E Diel, 1 Nëntor 2026

Nga 1 janari 2010 shtohen taksat për bizneset

Autori i Lajmit: Redaksia
Tatim-Taksat
Ulet në 5 milionë lekë pragu i xhiros vjetore të biznesit. Propozimi i bërë nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka gjetur mbështetjen e qeverisë, e cila ka vendosur që ulja e pragut të hyjë në fuqi nga 1 janari i vitit 2010. Dyqanet e ushqimeve, ëmbëltoret, dyqanet e veshjeve dhe këpucëve, floktoret etj të cilat deri tani janë klasifikuar si biznes i vogël, duke filluar nga 1 janari i vitit të ardhshëm do të përfshihen në skemën e TVSH-së. Bizneset që do të përfshihen në skemën e TVSH-së do të paguajnë një nivel më të lartë taksash, do të plotësojnë një dokumentacion më të zgjeruar dhe nuk do të shlyejnë më detyrimet pranë bashkive dhe komunave por në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe në degët e saj në rrethe.
Ky vendim pritet të shtojë të ardhurat në buxhetin e shtetit dhe të varfërojë arkën e pushtetit vendor. Ndërkohë nuk përjashtohet dhe një rritje e cmimeve të mallrave dhe produkteve, pasi kostot fiskale shtesë mund të faturohen tek konsumatorët nga subjektet private.

Përcaktimi i xhiros

Nga 1 janari i vitit 2010, çdo biznes i cili kryen një xhiro vjetore mbi 5 milionë lekë do të klasifikohet subjekt i Tatimit të Vlerës së Shtuar (TVSH). Kjo do të thotë që për shumë biznese në vend do të rritet barra fiskale. Aktualisht kufiri i cili ndan biznesin e vogël nga ai i madh është 8 milionë lekë në vit. Përfaqësues të tatimeve shprehen se, ulja e kufirit do të rrisë të ardhurat në buxhetin e shtetit. Drejtorja e Tatimeve Indirekte, në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, Enkeleida Pipa shprehet se ky ndryshim ligjore erdhi në përputhje me standardet evropiane. Pipa evidenton faktin se kjo nismë do të rrisë numrin e tatimpaguesve në skemën e TVSH-së, por edhe te ardhurat në buxhetin e shtetit, por kjo do të ndodhë pa cënuar funksionimin e kësaj skeme.

Mund të dështojë?

Nga ana tjetër, ekspertët e financave mendojnë se kjo nismë do të dështojë duke vënë në pikëpyetje sipas tyre edhe sistemin fiskal. Ish-Nëndrejtori i Tatimeve Xhavit Curri shpjegon se sot niveli i bizneseve që paguajnë TVSH-në është i ulët dhe ndryshimi i kufirit nuk po shoqërohet me rritjen e kapaciteteve të administratës tatimore. Sipas Currit nga rreth 17 mijë biznese që janë sot të regjistruar subjekt i TVSH-së, vetëm 6 mijë prej tyre paguajnë këtë tatim, çka tregon një performancë të ulët të administratës tatimore. Por ndryshimi i kufirit pritet ta çojë në 40 mijë numrin e biznesit të madh dhe ky fakt sipas Currit nuk mund të përballohet nga administrata. Mbi të gjitha ky vendim vjen në kundërshtim edhe me frymën dhe politikën që ka ndjekur kjo qeveri, e cila thotë se ka ulur ndjeshëm barrën fiskale. Gjatë këtij viti Ministria e Financave u përball me një ritëm të ulët të mbledhjes së taksave dhe tatimeve si pasojë e efekteve që dha kriza ekonomike.
Ndaj nisma e fundit ka për qëllim rritjen e të ardhurave në buxhet, por nga ana tjetër kjo ka sjellë reagimin e vendorëve, pasi shumë biznese nuk do të jenë më nën administrimin e bashkive apo komunave duke ndikuar direkt te buxhetet e tyre.

Gjobat ndaj biznesit, të ngrihet gjykata administrative

Disa nga gjobat e vendosura nga Autoriteti i Konkurrencës ndaj bizneseve, që kanë shkelur rregullat e konkurrencës së lirë në treg nuk janë mbledhur ende. Kjo pasi shumë prej biznese e kanë apeluar çështjen në gjykatë, çka ka bërë të pamundur vjeljen e këtyre gjobave. Në një situatë të tillë, ngritja e Gjykatës Administrative do të ishte zgjidhja e këtij problemi, pasi ajo do t’i jepte fund zgjatjes së gjyqeve mes shtetit dhe sipërmarrësve privatë. Kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës, Lindita Milo (Lati), në një nga raportimet e saj në Komisionin e Ekonomisë, ka bërë publik progres-raportin e Komisionit Evropian në fushën e konkurrencës. Në fjalën e saj, Milo tha se vlerësimet e Komisionit Evropian në fushën e konkurrencës për arritjen e standardeve evropiane janë pjesë përbërëse e kapitullit për tregun e brendshëm dhe pasqyrojnë veprimtarinë shumë dimensionale të Autoritetit të Konkurrencës, në arritjen e standardeve evropiane të një ekonomie tregu funksionale. Për vitin 2009, Komisioni Evropian e vlerëson punën e Autoritetit të Konkurrencës në drejtim të zbatimin e ligjit për mbrojtjen e konkurrencës, si për përqendrimet e ndërmarrjeve, ashtu dhe hetimeve në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, në sektorin energjetik dhe atë bankar, organizimit të seancave dëgjimore me bizneset në fushën e importit të grurit dhe prodhimit të miellit, si edhe në tregjet e karburanteve dhe sigurimeve etj.

Ky lajm është publikuar: 16/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›