Nga Holanda në Itali, rruga e drogës së Zyhdi Moravës
Shkrimtari kishte blerë mallin me vlerë 4 milionë euro, por aksidenti i pësuar në Mynih e detyroi të ndërronte plan
TIRANË- Arrestimi i shkrimtarit shqiptar Zyhdi Morava teksa transportonte një sasi kokainë në makinën e tij në Itali është mbajtur sekret nga ana e policisë shqiptare. As Ministria e Brendshme dhe as Prokuroria nuk konfirmojnë asnjë detaj në lidhje me këtë gjë. Nga ana tjetër, edhe familja e shkrimtarit është larguar nga banesa e tyre duke iu fshehur gazetarëve të shumtë që kanë trokitur në portë. Fqinjët e tyre kanë pohuar se ata janë larguar menjëherë sapo kanë mësuar lajmin e arrestimit të Zyhdiut dhe mendohet se ndodhen tek ndonjë i afërm i tyre. Të dhënat e para tregojnë se droga ishte blerë në Holandë dhe do të sillej në Shqipëri ose do të qëndronte në Itali.
Shkrimtari 62 vjeç, ish- kryetari i lidhjes së artistëve dhe shkrimtarëve shqiptarë u arrestua në Brennero të Italisë pasi policia i gjeti të fshehur në makinën e tij një sasi lënde narkotike. E vetmja që publikoi këtë lajm ishte agjencia italiane e lajmeve, ANSA. Sipas saj dhe policisë italiane, droga ishte fshehur në pjesën e dyerve të makinës. Burime policore sqaruan se Morava po udhëtonte nga Gjermania për në Itali me rimorkio pasi automjeti i tij kishte pësuar një defekt në territorin gjerman. “Ai u ndalua me nëntë kilogram kokainë, e cila ishte ndarë në 17 pako të vogla. Hetimet tregojnë se ai është nisur nga Vendet e Ulëta por nuk dihet ende destinacioni final i kokainës. Ajo mendohet se do të shkonte në Shqipëri por edhe mund të qëndronte në Itali”,- thanë dje hetuesit e çështjes për mediat italiane.
Sipas tyre, gjithçka ka nisur pas aksidentit të ndodhur në Gjermani. Makina e drejtuar nga shkrimtari shqiptar ka pësuar një aksident në Munih. Duke qenë se ai kishte fshehur drogën në dyert e makinës, nuk mund ta braktiste atë por e ka hipur në një kamion, me të cilin ka hyrë në Itali. Një kontroll rutinë i policisë për dokumentet e makinës ka zbuluar shqetësimin e shkrimtarit shqiptar. Ai dhe shoferi i kamionit kanë dhënë deklarime shumë kontradiktore dhe tregonin qartë se ishin në stres. Kontrolli i mëtejshëm nxori në skenë 17 pakot e kokainës ndërsa Morava u dërgua në burgun e Bolzanos.