E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi, të pastrehët kredi me interes 3 për qind



Familjet e pastreha mund të përfitojnë kredi me vetëm 3 për qind interes dhe me afat 30-vjeçar. Drejtues të Entit Kombëtar të Banesave, janë shprehur kohët e fundit se në sajë të një vendimi të posaçëm, bashkitë mund të dërgojnë emrat e familjeve të pastreha për të përfituar nga projekti. Aktualisht, sipas tij, janë rreth 1100 familje që janë dërguar tek Enti, të cilat më pas marrin kredinë nga banka. Emrat e përfituesve miratohen nga bashkitë, të cilat kanë të përcaktuar edhe procedurën, kushtet, si dhe sasinë e kredisë që mund të marrë një familje në bazë të frymëve që ka. Sipas drejtuesve, bashkitë mund të dërgojnë emrat e familjeve tek ne. Vetëm Bashkia e Tiranës ka dërguar deri tani 145 familje, të cilat do të përfitojnë nga projekti. Familjet paguajnë vetëm 3 për qind interes, ndërsa pjesën tjetër e paguan Enti. Deri tani kanë ardhur mjaft kërkesa nga shumë bashki të vendit si ajo e Tiranës, Vlorës, Peshkopisë, Beratit etj., por që kanë mundësi të dërgojnë sa më shumë, për t’iu dhënë mundësi familjeve të pastreha që të marrin kredi për shtëpi.
Përfituesit
Fillimisht familjet e pastreha duhet të sigurojnë një vërtetim negativ nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, ku të vërtetojnë se nuk kanë asnjë apartament në pronësi të tyre. Duhet të paraqesin dokumentin e lëshuar nga Këshilli Bashkiak, ku kanë përfituar statusin e të pastrehëve, certifikatën familjarë të datës 31 dhjetor 1992, si dhe adresën e banesës dhe të pronarit të banesës ku ata jetojnë momentalisht. Zyrat rajonale të Entit të Banesave shpallin listat e familjarëve që do të përfitojnë nga ky projekt. Ndërkohë do të rishqyrtohet dokumentacioni i paraqitur dhe në rast se vërtetohet se janë familje të pastreha, ato do të shtohen në këto lista. Më pas, pasi është vërtetuar lista e Këshillit Bashkiak dhe lista e Entit Kombëtar të Banesave dhe pasi të dorëzohet edhe marrëveshja me bankën përkatëse ku merret kredia, lista dorëzohet në Ministrinë e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit.
Dokumentet
Listat përmbajnë emrin e kryefamiljarit dhe të gjithë familjarëve sipas certifikatës familjare të dhjetorit të vitit 1992, si dhe strukturën e apartamentit që përfiton nga marrja e kredisë. Njëkohësisht në bazë të këtyre listave, bankat japin kreditë përkatëse dhe kontratat më pas dërgohen tek Enti Kombëtar i Banesave. Bankat nuk mund të japin më shumë se 80 për qind të vlerës së apartamentit. Familjarët do të duhet të sigurojnë vetë 20 për qind të vlerës së apartamentit. Prioritet kryesor do të jenë familjet që jetojnë në familjet e ish-pronarëve të shtëpive ku ata jetojnë. Janë disa mijëra familje që jetojnë në banesa të huaja, të cilat shteti i sheh si prioritare për t’i strehuar.

Në 2010-n, 1200 familje pritet të strehohen me qira sociale

Brenda vitit 2010 pritet të mbyllet një pjesë e projektit të Ministrisë së Punëve Publike, që do të bëjë të mundur të strehojë 1200 familje në nevojë. Projekti është i shtrirë në 8 bashki të vendit dhe do të krijojë mundësi për familjet në nevojë të sigurojnë një banesë. Projekti është shtrirë në qytete si Tirana, Durrësi, Korça, Elbasani, Peshkopia, Berati, Fieri e Kavaja, ku do të ndërtohen edhe banesat sociale. Ndërtimi i banesave do të bëhet nga kredia prej rreth 25 milionë eurosh, që është marrë nga Banka për Zhvillim e Këshillit të Evropës, e cila do t’u jepet bashkive. Nga ky projekt pritet që të përfitojnë dy kategori kryesore në nevojë: familjet që jetojnë në shtëpitë e ish-pronarëve, si dhe familjet më në nevojë. Deri tani janë evidentuar rreth 800 familje më në nevojë, që do të përfitojnë me siguri nga ky projekt. Njëkohësisht brenda këtyre dy kushteve, pra që jeton në një shtëpi të ish-pronarëve ose je i pastrehë dhe me të ardhura të ulëta, llogariten si prioritet edhe familjet që në përbërjen e tyre kanë persona me aftësi të kufizuara, persona që kanë statusin e jetimit, gra të divorcuara që kanë në ngarkim fëmijë, të moshuar pa përkrahje, si dhe çifte të reja deri në moshën totale 55 vjeç. Familjet që plotësojnë kriterin si të pastreha me të ardhura të pakta, por që në familje ka persona në nevojë, do të jenë më prioritare në marrjen e një banese sociale. Familjet që do të përfitojnë banesë do të kenë mundësi që të marrin një kredi me interes zero, ose do të paguajnë një qira sociale minimale. Qiraja sociale llogaritet në bazë të kostos, ku qiraja vjetore është sa 4 për qind e kostos së ndërtimit të një banese, por familja për pagesën e kësaj qiraje nuk duhet të shpenzojë më shumë se 25 për qind e të ardhurave.

Kreditë që do të përfitojnë 500 familje që janë në shtëpitë e ish-pronarëve
Familjet që jetojnë në shtëpitë e ish-pronarëve po përkrahen me kredi me 0 interes me afat 30-vjeçar dhe deri tani 500 familje e kanë përfituar këtë kredi. Drejtori i Entit Kombëtar të Banesave, Ilir Proko, tha për gazetën “standard” se deri tani janë mbi 800 aplikime, nga të cilat 500 kanë përfituar kredinë me 0 interes. Sipas Prokos, familjet që jetojnë në shtëpitë e ish-pronarëve dhe që duhet t’i lirojnë ato, duhet të aplikojnë tek Enti Kombëtar i Banesave për të përfituar këtë kredi. Sipas tij, janë evidentuar tashmë rreth 3 mijë familje, të cilat shteti është i gatshëm t’i ndihmojë me kredi. Kufiri maksimal i kreditimit është deri në 80 për qind të vlerës së apartamentit të blerë në treg të lirë. Udhëzimi përcakton se familjet e pastreha duhet të rifreskojnë dokumentacionin dhe duhet ta paraqesin tek Enti Kombëtar i Banesave. Fillimisht, familjet e pastreha duhet të sigurojnë një vërtetim negativ nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, ku të vërtetojnë se nuk kanë asnjë apartament në pronësi të tyre.

12 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›