Vendimi do vijë drejtpërdrejt në ndihmë të qytetarëve
Rritja e pagave dhe e pensioneve, flasin ekspertët
Debatit mes mazhorancës dhe opozitës, rreth vendimit të qeverisë për rritjen e pagave dhe pensioneve, i shtohet edhe opinioni i profesionistëve të ekonomisë. Ekspertët e kësaj fushe vlerësojnë se një vendim i tillë vjen në ndihmë të qytetarëve dhe nuk pritet të cenojë shpenzime të rëndësishme. Sipas tyre, shpenzimet që nuk duhet të preken nga rishikimi i buxhetit janë në fushën e arsimit, në atë të shëndetësisë si dhe shpenzimet që nxisin bizneset. Vendimi i qeverisë për të rritur pensionet dhe pagat në mes të vitit është pritur pozitivisht nga specialistët e Financave, të cilët shprehen se nisma të tilla u atribuohen menaxhimit efikas të shpenzimeve. Sipas Zef Preçit, shpenzimet që nuk duhet të preken nga shkurtimi janë ato për arsimin dhe për shëndetësinë. Pak ditë më parë, kryeministri Sali Berisha deklaroi se në ndryshimet e buxhetit do të përfshihet rritja e pagave dhe e pensioneve për këtë vit. Në këto ndryshime, përfshihen gjithashtu shkurtime për të gjithë sektorët, të cilat në total pritet të jenë deri në 18 miliardë lekë.
Një fond i tillë, do të përdoret për rritjen e pagave dhe të pensioneve.
Selami Xhepa/Rritja e pagave dhe pensioneve ndikon pozitivisht në ekonomi/“Ekonomia shqiptare ka bërë hapa pozitive”, ky është opinioni i deputetit të PD-së dhe analistët të ekonomisë, Selami Xhepa, i cili theksoi se rritja e pagave dhe pensioneve ndikon pozitivisht në ekonomi. Duke folur në një interviste për ABC Neës, zoti Xhepa tha se inflacioni dhe deficiti buxhetor janë ulur ndjeshëm. Ndërsa vuri në dukje se inflacioni do vijë në ulje graduale, duke çuar kështu edhe në një rritje më të madhe të ekonomisë së vendit, nga rritja e fuqisë blerëse. Gjithashtu, deputeti demokrat dhe njëherazi anëtari i komisionit të ekonomisë dhe financave, ka theksuar se privatizimi përbën hap akoma edhe më pozitiv për ekonominë shqiptare.