E Diel, 1 Nëntor 2026

Nga ENVER në NEVER: Emrin e despotit e fshijnë nga mali shqiptar (FOTOT)

Share

Sheme Filja

Reuters

Sheme Filjes iu deshën dhjetë ditë dhe një ushtri me fshatarë për të shkruar me bojë emrin ENVER në anën e malit Shpirag në vitin 1968, në nderim të diktatorit komunist, Enver Hoxha.

Shkronjat me një gjatësi 100 metra, dominonin pamjen mbi Berat, qytetin më të vjetër në Shqipëri, kur Enver Hoxha vdiq dhe kur komunizmi u shemb në vitin 1990.

Shkronjat u sulmuan me napalm kur qeveria e parë demokratike në Shqipëri dërgoi ushtrinë në vitin 1994 për të zhdukur emrin e Hoxhës nga mali. Por Filja i riktheu shkronjat tre vite më vonë me kërkesë të komunistëve të linjës së ashpër.

Tani, në kuadër të një projekti dokumentar, fermeri 58 vjeçar i ka ndryshuar dy germat e para me ndihmën e nipit dhe një pompe me bojë të bardhe, duke shkruar NEVER (kurrë në anglisht) në vend të ENVER.

Producenti filmik, Armando Lulaj, thotë se akti përfaqëson një shpullë ndaj vulës së stalinizmit të Hoxhës dhe progresit të avashtë nga kjo klasë politike që e ka zëvendësuar atë.

Në atë kohë, emri i diktatorit Enver Hoxha ishte shkruar në këtë mal, thotë Lulaj, 32 vjeç.

Tani, i vetëm në këtë mal, Filja kërkon të ulërasë për situatën ku jetojmë, ndaj ka ndryshuar dy shkronjat e para duke i bërë NEVER.

Shqipëria është e pasur me shprehje të tilla të kultit të personalitetit të Hoxhës dhe nga paranojat e çuditshme të regjimit të tij, i famshëm sidomos për 1 milion bunkerët që do ruanin vendin nga pushtimi.

Filja, me një kapele të bardhë ku lexon Coca-Cola, kujton kohën kur me mushka me bojë u ngjitën në mal bashkë me fshatarët për të shkruar emrin e Hoxhës në ditëlindjen e tij më 16 tetor.

Çdo shkronjë ishte 100 metra e lartë dhe 60 metra e gjerë.

Kur ushtria sulmoi me napalm, zjarr e flakë, shkronjat thuajse u zhdukën. Ne mundëm ti ribëjmë, por një i huaj nuk mund ti dallonte dot, thotë Filja.

I punësuar nga komunistët e linjës së ashpër, Filja kaloi dy javë në vitin 1997 duke bërë shkronjat si të reja. Ato u bënë një atraksion për turistët në Berat, një qytet i vjetër në qendër të Shqipërisë, që daton 2500 vjet më parë.

Rruga nga Tirana për në Berat kalon edhe tek fushë-kërkimet e naftës të Petromanas dhe Royal Dutch Shell, markat e investimeve të huaja, që Hoxha i shmangte dikur.

Demokracia e hapi Shqipërinë ndaj botës, por korrupsioni dhe politika e polarizuar kanë penguar zhvillimin dhe kanë ngadalësuar progresin e vendit drejt BE. Shqipëria mbetet një nga vendet më të varfra në Europë.

Filmi i Lulajt përmban pamje arkive nga Shqipëria e varfër nën Hoxhën, eksodin që provokoi rënia e komunizmit, anarkinë dhe sundimin e gangsterëve në vitin 1997 kur ranë skemat piramidale dhe më shumë se 2 mijë njerëz vdiqën në trazira.

Po ashtu rikujton edhe shpërthimin e vitit 2008 në një bazë ushtarake ku vdiqën 26 njerëz, përfshi edhe fëmijë, duke shkaktuar shumë zemërim për dështimin e autoriteteve për të siguruar municionet.

Gjenerata e re, e përfaqësuar nga nipi i Filjes, duhet të luftojë për të ndryshuar sistemin e korruptuar shqiptar, tha Lulaj për Reuters. Me këta njerëz që na qeverisin, ky vend nuk do përparojë kurrë.


Më shumë nga Politika

Të gjitha ›