E Diel, 1 Nëntor 2026

Tirana feston me koncert madhështor 5 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

17-02-2013 / Gazeta 55

Te pedonlja, sot këndojnë Juliana Pasha, Vedat Ademi, Valon Shehu e grupi NA

Bashkia e Tiranës organizon sot aktivitete kulturore përgjatë rrugës “Murat Toptani” për 5 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës . Nga ora 11.00 deri në orën 20.00 këngëtarët më të mirë, grupet më të suksesshme do të performojnë në 5 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Të gjithë qytetarët e Tiranës që duan të festojnë Pavarësinë e Kosovës do të kenë mundësi të shijojnë muzikën më të mirë të vendit dhe të huaj. Drejtori i Drejtorisë së Artit dhe Kulturës në Bashkinë e Tiranës, Arben Skënderi ka bëri të ditur axhendën e aktiviteteve dhe artistët pjesëmarrës. “Gjatë gjithë ditës, që nga ora 11.00, tek rruga pedonale e deri në orët e para të mbrëmjes do të ketë aktivitete nga më të ndryshmet, një koncert madhështor me Juliana Pashën, Vedat Ademin, Valon Shehun, Marselën, me grupin NA dhe shumë të tjerë. Do të jetë cirku i Tiranës që do na dhurojë një spektakël të magjishëm e do të kemi shumë surpriza të tjera për qytetarët e Tiranës, në mënyrë që kjo festë të ndihet në mbarë trojet shqiptare. Sigurisht që festa nesër do të jetë e përqendruar në Kosovë. Bashkia e Tiranës, Tirana, kryeqyteti ynë që e ka mbështetur dhe gjithë ky komunitet këtu duhet që patjetër të vijë të festojë me ne! Nesër është një ditë e shënuar, ndaj kjo ditë duhet mbajtur mend dhe ne duhet të mblidhemi të gjithë, për ta festuar sa më hareshëm”, u shpreh Skënderi. Përfaqësues të grupit NA kanë falënderuar Bashkinë e Tiranës, e cila u dha mundësi që të festojnë me qytetarët e Tiranës këtë ditë të madhe për kombin shqiptar. “Edhe ne si artistë jemi të kënaqur. Të festojmë së bashku këtë ditë! Është një event i rëndësishëm si për shqiptarët e Kosovës por gjithashtu edhe për shqiptarët e Shqipërisë, është një çështje që e kemi ndjekur të gjithë me shumë zemër. Ne do të japim kontributin tonë, në mënyrën më të natyrshme që na vjen e që është muzika. Ne jemi shqiptarë të Kosovës e nuk mund të jemi në Kosovë për ta festuar nesër, kështu që e falënderoj shumë Bashkinë, për organizimin e këtij eventi nesër (sot), për të festuar Pavarësinë e Kosovës”. Bashkia e Tiranës fton të gjithë qytetarët të festojmë së bashku, 5 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›