Nga Bogu te Salihi, të gjithë të etur për gol

Golashënuesi më i mirë i Kombëtares shqiptare gjatë kësaj fushate kualifikuese, Edmond Kapllani (3 gola), nuk është i disponueshëm kundër Sllovenisë.
Por "erën" e golit e ndiejnë shumë futbollistë për të vendosur edhe një statistikë tjetër: atë të golit të parë kundër sllovenive. Edhe pse më të kursyer në deklarata, lojtarët e Kombëtares nuk e kanë shprehur ambicien për të mos dalë pa gjë nga Celja e Sllovenisë.
Bogdani, golashënuesi më i mirë i Shqipërisë gjatë eliminatoreve të fundit të Kampionatit Botëror (4 gola), ende nuk e ka bërë sefte në kualifikueset e Kampionatit Europian. Gjatë një interviste për median shqiptare, sulmuesi i Livornos (ende pa gol edhe në Itali) pohoi se tashmë ndihet i gatshëm për "rrjetën" e parë.
Edhe Klodian Duro, autori i golit të fitores 1-0 në miqësoren me Rudarin e kategorisë së dytë sllovene, është i bindur se nuk do të dalin pa pikë nga transferta.
Alban Bushi shpreson se do të shënojë aty golin e shumëpritur, të 15-in, kur të fundit, atë të 14-tin e ka shënuar në miqësoren kundër Azerbajxhanit (2-1) kur kombëtaren e drejtonte gjermani Hans Peter Brigel. I etur për gol është edhe Hamdi Salihi, që me tetë golat në Austri me skuadrën e tij, Sv Ried, kërkon të lërë gjurmë historike në aktivizimin e tij të parë si titullar nga minuta e parë.