Pango apo Brook
Festivali i Teatrit në Elbasan, për çudinë e të gjithëve, është gati të sjellë në Shqipëri në mos vetë legjendën e teatrit botëror, Peter Brook, veprën e tij “Pse, pse”. Qysh prej muajit korrik ministri i Kulturës, Ylli Pango, nuk jep shenjë të gjallë për të mbështetur ftesën që i bëhet regjisorit britanik
Festivalet ndërkombëtare në Shqipëri venë e shkojnë. Pa mohuar ato pak merita për ngritjen në këmbë të strukturave sado naive dhe të mbërthyera në 2-3 duar të vetme, rezultatet e vërteta janë autorët dhe veprat e mira. Këto janë standarde që mund të arrihen me struktura të qarta drejtuese, me njerëz që merren vetëm me këtë punë dhe të cilët organet e pushteteve lokale dhe qendrore për kaq kulturë sa prodhohet në Shqipëri, i mbështesin për të bërë drejt një punë dhe jo tre dhe të shtrembëta.
Ka festivale teatri që po bëhen 10 vjeçe dhe duken gati për të hyrë në pragun e rinisë, të energjisë dhe sfidave. I tillë duhet të jetë Festivali Ndërkombëtar i Teatrit Bashkëkohor “Skampa”. Më 4-11 tetor zhvillohet edicioni i 10-të i tij. Me slloganin “Teatri ndryshe”, festivali hapet në sheshin “Gensher” të Elbasanit ku trupa malazeze e Kotorrit ka për të interpretuar nën qiell të hapur “Medean” e Euripidit me regji të Slobodan Milatovic. Drejtori i festivalit, regjisori Adonis Filipi, thotë se marrin pjesë 11 trupa, nga të cilat 5 janë shqiptare.
Ai thotë se festivali synon produksione të reja, kështu që edhe katër pjesët shqiptare vijnë sipas kësaj logjike, për të pasur një kontakt të ri me spektatorin. Janë “Allegretto Albania” që përfaqëson Teatrin Kombëtar, e shkruar nga Stefan Çapaliku, me regji të Altin Bashës; përsëri Çapaliku si autor dhe regjisor me “Putargat e thata” vënë në skenë me Teatrin “Migjeni”; është trupa e Teatrit “Bylis” me veprën “Pushteti” i Eduardo Pavloskit me regji të Adonis Filipit; “Dasma” e teatrit “Skampa” me autor dhe regjisor Erald Sojlin dhe kompania teatrore “Dodona” e Prishtinës me “Kopshti zoologjik” E.Albi, me regji të S. Plakollit. Teatri Kombëtar Stip nga Maqedonia përfaqësohet me “Arratia” me regji të Dejan Projkovskit; Teatri ASOU i Gracit vjen me “Origjinën e panjohur” me regji. Filipi thotë se “pavarësisht nga diferencat që mund të kenë trupat tona ato sjellin një sinoptikë të teatrit shqiptar gjatë një viti.”
Këto vepra janë zgjedhur mes 25 pjesëve. Për arsye teknike dhe sigurisht financiare, zgjedhja është bërë në mënyrë të tillë që t’i përshtatet mundësive të festivalit pa tradhtuar profilin e tij.
Por ajo që nuk ia besojnë akoma Filipit, është një emër i renditur në program si gjithë të tjerët. Është emri i Peter Brookut, shfaqja e të cilit “Warum Warum” (Pse, pse) projekt i pranverës së këtij viti nga Schauspielhaus Zürich dhe Teatri Garibaldi, është programuar që të ketë 2 shfaqje në Tiranë dhe një në Elbasan. “Festivali ngrihet kundër stereotipit të komunikimit skenik e teatror dhe vetë krijimtaria e Peter Brook-ut ka në themel këtë parim. Ai është gjithmonë novator, është gjithmonë kundër stereotipit, është për shkrirjen e kufijve të teatrit dhe për një depërtim të thellë në genin njerëzor. Vazhdojmë të shpresojmë akoma për të sjellë në Shqipëri një nga veprat e tij më të reja për të cilën thuhet se Brook gjurmon rrënjët, gjuhën dhe mjetet e teatrit modern.”
“Pse, pse” është shkruar nga Brook dhe Marie-Hélène Estienne, regjia është po e Brook-ut, interpreton Miriam Goldschmidt-it, luan live muzikë Francesco Agnello. Filipi e ka parë në Ohër gushtin që shkoi, ndërsa bisedimet për të sjellë në mos regjisorin, legjendën e gjallë të teatrit botëror, të paktën një vepër të tij, kanë filluar qysh në korrik. “Ne kemi për qëllim që festivali të kapë standarde. Kjo do të thotë që në ballafaqime të tilla të sjellësh vlera bashkëkohore, maja të teatrit evropian dhe të mos ngelet utopi thjesht intregrimi në Europë. Në këtë kontekst ka qenë ëndërr për mua dhe e stafit të festivalit për të afruar vlera të tilla siç është magjia e teatrit dhe ikona e regjisurës botërore Peter Brook”, pohon për gazetën drejtori i Festivalit “Skampa”.
Duke përfituar nga një miting i ndarjes së çmimeve të Festivalit Teatror Evropian në Selanik, Filipi kish patur mundësi që të takohej me menaxherin e Brookut i cili i sugjeroi veprën “Pse, pse”, një kooproduksion italiano-zviceran. “Në letrën që më dërgonte menaxheri i tij, zoti Rankovic, për kompaninë Théâtre des Bouffes du Nord e Parisit ku Brook është drejtor artistik, thoshte se gjejmë koherencë në konceptet e festivalit me shfaqjen dhe produksionin “Pse, pse”,”shton Filipi.
Çfarë ndodhi?
Aktualisht Festivali Ndërkombëtar i Skampës organizohet me 1/3 e kapacitetit financiar të 10 viteve më parë, pra me afro 3.5 milionë lekë të reja, nga të cilat 1.5 milion jepen nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Kaq para jep ministria, le të themi për dy botime dhe akoma më tepër për “kujdestarinë” e “Maratonës së këngës qytetare” që organizon një televizion privat. Me këtë shumë organizatorët e “Skampës” natyrisht që rrudhin qëndrimin e trupave pjesëmarrëse. Ardhja e veprës së Brookut do t’i kushtonte 12 mijë euro festivalit, ku përfshihen biletat e avionit, kostoja ditore. Filipi sqaron se në praktikën evropiane të festivaleve është gjithmonë e pranishme një kompani VIP.
Brook është nga ajo specie e rrallë e artistit që karakterizohet nga modestia dhe perunjësia ndaj spektatorit. Ai është i lumtur kur veprat e tij janë përballë atyre që kurrë në jetë nuk kanë parë një shfaqje teatri.
Kështu pra, qysh në korrik ai e ka bërë prezent në MTKRS mundësinë e ardhjes së Brookut në Shqipëri. Ministrin Pango e ka vënë në dijeni qoftë nëpërmjet mesazheve qoftë nëpërmjet punonjësve të tij. “Shpresoj në ndjeshmërinë e tij, sepse ardhja e Peter Brookut ka për t’i bërë mirë jo vetëm festivalit por edhe politikave të ministrisë së Kulturës. Ka ardhur koha që ne s’kemi pse të jemi inferiorë. Prania e personaliteteve të teatrit të mos jetë tabu vetëm e Serbisë apo Maqedonisë. Mendoj që sot Shqipëria është bërë një vend vokativ dhe me shumë interes në Ballkan. Shpresoj, pra, në dhënien dorë të ministrit. Çdo kontribut drejt teatrit është kontribut drejt perspektivës tonë, vendit tonë. Do të ketë sa më pak halle ky vend duke mbështetur teatrin.”
Po si i duhet thënë ndryshe ministrit të Kulturës se kush është Peter Brook?
Po të ishte gjallë, a do ta refuzonte ministri baba Frojdin për një leksion tek katedra e shkencave sociale, aty mbrapa “Pub Mullirit”?
83-vjeçari, i edukuar në Oksford, në mesin e viteve e shtatëdhjetë ka qenë drejtor produksioni në Royal Opera House, Covent Garden. Më 1970 themeloi International Centre for Theatre Research, një kompani ndërkombëtare me të aktorë, kërcimtarë, muzikantë të cilët udhëtuan nga Lindja e Mesme në Afrikë. Vepra e Brookut është e frymëzuar nga teoritë e teatrit eksperimental të Grotoëskit dhe është influencuar nga ajo e Antonin Artaud-së dhe nga idetë e tij për Teatrin e Mizorisë.
Vepra e tij me influencë të gjerë mbetet libri “Hapësirë boshe” mbi nocionin dhe natyrën e teatrit.
Ky regjisor, ndër më të mëdhenjtë që ka pasur historia botërore e teatrit me kërkimin e tij synon dëlirësinë e performancës. Ja ç’thotë ai për procesin e kërkimit: “Mendoj se njerëzit mund të ndahen në ata që kanë hequr dorë nga kërkimi dhe në ata që vazhdojnë të kërkojnë”. Thënë ndryshe, sipas atyre që e njohin mirë jetën dhe veprën e tij, kjo ndarje e botës njerëzore lë në një anë ata që janë mendërisht gjallë dhe më anë tjetër ata që mendërisht kanë vdekur.
Ja pse është kaq i rëndësishëm Peter Brook për artin sot, sa Sigmund Frojdi dje për analizën e shpirtit dhe mendjes njerëzore. Ministri i Kulturës që e prezanton veten edhe si psikolog supozohet të mos i hyjë fare në punë një krahasim i tillë i bërë nga zori.