Nga Maqedonia në Sarandë për të pikturuar
Përgjatë shëtitores së Sarandës, ku shiten misra dhe libra, lloj-lloj farash e akulloresh, parfume, kremra dhe këpucë, ka zënë vend edhe një piktor i rrallë. Në çdo orë të mbrëmjes tryeza e tij e punës rrethohet nga dhjetëra kalimtarë dhe kureshtarë, të cilët i çudit arti i tij. Para syve të tyre, brenda dhjetë minutash, ai realizon pikturën, e cila nis si një shkarravitje dhe si një lojë me bojëra spray mbi formatin e kartonçinës së bardhë. Ky është Mite Stojanovski, i ardhur në Sarandë në këtë sezon pushimesh për të punuar. Me portretin e vet gjithashtu prej magjistari, ai të gjithëve u duket i magjishëm edhe në pikturat e tij, kur i mbaron dhe i vendos në telajo. Përkrah tyre vendos çmimin e shitjes prej 15 eurosh ose 22 mijë lekësh. I kërkojmë të na tregojë diçka rreth punës së tij të çuditshme dhe të mahnitshme, që aty për aty bojërat spray i kthen në piktura me lloj-lloj motivesh. Dhe ai tregohet i gatshëm ta ndërpresë punën e vet artistike, ashtu si edhe mikesha e tij, që na e përkthen nga maqedonishtja. E pyesim se çfarë është kjo teknikë të pikturuari, ku e ka mësuar. Mite tregon se punon për një kohë të gjatë me teknikën e pikturës “air brash”, për të cilën thotë se është shumë e përhapur në Europë dhe ai ka studiuar për të. “Puna ime është të shkoj nëpër qytete të Europës, të vizitoj sa më shumë vende dhe të përhap pikturat e kësaj shkolle, atje ku nuk e njohin”. Mite thotë se kishte dëgjuar shumë për Sarandën si qytet me bukuri natyrore dhe shumë i frekuentuar nga turistët, çka e nxiti të vijë në këtë qytet. Jo për të pushuar, por për të prezantuar atë që ai di të bëjë mirë dhe ndryshe nga piktorë të tjerë. Mite thotë se ka vetëm disa net që e prezanton këtë art në shëtitoren e Sarandës, i rrethuar nga njerëz që e njohin pikturën apo janë thjesht kureshtarë. Punët e ekspozuara, të ndërtuara spontanisht me bojëra spray akrilik, jo vetëm pëlqehen, por edhe kanë nisur të blihen nga turistët apo vendasit. Peneli i tij janë gishtat dhe copëra gazetash, ndërsa produkti - piktura befasuese, që lindin nga grumbuj bojërash. Poshtë tryezës së punës të piktorit “magjistar” qëndrojnë “kanoçet” me bojërat spray, një mjet tjetër si lugë kafeje, me majën e së cilës hap brazda e heq vija bardhësie mbi togun e bojërave dhe një grumbull gazetash, me të cilat ai brashon e tjetërson “njollat” e bojës mbi telajo, duke i kthyer në objekt e në motiv. Kur e pyesim se sa jeton një pikturë e tillë, ai thotë se edhe njëqind vjet janë pak.
#