë aktivitet në këtë fushë i drejtohen importit. I njëjti fenomen ka ndodhur me çmimet e mishit edhe në Maqedoni, Kosovë apo Serbi. Por, në tregje të tilla si Rusia, Brazili apo Paraguai, çmimet e mishit janë në nivele konkurruese. Duke përfituar nga koniunktura të tilla, prodhuesit e sallameve e importojnë mishin nga shtete të tilla dhe duke përfituar nga mungesa e standardeve apo filtrat e kontrollit nëpër pikat doganore, futin në tregun tonë mish të një cilësie të dyshimtë në jo pak raste. Ky fenomen ka qenë shqetësues edhe përgjatë viteve të kaluara.

12 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›