Nga Italia: Shqiptarët, në të ardhmen e Livornos
Shqiptarët aksionistë për herë të parë të një klubi të Serisë A: nuk është më çudi dhe ky fakt ka filluar të besohet edhe në Itali. Sipas sajtit të specializuar në lëvizjet e futbollistëve, "calciomercato.com", për një nga klubet e elitës të përtej Adriatikut pritet të vijnë pronarë të rinj. Bëhet fjalë për kompaninë shumëkombëshe të karburanteve, "Taçi Oil", e cila është shumë e interesuar që të blejë Kaljarin ose Livornon. Sipas mediave italiane, kompania e drejtuar nga Rezart Taçi duket më pranë Livornos, ku aktualisht militon sulmuesi i kombëtares, Erjon Bogdani. Mediat italiane kanë renditur edhe dy arsyet kryesore të kësaj lëvizjeje: së pari, sepse presidenti Aldo Spineli duket se ka vendosur të largohet në fund të sezonit (gjithsesi e njëjta gjë mund të thuhet edhe për njëshin e Kaljarit, Masimo Çelino), por edhe sepse me këtë lëvizje kompania shqiptare do të kishte mundësi të shfrytëzonte një port shumë të rëndësishëm në Itali, si ai i Livornos. Zyra për komunikim me publikun e "Taçi Oil" ka saktësuar se interesimi vazhdon edhe për Kievon dhe Sienën, ndërkohë që kompanitë e specializuara po merren me vlerësimin e aksioneve të këtyre klubeve.