E Diel, 1 Nëntor 2026

Nga Fergusoni te Ranieri, ja 10 fyerjet e Mourinjos

Është “i veçantë” edhe në fyerje Hoze Mourinjo. Të paktën sipas tabloidit britanik “Daily Mirror”, trajneri i Interit është në gjendje të lëshojë ofendime apo batuta të “helmatisura” në drejtim të kundërshtarëve apo të atyre që portugezi nuk do t’i ketë pranë (si në rastin e fundit me gazetarin e “Corriere dello Sport”, Andrea Ramazoti).

Për shembull, në periudhën kur drejtonte Çelsin, pas ndeshjes midis Totenhemit dhe Arsenalit (5-4), ai u shpreh: “Nga rezultati, mund të mendosh se ishte një lojë hokeji dhe jo futbolli”. Apo një herë tjetër, ku për sëri protagonist është Totenhemi. Duke iu referuar një barazimi pa gola në “Stamford Bridge”, tekniku portugez i zikaltërve u shpreh: “Ata erdhën me autobus dhe e lanë atë para portës. Erdhën vetëm për t’u mbrojtur dhe nëse do të isha një tifoz që kisha paguar 50 stërlina për të parë një spektakël të tillë, do lisha mbetur shumë i zhgënjyer”.

Nuk i ka shpëtuar “sulmeve” të Mourinjos as Barcelona. Në sezonin 2005-2006, “I veçanti” u shpreh në lidhje me katalanasit: “Barça është një klub i madh, por në 200 vite histori e kanë fituar Ligën e Kampionëve vetëm një herë. Unë jam trajner prej vetëm pak vitesh dhe kam arritur të njëjtin rezultat”. Po kështu, e famshme është deklarata drejtuar Frenk Rajkard: “Karriera jonë profesionale nuk mund të barazohet: ai nuk ka fituar asnjë trofe, kurse unë kam fituar një thes”.

Pastaj i vjen radha Mançesterit. “Pashë trajnerin dhe lojtarët të bëjnë një xhiro nderi rreth fushës pas humbjes së fundit në shtëpi. Nëse këtë e bën në Portugali, të gjuajnë me shishe”. Radha e Aleks Fergusonit, “viktima” e Mourinjos në janar 2005: “Mbase kur të jem 60 vjeç, të kem drejtuar për 20 vite në të njëjtin kampionat dhe të kem respektin e të gjithëve, do të kem edhe mundësinë të flas me njerëzit dhe t’i tremb nga pak”.

Gjithashtu, nuk ka mbetur pa e “pësuar” as Klaudio Ranieri, me paaftësinë e tij të famshme për të mësuar anglisht, ndryshe nga Hoze. “Kam studiuar italisht për pesë orë në ditë, në mënyrë që të isha i sigurt kur të komunikoja me lojtarët, shtypin dhe tifozët. Kurse Ranieri ka qenë në Angli për pesë vite dhe dinte vetëm të thoshte “good morning” dhe “good afternoon”.

                                                                                             

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›