E Shtunë, 31 Tetor 2026

Polici i FNSH-së vret fituesin e 300 mijë lekëve në kazino

 

Muharrem Likaj, 45-vjeç, humb jetën nga një plumb në kokë. Arrestohet autori Kastriot Stojani, shoqërohen 2 policë të tjerë

TIRANË- Një punonjës policie ekzekuton një 45-vjeçar, pas një sherri në një lokal lojrash fati. Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmë, rreth orës 21.00 në afërsi të stacionit të Trenit,kuu përfshinë tre punonjës të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtëdhe një qytetar i thjeshtë. Muharrem Likaj, 45 vjeç me banim në Tiranë është qëlluar për vdekje me një plumb në kokë dhe dy plumba në trup, ndërsa është dërguar i vdekur drejt spitalit ushtarak të Tiranës.Autor i dyshuar i krimit është Kastriot Stojani, 30 vjeçar, efektiv i FNSH-së. Policia bëri të ditur se në ngjarje janë përfshirë edhe dy persona të tjerë, gjithashtu efektiva të FNSH-së, të cilët po merren në pyetje për të sqaruar rrethanat e kësaj ngjarjeje.

***

Policia bëri me dije se janë shoqëruar edhe dy të dyshuar të tjerë, për t’u marrë në pyetje në lidhje me rrethanat në të cilat ndodhi krimi. Ata janë vëllezërit 30-vjeçarë Astrit dhe Petrit Kaci, të cilët shoqëronin Kastriot Stojanin në momentet kur ndodhi krimi. Sipas dëshmive në vendngjarje dhe hetimeve të para nga policia, ngjarja ka ndodhur në një lokal të vogël lojërash fati që ndodhet në rrugën “Ferit Xhajko”, 200 metra larg Stacionit të Trenit, në një pallat të ri afër Arkivës së Shtetit. Viktima Lika gjendej në brendësi të kazinosë duke luajtur, kur ka nisur ngjarja. Ai ka arritur të fitojë rreth 300 mijë lekë të rinj dhe ka dashur t’i tërheqë në kazino. Kjo nuk ka qenë e lehtë dhe 45-vjeçari është përballur me kundërshti nga punonjësit e kazinosë.

***

Këtyre kundërshtive i janë shtuar edhe tre efektivët e FNSH-së, të cilët kanë filluar të debatojnë me Muharrem Likajn. Në irritim e sipër, dyshohet se ka qenë Stojani ai që ka nxjerrë pistoletën nga brezi duke hapur zjarr ndaj 45-vjeçarit Likaj. Për shkak të plagëve serioze, viktima ra përtokë në gjendje koma.

Menjëherë i plagosuri është dërguar në spitalin Ushtarak të Tiranës, ku për 45 minuta gjendej në vdekje klinike, por më pas vdiq, megjithë përpjekjet e mjekëve për ta mbajtur në jetë. Në vendngjarje, policia ka sekuestruar makinën tip “Benz”, me targa TR 5015 I, makinë kjo që mendohet se u përkiste punonjësve të FNSH-së, ndërkohë që Drejtoria e Policisë së Tiranës ka angazhuar një ekip special për hetimin e kësaj ngjarjeje. Deri në orët e vona të mbrëmjes, në mjediset e komisariatit numër 3 janë shoqëruar 10 persona, të cilët kanë qenë dëshmitarë në vendngjarje, ndërsa nga hetimet paraprake është arritur në përfundimin se shkaku i kësaj vrasjeje ka qenë shuma e madhe e parave, e fituar në kazino nga viktima Muharrem Likaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›