E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liverpul-Çelsi, "deja vu" në gjysmëfinale

Trajneri i Liverpulit, Rafael Benitez, konfirmoi se Stiven Xherard është rikuperuar në kohë për të luajtur në gjysmëfinalen e parë të Ligës së Kampioneve kundër Çelsit. Një problem në qafë ka bërë që Xherard të mos luajë në fitoren 2-0, që Liverpuli mori në fushën e Fulhem, megjithatë, mesfushori është stërvitur normalisht të hënën dhe do të luajë në sfidën e parë që do të zhvillohet sot në "Anfilld". Benitez ka hedhur poshtë edhe zërat që flasin për një largim të mundshëm të kapitenit të "Reds", pas komenteve të Avram Grant, që dëshironte ta afronte Xherard te Çelsi. Sipas tij, rëndësia që ka përballja gjysmëfinale bëri që fjalët e teknikut londinez të keqinterpretohen. "Kur luajtëm kundër Interit, u përhapën shumë fjalë se ata ishin të interesuar për Xherard dhe kjo u përsërit përpara sfidës me Çelsin. Mendoj se e njëjta gjë do të ndodhë edhe nëse dalim në finale kundër Barcelonës ose Mançesterit", tha Benitez. "Stiven është një futbollist fantastik dhe ai është 100 për qind i përqendruar te karriera me Liverpulin. Ai është i gatshëm për ndeshjen. Nëse do të shënojë golin e fitores në gjysmëfinale, mbase do të kushtojë më shumë! Kur ke pak përvojë e kupton se gjëra të tilla ndodhin, pra nëse do të më pyesnit për Drogbanë, Lampard apo për ndonjë lojtar tjetër të Çelsit, përgjigja ime do të ishte se ata janë lojtarë shumë të mirë. Kemi aq përvojë sa të kuptojmë se nëse dikush më pyet mua apo Avramin (Grant) rreth një lojtari të mirë, ne do të përgjigjemi se ai është i mirë".

Pak orë përpara ndeshjes kanë filluar spekulimet se bashkëpronari Tom Hiks do të jetë i pranishëm në "Anfilld" për të parën herë gjatë vitit 2008. "Vizita" vjen pas shumë muajsh përplasjesh në radhët e krerëve të Liverpulit. Megjithatë, Benitez mendon se prezenca e Hiks nuk do të shkaktojë shpërqendrim: "Nuk besoj se tifozët do ta kenë shumë mendjen te tribuna e drejtuesve të klubit. Sapo të fillojë ndeshja, ata do të jenë të përqendruar vetëm në fushë". Trajneri i "Reds" foli edhe rreth historisë së përballjeve në gjysmëfinalet e Championsit: në tre vitet e fundit, Liverpuli e ka eliminuar Çelsin dy herë në këtë fazë të aktivitetit. Ai mendon se blutë janë një skuadër më e rrezikshme nën drejtimin e Avram Grant, sesa ishin me Hoze Murinjon. "Ata janë një skuadër shumë e mirë, e organizuar taktikisht, e balancuar. Çelsi është i fortë në sulm, i fortë në mbrojtje dhe i fortë në goditjet standarde, vazhdoi ai. Nuk është nevoja që të analizoj stilin e trajnerëve, skuadra është pak a shumë e njëjta. Kualiteti që kanë është i padiskutueshëm dhe ashtu si në të kaluarën luftojnë për disa trofe".

TORRES

Benitez beson se sulmuesi spanjoll, Fernando Torres, do të jetë çelësi i suksesit të "Reds" në gjysmëfinalet e Champions. Sulmuesi ka qenë deciziv në sfidat me Interin dhe Arsenalin. "Kur ke lojtarë si Torres, që mund të shënojnë në çdo kohë gola, edhe skuadra fiton shumë besim", tha trajneri i Liverpulit



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›