“Nga 40 vjet deri burgim përjetë kush vret për gjakmarrje”
Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi propozon një paketë të re ligjore
Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi ka propozuar një paketë të re ligjore që parashikon masa të ashpra kundër gjakmarrjes për të ndërprerë inkurajimin e fenomenit, duke parashikuar dënime të rënda deri në 40 vite burg. “Unë gjykoj se një person i cili vret duke përdorur institutin e gjakmarrjes nuk duhet të dënohet më pak se 40 vjet deri në burgim të përjetshëm. E gjithë shoqëria duhet të reagojë për ta ndërprerë këtë fenomen, por ligji duhet të jetë i ashpër ndaj atyre që mendojnë ta përdorin këtë mekanizëm, gjakmarrjen për të vazhduar ritin me tronditës në Europë”, shkruan Halimi në faqen e tij zyrtare në rrjetin social facebook. Sipas ministrit të Drejtësisë, kjo do të jetë paketa më e ashpër ndaj krimit urban, në këto 20 vjet, duke synuar reduktimin e këtyre fenomeneve tronditëse. Ndërkohë ministri Halimi pyetjes sesi do të votonin qytetarët e ngujuar për shkak të gjakmarrjes është shprehur se, “gjakmarrja, ky fenomen unikal në Europë, është sjellja më absurde në një shoqëri të civilizuar. Kam qenë gati fëmijë, kur kam lexuar ‘Prillin e thyer’ të Ismail Kadaresë, dhe jam përlotur por dhe aq tronditur me historinë e Gjorgut. Dhe sa të tjerë si Gjorgu duhet të jenë të përfshirë në historinë e një tradite të pakuptimtë dhe në mungesë totalisht të sundimit të ligjit dhe shtetit”. Sipas tij, historia e lindjes së saj, është e lidhur ngushtë sa më mungesën e rregullave dhe shtetit dhe ligjit aq me ata që e inkurajonin atë. Madje nëse nuk kryejë gjakmarrjen të gjithë të përçmonin, ashtu si Gjorgun, tek i shërbenin kafenë nën dorë. “Inkurajimi i këtij fenomeni makabër edhe nga vetë shoqëria, solli një situatë absurde në këtë vend. Tashmë është koha të presim me gërshërët e ligjit këtë fenomen, të ndërpresim inkurajimin, dhe për më tepër të ndëshkojmë ashpër ata që përdorin institutin e gjakmarrjes për të marrë jetë të tjera njerëzish”, thekson ai.